Kreu i antidrogës çeke: Trafik droge me makinën e ambasadës shqiptare

Jakub Fridrish
Një skandal i vërtetë ka shpërthyer në diplomacinë shqiptare. Në shtator të këtij viti, një media e Çekisë raportonte se makinat e ambasadës shqiptare përdorej për trafik droge. Tabloidi çek shkruan se një person i arrestuar për trafik droge, i quajtur Agim Saraçi, një kosovar, ka përdorur makinën e ambasadës shqiptare që nga viti 2004 deri në vitin 2010. Në gazetë përmendet emri i konsulles Katerina Xhelo, e cila ka lejuar përdorimin e makinës që nuk kontrollohet për shkak të Konventës së Vienës.
Emisioni Fiks Fare e ka gjurmuar më shumë këtë çështje dhe ka dërguar një gazetare në Çeki. Ajo ka intervistuar Jakub Fridrich, drejtori i qendrës kombëtare të antidrogës në Çeki. Ai pohon faktet e publikuara në gazetë. Agim Saraçi përdorte makinën e ambasadës shqiptare nga viti 2004 deri në vitin 2010 kur u arrestua për trafik droge. Formalisht ka pasur leje me shkrim nga ambasada, por nuk ka pasur pasaportë diplomatike, tha Fridrish.
Ai deklaroi më tej se Ministria e Jashtme e Çekisë ka konfirmuar se personi i hetuar ka bashkëpunuar me ambasadën shqiptare.
Personi që nuk ka imunitet diplomatik nuk mund të përdorë makinën e ambasadës. Një lidhje mes ambasadës dhe këtij personi është, por karakterin konkret nuk e di, nuk mund të shprehem, tha Fridrish.
Drejtori i qendrës së antidrogës shton se kanë kërkuar të dinë më shumë nga ambasada se çfarë pune ka bërë Saraçi. Në fazën e parë na thanë se personi kishte leje të përdorte makinën për arsye teknike, për kontrolle teknike. Personi në fjalë na u tha që ishte këshilltar i jashtëm i ambasadës shqiptare, tha Fridrish duke shtuar se sido që të jetë, ai nuk kishte imunitet për të përdorur makinën.
Për më tepër, Fridrish thotë se i ngarkuari me punë në ambasadën tonë, Genc Peçani i ka kërkuar të përgënjeshtrohet artikulli.
Unë e refuzova sepse nuk dua të përgënjështroj artikuj ku unë nuk jam autor. Ambasada nuk ka dhënë arsyetime bindëse për këtë person, tha Fridrish. Sipas meje makina e ambasadës është keqpërdorur, shtoi ai.
Ndërkohë i ngarkuari me punë në ambasadën tonë thotë se gazeta që ka botuar lajmin ka botuar një përgenjeshtrim. Kurse konsullja Katerina Xhelo thotë se Saraçi është shpallur i pafajshëm sepse nuk janë gjetur prova. Zoti Saraçi është shpallur i pafajshëm në mënyrë të prerë pa nevojë për apelim, tha Xhelo.
Bashkëshortja e Agim Saraçit, Anila Saraçi Morina është deputete në parlamentin kosovar.