Rreth 200 vjedhje për tre muaj në Podujevë

Rreth 200 vjedhje të rënda dhe tentim vjedhje kanë ndodhur në Komunën e Podujevës prej 1 janarit deri më 31 mars. Dukuria e vjedhjeve është ngritur edhe nga vetë kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).
“Është shqetësuese dukuria e vjedhjeve nëpër shtëpitë e qytetarëve. Madje kjo ndodh nëpër familje të cilat goditen nga fatkeqësi të ndryshme, siç janë rastet e vdekjeve apo të aksidenteve të ndryshme, kurse hajnat shfrytëzojnë këtë për t’iu shkaktuar edhe një dëm tjetër, duke vjedhur nëpër shtëpitë e tyre”, është shprehur kryetari Veliu.
Edhe anëtarët e tjerë të KKSB-së kanë kërkuar nga organet e rendit që të jenë më efikas në parandalimin e rasteve të tilla kriminale, që cenojnë sigurinë fizike të qytetarëve dhe pasurinë e tyre.
Ndërkohë, komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Isak Ejupi, ka thënë se pavarësisht angazhimit të organeve të rendit në kapjen dhe dorëzimin e autorëve të vjedhjeve në gjykatë, sipas tij, në favor të kësaj kategorie kriminale është edhe vetë Kodi penal, i miratuar në Kuvendin e Kosovës.
“Karakteristikë është se shumica e veprave penale të vjedhjeve nëpër shtëpi kryhen në intervalin kohor, në mes orës 18.00-23.00”, ka thënë Isak Ejupi, në mbledhjen KKSB-së. Sipas një raporti që ka paraqitur komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, 132 vjedhje janë vlerësuar si të rënda, ndërsa 72 të tjera vjedhje dhe tentim vjedhje. Megjithatë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, Ejupi ka thënë se numri i vjedhjeve në 2013 është më i vogël për 4, përkatësisht 16 raste.
Lidhur me këtë çështje anëtarët e KKSB-së kërkuan nga qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë në identifikimin e hajnave. Ndërsa nga policia u kërkua të jenë më efikas në parandalimin kësaj dukurie dhe në kapjen autorëve të vjedhjeve. Në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi gjithashtu u kërkua nga gjykata që të jetë më efikase në shqyrtimin e lëndëve, të cilat kanë të bëjnë me këtë kategori të krimit.
Gjatë së martës është diskutuar edhe për situatën në Komunën e Podujevës e cila është vlerësuar si e qetë.
KKSB-ja ka miratuar edhe propozimin e Planit të punës për vitin 2013./Indeksonline/