Rreth 250 pacientë në javë marrin fizioterapi në Spitalin e Traumës

TIRANË”, 2 shtator /ATSH/ Rreth 250 pacientë në javë marrin shërbim fizioterapie në Spitalin Universitar të Traumës, në kuadër të rehabilitimit pas traumave, ndërhyrjeve kirurgjikale, por edhe gjatë qëndrimit në reanimacion.
Shefja e Shërbimit të Fizioterapisë në Spitalin Universitar të Traumës, doktoreshë Iris Myftiu, tha se shërbimi u përgjigjet nevojave të ndryshme të pacientëve, me prioritet rastet post-traumatike.
“Shërbimi i fizioterapisë pranë Spitalit të Traumës u shërben pacientëve për nevojat e ndryshme që ata paraqesin. Sidomos patologjitë pas traumave kanë prioritet, por trajtohen edhe pacientë me patologji kronike. Shërbim marrin edhe pacientët në reanimacion, për të shmangur komplikacionet dhe patologjitë e mundshme”, u shpreh Myftiu.
Ajo theksoi se trajtimi realizohet nga një staf i specializuar dhe në kushte të përshtatshme, duke përdorur metoda dhe teknologji bashkëkohore të fizioterapisë.
“Në shërbim janë 16 fizioterapistë dhe 4 mjekë, të cilët punojnë me trajtimet më të reja dhe teknologjitë më të mira. Fizioterapistët janë të informuar dhe të përditësuar me metodat dhe teknikat e reja të trajtimit”, tha Myftiu.
Fizioterapia luan një rol të rëndësishëm në rikthimin e lëvizshmërisë, funksionalitetit dhe pavarësisë së pacientëve, përmes trajtimit të individualizuar dhe bashkëpunimit me ekipet e tjera mjekësore.
/e.xh/a.f/