Rrëmbeu fëmijën në Kukës, që ta trafikonte në Kosovë

Një 20- vjeçar është arrestuar në flagrancë mbrëmjen e djeshme në Kukës pasi akuzohet se rrëmbeu një fëmijë për qëllime trafikimi.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Orgjocë, ku 20- vjeçari, Begzim Isa, ka rrëmbyer dhe mbajtur për rreth 24 orë në shtëpi një 8-vjeçar me inicialet A.F.
Arrestimi i tij është bërë pas denoncimit të familjarëve në policinë e rrethit Kukës. Nga të dhënat e para mësohet, se i riu e kishte grabitur 8- vjeçarin, për qëllime trafikimi në Kosovë.
Nga informacionet e mbledhura, policia e Kukësit dyshon se Isa kishte rrëmbyer dhe herë të tjera A.F.
Nga ekspertiza mjeko-ligjore nuk rezultoi që i mituri të jetë abuzuar seksualisht, transmeton BW.
Megjithatë ende nuk janë të qarta rrethanat në të cila ka ndodhur ngjarja. Policia po heton për ngjarjen, pasi dyshohet se 20-vjeçari mund të ketë tentuar edhe herë të tjera të rrëmbeje fëmijë.
Pista e hetimit për 20-vjeçarin shton dyshimet tek policia se në këtë zonë vepron një rrjet i trafikimit të fëmijëve drejt Kosovës./Indeksonline/