E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreth opozitës frymëzuese

Share

Nga Mero Baze

Kam parë ditët e fundit disa ish- socialistë që po vajtojnë pse humbën pushtetin në vitin 2005. Shumica  e tyre nuk janë në PS, por në qeveri, por dhe disa që kanë mbetur në PS, po përpiqen ta kthejnë në vlerë faktin që kanë qenë pjesë e ekipit që është mundur nga shqiptarët në vitin 2005. Ata janë në shumicë ose ish- ministra dhe zyrtarë të tij, ose Ilir Meta dhe njerëz të tij, ose Sali Berisha.

Biem dakord qysh në fillim se nga kryeministrat e Shqipërisë këto 20 vjet, me këto që ka bërë Sali Berisha, Fatos Nano është kryeministër më i mirë. Ishte më i hapur, më i qartë për ekonominë, dhe nuk ka vrarë njerëz, as më 14 Shtator kur Sali Berisha iu lëshua me tanke e topa në zyrën e tij, as në Mars të vitit 2004 kur e qëlluan më egër se më 21 Janar me gurë ndërtesën dhe policët që e mbronin atë. Nuk vrau se nuk e ka në kulturën e tij politike dhe për këtë i duhet të jemi mirënjohës. Dhe mbi të gjitha është i vetmi kryeministër që ka dorëzuar dy herë pushtetin me zgjedhje të lira dhe të pranuara ndërkombëtarisht. Asnjë kryeministër tjetër se ka bërë këtë. As Sali Berisha, as ilir Meta, as të dy bashkë.

Por Fatos Nano prodhoi një kastë njerëzish të korruptuar dhe fenomene të shëmtuara të qeverisjes, të cilët duhet të merrnin fund. Ndryshe nga qeveria e Berishës, ku ministrat nuk kanë leje për të vjedhur, pasi e drejta për të vjedhur nuk është liberalizuar dhe është patentë e Familjes, Ministrat e Nanos, një për një dhe kokë më kokë ishin më të korruptuar se ata të Berishës. Përjashto ministrat e LSI, që sot nuk konkurrohen në asgjë as në marrëzinë dhe as në hajdutërinë e tyre, Ministrat e Fatos Nanos prodhuan fluks personal mbi pushtetin që drejtonin. Unë e besoj se Agron Duka nuk ka pasur nevojë të vidhte, por qenia e tij dhe Ministër Bujqësie, dhe biznesmeni më i madh i agrikulturës në Shqipëri, ia krijonte mundësinë të ishte i pakonkurrueshëm. Arben Malaj hidhet përpjetë si bretkosë në ujë të nxehtë kur ia kujton, por privatizimet më të pista janë bërë në kohën e tij. Njerëzit e tij drejtonin ankandet e pronave publike nga Vlora në Durrës jo zyrtarisht dhe përfundonin pastaj ortakë të ortakëve të blerësve të tyre. Nuk duhet të harrojmë se Golemi, një pasuri e papërsëritshme e shqiptarëve dhe Shqipërisë, u shkatërrua nën qeverisjen e Fatos Nanos, biles me firmë të disa zyrtarëve të sotëm të Partisë Socialiste, por që nën atë pushtet kanë firmosur shkatërrimin me pallate të një prej pasurive tona më të mëdha kombëtare nga Mali i Robit tek ura e Dajlanit në Durrës. Disa banditë lokalë u bënë të superpushtetshëm dhe milionerë duke mbajtur nën presion pushtetin dhe popullsinë lokale për një mendësi idiote dhe vese që Fatos Nano kishte kur ulej në dreka banale me njerëz të rëndomtë që mban nëpër tavolina dhe që disa i burgosi duke ikur nga pushteti. Opinioni publik u lodh nga emra që ndërronin karriget e ministrave duke sharë e fyer njëri- tjetrin si hajdut,  dhe pastaj riktheheshin si miq sapo rehatoheshin në kolltuqe të reja. U lodh jo pak dhe nga adresimi i egër verbal i Sali Berishës, që nuk linte rast pa përdorur për ti demonizuar ata.  Mund të thuhet pa frikë se Fatos Nano e bëri korrupsionin popullor, i dha atij të drejtë morale dhe e ktheu në objektiv për të qenë në pushtet. Ai e bëri atë mjet të jetës së tij politike, çelës kompromisi dhe po ndërtonte më të një mendësi të rrezikshme për një shtet ligjor në Shqipëri.

