Rrëshqitje dherash në Librazhd-Elbasan, bllokohet qarkullimi i mjeteve
Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, aksi rrugor Librazhd-Elbasan është bllokuar si rezultat i rrëshqitjeve masive të dheut dhe gurëve nga shpatet e kodrave përgjatë kësaj rruge.
Me dhjetëra metra kub dhera dhe gurë kanë mbuluar një pjesë të kësaj rruge duke e bërë të pakalueshme për automjete, por fatmirësish në momentin e rrëshqitjes nuk ka pasur qarkullim.
Është dashur ndërhyrja e forcave të policisë dhe mjeteve për pastrimin rrugës që kanë bërë të mundur zhvendosjen e inerteve, duke e bërë të kalueshme rrugën. Por, rreziku i rrëshqitjeve mbetet permanent në këtë aks, pasi një fenomen i tillë ka ndodhur vazhdimisht si rezultat i reshjeve të vazhdueshme gjatë stinës së dimrit.
22 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Rrëshqitje dherash në Librazhd-Elbasan, bllokohet qarkullimi i mjeteve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP