Rrëshen-Kalimash, gjiganti i Shqipërisë së 2020-s
“Autostrada Rrëshen-Kalimash është një gjigand që vrapon, është një kolos që na bën të ndihemi krenarë. Ky projekt është një mrekulli e inxhinierisë, e arkitekturës. Është një autostradë në Shqipëri që ne nuk e imagjinonim që mund të bëhej në vitin 2008. Ky projekt mund të imagjinohej vetëm ne 2020-n. Kjo është Shqipëria e 2020-s. Kjo është Shqipëria e sotme, është Shqipëria europiane”. Me këto fjalë e ka përshkruar këtë projekt madhështor, pjesë e rrugës Durrës-Morinë, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e cila dje, së bashku me një grup deputetësh dhe gazetarësh ishin në këtë segment rrugor për të parë nga afër ecurinë dhe ritmin e punimeve. Projekti, më i madhi infrastrukturor i realizuar në vend, pritet të përfundojë në vitin 2009 dhe jo vetëm do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, rajonin dhe Europën, por do të sjellë një zhvillim shumë të madh në ekonomi e turizëm, pasi lidh tregjet e Europës Juglindore me rrugët kryesore ndërkombëtare detare nëpërmjet porteve shqiptare. Segmenti Rrëshen-Kalimash do të jetë pjesë e një autostrade prej 170 km. Ky segment përfshin 27 ura, ku ura më e gjatë arrin 360 metra, ndersa ura më e lartë shkon deri 80 metra. Në të gjithë gjatësinë e segmentit të urave është gërmuar 20 milion metër kub gërmimin, nderkohë që për realizimin e tyre është hedhur 120 mijë metër kub beton. Kjo rruge merr dimensione madhështore në tunelet e Kalimashit, ku falë punes në 24 orë në 24, sot është bërë e mundur hapja e 50.2 përqind e tij. Ky tunel me dy shpime paralele prej 5.5 kilometër secili, ecën me ritmin e 20 metrave shpim në ditë dhe vetëm muajin e fundit është hapur 500 metra. Për gazetarët e pranishëm, Kryetarja e Kuvendit, u shpreh: “Ne sot jemi këtu pikërisht në pikën e 50.2 për qind të të gjithë gjatësisë së tunelit, siç tha edhe menaxheri i tuneleve të kesaj firme, e cila ka bërë këtë projekt gjigand, këtë mrekulli të inxhinierisë. Çdo ditë ata ecin me një ritëm prej 20 metrash shpim, që do të thotë që vetëm në muajin e fundit ato kanë ecur në 500 metra gjatësi. Duke vazhduar me këtë ritëm, ne shumë shpejt do të shohim të përfunduar gjithë pjesën veriore të tunelit, ashtu dhe pjesën jugore të tij. Në fakt, mua më duket një gjigant që vrapon, një kolos. Ky projekt është një mrekulli e inxhinierisë, e arkitekturës. Është një autostradë që në Shqipëri nuk e imagjinonim që të mund të bëhej në vitin 2008. Ky projekt mund të imagjinohej vetëm në 2020-n. Kjo është Shqipëria e 2020-s. Kjo është Shqipëria e sotme, është Shqipëria europiane, është Shqipëria e projekteve gjigante, është Shqipëria e veprave që kanë prerë malet përgjysëm, që, siç thonë banorët e kësaj zone, kanë lëvizur malet nga vendi dhe kanë bërë të mundur që shqiptarët të jenë më afër me njëri-tjetrin, që shqiptarët të jenë më afër me europianët, që tregjet e Europës Juglindore të përafrohen për një kohë shumë të shkurtër me porte dhe me rrugë ndërkombëtare dhe detare më të rëndësishme. Personalisht mua më duket diçka e pabesueshme që për një vit të realizohen 27 ura që zenë një gjatësi prej 14 kilometrash, që për një vit të bëhen 2 tunele me nga 5.5 kilomentra. Unë gati gati nuk i besoj syve, që shoh se një tunel i këtyre përmasave, me gjithë gjigandizmin e tij të jetë në Shqipëri. Është vështirë të imagjinohet se si një ndër zonat më të braktisura apo më të prapambetura nga ana infrastrukurore kthehet në një ndër zonat më moderne nga pikëpamja infrastrukturore jo të Shqipërisë së sotme, po të rajonit, me një projekt të krahasueshëm me tunelet më të mëdha të Europës. Unë besoj se kjo është ndër veprat që bën të mundur të lidhë tregjet e Europës Juglindore me tregun shqiptar, për ta kaluar më pas përmes rrugëve ndërkombëtare detare me Europën Perëndimore. Kjo vepër ka një impakt të jashtëzakonshëm ekonomik të shërbimeve tregtare, të shkëmbimeve qytetare të gjithë kësaj zone. Besoj se ky projekt që ka filluar vetëm prej një viti në fakt në një kohë kaq jashtëzakonisht të shkurtër për një kolos kaq të madh, do të bëjë të mundur që Shqipëria shumë shpejt do ta shohë veten me më shumë prosperitet. Ka deputetë që kanë qenë edhe herë të tjera dhe ata shohin që për një periudhë kaq të shkutër, ketu ka ndryshuar çdo gjë. Unë do të jem përsëri këtu. Ky gjigand mund të realizohej vetëm nga një lidership i fortë dhe me një vendimmarrje me kurajo. Për të gjithë ata që nuk e kanë vizituar veprën që realisht bën krenar çdo qytetar të Shqipërisë, u përsëris edhe njëherë ftesën, edhe për faktin se rruga që do të lidhë portet tona me Kosovën dhe me Europën Juglindore është me katër korsi. Është Shqipëria me kater korsi në të gjithë infrastrukturën e saj. Ndaj edhe mendoj se kjo na bën krenar, kjo na bën europianë. Kjo është Shqipëria e 2020-s dhe ne kemi rendur e kemi shkurtuar kohën tonë në të gjitha projektet tona”.
Lajla Përnaska: Është një moment tepër i veçantë të ndodhesh në gjirin e kësaj vepre kaq gjigande dhe do të doja të theksoja që në këtë rast nuk ka asnjë lloj nevoje as për dialog as për monolog pasi vepra flet vetë.
Leonard Demi: Kjo është një vepër madhore që do t’i shërbejë gjithë Shqipërisë dhe gjithë rajonit për vitet që do të vijnë nga çdo pikëpamje ekonomike, shkëmbim, siguri dhe përfitimi i vendit tonë është i pakrahasueshëm.
Lajla Përnaska: Është një moment tepër i veçantë të ndodhesh në gjirin e kësaj vepre kaq gjigande dhe do të doja të theksoja që në këtë rast nuk ka asnjë lloj nevoje as për dialog as për monolog pasi vepra flet vetë.
Leonard Demi: Kjo është një vepër madhore që do t’i shërbejë gjithë Shqipërisë dhe gjithë rajonit për vitet që do të vijnë nga çdo pikëpamje ekonomike, shkëmbim, siguri dhe përfitimi i vendit tonë është i pakrahasueshëm.