E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrënimi i hekurudhës shqiptare

Rrënimi i hekurudhës (foto Shekulli)

Mbetjet që do të shiten për shkap

Hekurudha Shqiptare nuk ka më lekë që të paguajë punëtorët e saj. Pavarësisht shkurtime të shumta këtë fillim viti, gjendja e bilancit të pagave është e mjerueshme. Nga 1 280 punonjës që kanë mbetur, pas 300 shkurtimeve të bëra, shumica prej tyre kanë kaluar me pagesë të reduktuar me 50%.

Pagën e plotë e përfitojnë vetëm punonjësit e sektorit të transportit, ku përfshihen mashinistët, fatorinot, kontrollorët dhe drejtuesit e trenave, ndërsa pjesa tjetër, duke nisur nga sektorët ndihmës, siç janë mirëmbajtësit e hekurudhës, punëtorët e repartit mekanik, baza mekanike, administrata, e të gjithë ndërmarrjes prej më se tre muajsh janë në listë pagesa me 50% të pagës, por edhe këto para nuk i kanë marrë prej dy muajsh.

Gjendja është kaq e rënduar sa që tashme për të siguruar fondin e pagesë pritet që të shitet skrap nga vagonët dhe lokomotivat e kësaj ndërmarrje dhe me të ardhurat e siguruara të bëhet edhe likuidimi i pagave. Punonjësit e reparteve ndihmëse të shqetësuar janë detyruar që të braktisin punën pasi sapo paraqiten largohen. Ndërmarrja është në ditët e saj më të vështira. Në bisedë me sindikalistët e hekurudhës mësohet se për të zgjidhur situatën e vështirë financiare është shitja e rreth 2 mijë ton skrap, që shoqëria i ka në pronësi. Këtë na e konfirmoi në kontaktin telefonik, Osman Meta, kreu i Sindikatës se Hekurudhës. Ai bën me dije se pritet që këto ditë të shitet skrapi hekurudhor që të sigurohet fond për pagat. Janë 1 280 punëtorë që nuk kanë marrë pagat për arsye se kjo ndërmarrje nuk ka fonde, ndërsa puna në hekurudhë transporti është në kolaps të plotë. Nëse nuk do të gjendet një zgjidhje e shpejtë pas datës 10 Maj do të nisin protestat e punëtorëve të hekurudhës në të gjithë vendin, shprehet Meta.

Zamir Ramadani, Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave ka deklaruar se janë vetëm dy muaj, marsi dhe prilli që punëtorët nuk janë paguar. Ka krizë, nuk ka të ardhura dhe po gjemë mënyra të tjera për të siguruar fondet. 90% e punëtorëve kanë kaluar në bordero me 50% dhe këtu përfshihet edhe administrata, sepse bllokimi i të gjitha kontratave të transportit të mallrave me linjën hekurudhore ka sjellë këtë situatë të rëndë, shprehet Ramadani.

Ai tha se pritet që brenda dy ditëve në vijim do të shpërndajmë një pagë, ndërsa deri në fund të javës së ardhshme do të sigurojmë fonde për të shpërndarë pagën e një muaji tjetër, gje që do ta normalizonte situatën disi. /M.Brunga/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›