Rrënohet shtëpia nga shembja e gurëve në Tetovë

Një shtëpi është rrënuar pjesërisht nga shembja e gurëve masiv në pjesën e epërme të qytetit të Tetovës, informon agjencia e lajmeve INA.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 07.45 minuta, kur një gurë gjigantë është ndarë nga kodrina dhe ka rënë mbi shtëpinë e familjes Shaqiri, duke rrënuar një pjesë të saj dhe duke e shndërruar të pabanueshme.
Në këtë fatkeqësi është plagosur kryefamiljari Naser Shaqiri, 32 vjeçar, i cili ka marrë lëndime në kraharor dhe këmbë, mirëpo është jashtë rrezikut për jetë. Shtëpia gjendet në pjesën e epërme të qytetit të Tetovës në afërsi të varrezave ortodokse.
Familja ka theksuar se ka dëgjuar zhurmën dhe më pas rënien e gurit masiv dhe dheut mbi çatinë e shtëpisë dhe pjesën tjetër të shtëpisë. Autoritetet komunale të udhëhequra nga kryetari i komunës, Sadi Bexheti kanë vizituar familjen, duke premtuar se do të ndihmojë në pastrimin e shtëpisë dhe dhurimin e një ndihme financiare për riparimin e shtëpisë.
Dëmet e vlerësuar janë tejet të mëdha, pasi që shtëpia ka ngelur pa kulm dhe është dëmtuar bazamenti dhe disa mure të kësaj shtëpie./Indeksonline/