E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreth zbatimit të parimit një anëtar, një votë apo kundër mashtrimit të anëtarësisë për demokraci partie

Aleksandër Meksi- faqe 10Nga Aleksandër Meksi*

Në vendet me demokraci të konsoliduar dhe të suksesshme,  pjesëmarrja e anëtarësisë së partive në hartimin e politikave dhe në vendimmarrje, së bashku me transparencën, janë  domosdoshmëri. Ajo bazohet në demokracinë e brendshme, nëpërmjet institucionalizimit të mendimit ndryshe, i cili sigurohet  përmes votës së të gjithë anëtarëve të saj, duke respektuar dhe zbatuar në zgjedhjen e drejtuesve të strukturave të të gjitha niveleve, parimin më demokratik një anëtar, një votë duke filluar nga niveli bazë i partisë dhe deri tek niveli më i lartë, që është kryetari i partisë. Vota e përfaqësuar u njihet vetëm përfaqësuesve me mandat prej anëtarësisë së partisë, dhe kjo e sanksionuar në rregulloret e brendshme të funksionimit të partisë për raste të caktuara.

Rregullat e funksionimit të demokracisë në parti përcaktohen mbi bazën e statuteve të tyre, me rregullore të brendshme apo akte të nxjerra nga organet qendrore të saj sipas parashikimeve të statuteve. Mënyra e zbatimit të parimit një anëtar, një votë duhet të përcaktohet në rregulloret e brendshme të partive. Sido që të jetë, mendoj se në rrethanat e sotme të mospërkrahjes (më saktë mostolerimit) të mendimit ndryshe, do të duhet që të mos ketë kushte për paraqitjen e kandidaturave, si në vendet me demokraci të konsoliduar por, çdo anëtar i partisë ka të drejtën të propozojë dhe të propozohet (përfshirë edhe vetë-propozimin) për të gjitha organet legjislative e ekzekutive që përfaqësojnë Partitë, sipas kushteve që parashikohen në statutet. Kuptohet që kur këto procedura të funksionojnë mund të vihen kërkesa për paraqitjen e kandidaturave si mbështetja nga një numër i caktuar anëtarësh.

Partitë politike shqiptare sipas traditave dhe specifikave të tyre mund të kenë forma të veçanta të organizimit. Sidoqoftë ato kanë njësi bazë (seksione, organizata bazë e tjera) të cilat, si rregull, drejtohen nga një kryesi, Ata zgjidhen  nga mbledhja e anëtarëve të njësisë, me shumicën e votës së anëtarëve të pranishëm për një mandat kohor paq kohë sa përcaktojnë Statutet e tyre dhe pavarësisht nga përbërja e tyre (zakonisht: kryetar, nënkryetar dhe sekretar), që është në vartësi të numrit dhe  rëndësisë së njësisë bazë, me votë të fshehtë duke respektuar parimin bazë të sipërpërmendur një anëtar, një votë. Eventualisht mund të ketë dhe balotazh. Në dobi të demokracisë së brendshme të vetë partive duhet të ketë një kufizim kohor të mandateve, zakonisht jo më shumë se dy.

Partitë, nga ky nivel bazë i organizimit deri në organet qendrore që drejtojnë ndërmjet dy Kongreseve apo Kuvendeve, kanë struktura vendore që krijohen sipas madhësisë së Partisë, shtrirjes së saj, por, sidomos kohët e fundit, edhe duke ju përshtatur Kodit Zgjedhor. Ato janë me një shkallë apo dhe  disa shkallësh apo nivele organizimi: sipas komunave, grup komunash, bashki apo minibashki, rrethet e dikurshme e deri sipas Qarqeve. Të gjitha ato në aspektin e anëtarësisë i nënrendohen njëra tjetrës: nga më e vogla tek më e larta sipas shkallës së hierarkisë të organizimit vendor të shtetit.

Cilado qofshin këto struktura, si emërtime dhe si numër shkallësh apo nivelesh, përbërja dhe organizimi i tyre duhet të jetë demokratik , pra, në përputhje me parimin bazë të përmendur më sipër, duke përfshirë në strukturat drejtuese ( me përjashtim të njësisë bazë) ata që zgjidhen me votë nga gjithë anëtarësia e tyre, si dhe ata që futen në to për nga kontributi domethënë postet që kanë apo kanë pasur në parti apo në qeverisje (vendore ose qendrore). Norma të tilla zbatohen në shumicën e partive të vendeve demokratike dhe, që sipas nesh, duhet detyrimisht të zbatohen në ato vende që kanë dalë nga sistemi komunist, pra që kanë prirje për autoritarizëm dhe drejtim personal të partive dhe të shtetit, dhe Shqipëria po tregon se është një vend i tillë. Por, në cilindo rast numri i të zgjedhurve duhet të jetë më i madh se ai i atyre me të drejtë (ex officio). Statutet duhet të përcaktojnë gjithashtu numrin minimal të të zgjedhurve me votën e anëtarësisë si dhe ata në çdo nivel të strukturave bëjnë pjesë automatikisht në to.

Votimet sipas parimit një  anëtarë një votë për anëtarët e Kryesive të strukturave lokale, për delegatët dhe për Organin Qendror të Partisë zhvillohen me sistemin e votës preferenciale ose të votës me radhitje pikëzuese, sistem që përcaktohet në rregulloren e brendshme të funksionimit të partisë. Kurse votimet për të zgjedhur një person ndërmjet disa kandidatëve kryhen duke dhënë vetëm një votë. Quhet fitues ai që merr më shumë se gjysma e votave të vlefshme. Në rast se kjo nuk arrihet bëhet balotazh ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar numrin më të madh të votave.

Kryerja e votimeve të drejtpërdrejta dhe  me votë të fshehtë nga të gjithë anëtarët e strukturës, për të përcaktuar drejtuesit e saj dhe sipas rastit dhe përfaqësuesit, siguron pjesëmarrjen reale të anëtarësisë në vendimmarrje, lejon dhe mundëson institucionalizimin e mendimit ndryshe, mënjanon pakënaqësitë dhe përçarjet, dukuri të shpeshta në partitë shqiptare ku uzurpimi i pushtetit është dukuri normale. Po kështu, qenia në organet drejtuese e anëtarëve me të drejtë, të fituar për shkak të detyrës, e sidomos e kryetarëve të mëparshëm të asaj strukture shmang pakënaqësitë, që shpesh kanë sjellë përçarje, si dhe i siguron Partisë ruajtjen e profilit politik dhe kontributet e individëve. Në këtë rast bëhet më pranueshme dhe norma demokratike e kufizimit në kohë të mandateve (apo e numrit të mandateve). Është e kuptueshme që numri i atyre që zgjidhen me votën anëtarëve duhet që në çdo rast të jetë më i madh se ata që bëjnë pjesë me të drejtë.

Kohët e fundit në politikën shqiptare ka zënë vend mendimi dhe norma që në drejtim duhet të ketë dhe një përqindje të caktuar të vajzave dhe grave, kjo duhet patjetër të rregullohet me norma të qarta në statute.

Mendojmë se në këto norma duhet të përfshihen dhe ato që përcaktojnë se cilët anëtarë kanë të drejtën e votës. Si rregull, në partitë e vendeve demokratike kanë të drejtë për të votuar anëtarët e rregullt (që kanë paguar kuotizacionet) deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës, nëse zgjedhjet janë në gjashtë-mujorin e parë të vitit, ndërsa nëse zgjedhjet janë në gjashtë-mujorin e dytë të vitit, kanë të drejtë vote anëtarët e rregullt deri më 30 qershor të atij viti.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›