Pra, me një fjalë, në kohën e Fatos Nanos ne prodhuam modelin e korrupsionit demokratik, si një e drejtë e paligjshme e kujtdo që ishte në pushtet, model që shihet qartë tek socialistët e LSI që janë në pushtet me Berishën. Ky model natyrisht ishte i rrezikshëm, pasi i dha pasaportë krenarie korrupsionit të pushtetit dhe i dha vlerë një vendi pune në administratë dhe qeveri. Ai prodhoi ambicien për pushtet si ideal për tu pasuruar.

Sali Berisha e shkatërroi këtë model, pasi ishte shumë i rrezikshëm mes të tjerash për karrierën e Sali Berishës. Sali Berisha nuk punon dot me njerëz të fortë, për më tepër me njerëz që pavarësohen nga korrupsioni dhe pushteti. Si çdo gjë tjetër ai vendosi sovranitetin e vet mbi korrupsionin. Modeli i Sali Berishës padyshim që është më i egër, më fundosës për Shqipërinë dhe më pak zhvillues. Nëse Fatos Nano liberalizoi korrupsionin dhe e bëri atë atribut të çdo shtetari, Sali Berisha e centralizoi atë dhe e bëri pushtet të Familjes së tij. Nëse modeli i Fatos Nanos zhvilloi biznesmenë të lirë që përdorën korrupsionin për të avancuar bizneset e tyre duke konkurruar, Sali Berisha mes të tjerash prodhoi me këtë sistem, biznesmenë të paaftë, biznesmenë të sojit të djalit tij që lë fatin e banorëve të Gërdecit në duar sekserësh që e hodhën në erë dhe vranë 26 vetë. Ministrat që mund të bëjnë miliona tek Berisha janë ata që i kanë mbaruar më parë punët e Familjes dhe nuk janë në karantinë. Janë ata që në farë mënyre kanë firmosur në dosjen e korrupsionit të Familjes, si dikur në dosjet e Sigurimit të Shtetit. Ata që nuk kanë pasur fatin të ishin të dobishëm për Familjen, mund të marrin dhe bukën me vete në zyrë, se nuk i lë njeri të vjedhin.

Kjo lloj qeverisje e Berishës e ka futur vendin nën kthetrat e mafies, e cila do më shumë se ndryshim pushteti për tu mundur. Do vullnet dhe mendësi të ashpër antikorrupsion. Debati i qaramanëve ish- hajdutë brenda PS është si spo na lënë gjë për të vjedhur këta që janë. Jo. Gjithmonë do të ketë diçka për të vjedhur në këtë vend, nëse Zamiri nga shok i Zenit dhe Gitës bëhet mik i Fugës dhe Erionit, nëse Bashkimi nga arkëtar i Familjes bëhet sekser i Lames dhe Finos, nëse Gimja i Redbullit dhe Kafes, gris fotot me Ridvanin dhe del me Ben Malajn, nëse lista e kriminelëve që kanë garanci tek Kuliqi,  transferon garancinë tek Sollaku, nëse dhe Kunati i Lulit gjen vëlla çunin e Gramozit. (Të më falin ata që ua zura emrin në gojë për shembull, se nuk shpresoj të ndodhë).

Shqipëria sot po qeveriset si një vend mafioz, nga një grup biznesmenësh të Familjes që jo vetëm kanë kapur shtetin dhe pushtetin, por po investojnë dhe kundër demokracisë në vend. Klanizimi i medies është një mision i rrezikshëm kundër demokracisë në vend dhe ai po bëhet me paret e këtyre biznesmenëve që përmenda, të cilët janë jo vetëm investues të ndërtimit të kësaj lloj medie, por dhe financues të luksit të tyre jo konkurrues. Ata janë njerëzit që po paguajnë për të përçarë opozitën, për ta blerë atë dhe për të deformuar vullnetin e shqiptarëve siç bënë me zgjedhjet e 8 majit. Dhe po të mendosh se ky grup mediatik, me strukturë tërësisht korruptive, është produkt i mentalitetit të socialistëve për medien, e kupton sa të rrezikuar që jemi nga rokada e mafies në oborrin e ri të socialistëve. Ndaj më e rëndësishme për socialistët nuk është të sillen si qaramanë kur hedh Berisha një gur në lumë dhe ata se nxjerrin dot, por të demonstrojnë një mendësi të re jo vetëm kundër pushtetit të Berishës, por dhe kundër sëmundjes që futi korrupsioni popullor i Fatos Nanos në qeverisje. Mos harroni se këta karkaleca të LSI që janë lëshuar të rrjepin çdo gjë që gjejnë përpara, kanë qenë dikur socialistë, biles shumica nanoistë, dhe ndonjë i përjashtuar nga MJAFT-i si hajdut që në atë kohë. Ata kanë provuar një herë si vi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›