E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Obama dhe Gjeneralët e Pentagonit

14-12-2011 / Nga Richard A. Clarke (Nju Jork Tajms)

Vështirë se dëgjon një debat ku administrata Obama të mos kritikohet nga kandidatët republikanë për mospërkrahje të  “komandantëve në terren”. Është bërë i zakonshëm ky sulm ndaj Presidentit për tërheqjen e trupave nga Iraku dhe reduktimin e planifikuar të forcave në Afganistan. “Unë jam me komandantët”, tha Mitt Romney muajin e kaluar. Një qëndrim i tillë të kujton George W. Bush, i cili vazhdimisht ka thënë gjëra të tilla si “komandantët tanë në terren do të përcaktojnë madhësinë e niveleve të trupave” në Irak. Të lësh gjeneralët në terren të diktojnë vendimet strategjike nuk rezultoi një taktikë e mirë për paraardhësin e zotit Obama dhe Presidenti është aq i zgjuar  sa të mos përsërisë të njëjtën gjë. Nuk ka dyshim që Shtetet e Bashkuara kanë korpusin më profesional të oficerëve ushtarakë në botë dhe sigurisht i vetmi me përvojë më të madhe luftarake. Një pjesë e trajnimit dhe profesionalizmit  të tyre është, megjithatë, rezultat i një rrënjosjeje të thellë të traditës amerikane mbi “kontrollin civil të ushtrisë”. Ata e dinë se Neni II i Kushtetutës thotë se Presidenti i zgjedhur civil është Komandant Suprem i Forcave të Armatosura.
Por kontrolli civil nuk është vetëm çështje ligji, është gjithashtu edhe çështje efektiviteti. Të jesh në terren mund të të mundësojë të kuptosh rrethanat lokale por jo domosdoshmërish mund të të ndihmojë të parashikosh se kush është më e mira e mundshme për kombin në terma afatgjatë. Ne presim që Presidenti ynë të mendojë në një kontekst më të shtrirë në kohë dhe të marrë vendime sa më gjithëpërfshirëse të jetë e mundur.
Historia ofron dëshmi të bollshme të vendimeve jo të drejta nga ana e komandantëve ushtarakë amerikanë dhe disa prej presidentëve tanë më të mirë kanë pasur guximin t’i anulojnë ato. Abraham Lincoln rregullisht shkarkonte komandantët ushtarakë në mes të Luftës Civile, në të cilën linjat e betejës ishin shpesh më pak se 100 kilometra larg nga kryeqyteti. Harry S. Truman shkarkoi gjeneralin Douglas MacArthur, komandanti i tij në terren gjatë Luftës së Koresë, edhe pse ai kishte korrur fitore në Paqësor në Luftën e Dytë Botërore. (MacArthur kishte këmbëngulur për bombardimin e Kinës dhe përdorimin e armëve bërthamore përgjatë kufirit Kinë-Kore.) Nëse John F. Kennedy do të kishte ndjekur këshillën e komandantëve të tij gjatë Krizës së Raketave Kubane, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik me siguri do të ishin ndeshur në një luftë bërthamore në të cilin miliona amerikanë do të kishin vdekur. Kohët e fundit, George Bush pushtoi me sukses Kuvajtin pavarësisht nga rekomandimet e komandantëve të tij ushtarakë. Megjithatë, më pas,  pashë nga brenda Shtëpisë së Bardhë se si refuzimi i George W. Bush për një mbikëqyrje civile të planit të pushtimit të Afganistanit pati si rezultat kryerjen e këtij  operacioni  nga gjenerali Tomi Franks, operacion në të cilin kapja e Osama bin Laden nuk ishte objektivi primar. Kështu, lideri terrorist, përgjegjës për sulmin më të madh ndaj Shteteve të Bashkuara në histori, ishte në gjendje të vazhdonte të operonte edhe për një dekadë tjetër.
Barak Obama, për fat të mirë, u kthye në traditën e presidentëve të mëparshëm; ai jo vetëm që pushoi komandantin të tij në Afganistan por gjithashtu refuzoi rekomandimet e udhëheqjes ushtarake për mënyrën se si të sulmohej kompleksi i Bin Ladenit.  Kennedy, duke vepruar në të njëjtën mënyrë, mori vendime operative, duke u thënë admiralëve të tij ku dhe si t’i dilnin përpara anijeve sovjetike që shkonin për në Kubë. (Pas krizës, Kennedy shkarkoi kreun e Marinës.)
Ajo çka bënë në këto raste  Lincoln, Truman, Kennedy, z. Bush Senior dhe presidenti Obama ishte të merrnin guxim personal, dhe të tregoheshin të mençur. Ata kundërshtuan komandantët ushtarakë  dhe provuan se kishin të drejtë. Kennedy thuhet se është shprehur se  "suksesi ka një mijë etër, dështimi është jetim." Dështimi pas kundërshtimit të mendimit të ushtarakëve mund të jetë shumë më i keq se sa thjesht krijimi i një politike jetime. Sikur vendimet e tyre të kishin rezultuar të gabuara, ata presidentë mund të kishin rrezikuar një humbje elektorale apo edhe fajësimin (nxjerrjen para gjyqit).
Sigurisht, ne i zgjedhim presidentët tanë pjesërisht për shkak të asaj se si ne mendojmë se ata do t’i menaxhojnë krizat, se si ata do ta shohin situatën në një kuadër më të gjerë, se si ata do të dallojnë momentet historike. Ne presim që ata të ushtrojnë pushtetin e tyre pas dëgjimit të këshilltarëve ushtarakë dhe civilë dhe jo të bëjnë vetëm atë që duan “komandantët në terren”. Në vende si Pakistani, presidenti nuk mund t’u tregojë  ushtarakëve se çfarë duhet të bëjnë. Por në Amerikë nuk është kështu. Duke na treguar se duhet t’u bindemi automatikisht komandantëve të ushtrisë, disa kandidatë presidencialë janë duke u thënë paraprakisht votuesve se ekziston një pjesë e rëndësishme e punës së presidentit që ata nuk janë të gatshëm ta kryejnë.

Richard A. Clarke, koordinatori i kundërterrorizmit në Këshillin e Sigurimit Kombëtar 1993-2001, është autor i "Kundër gjithë armiqve: Brenda luftës së Amerikës kundër terrorizmit"

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›