Pavarësia është minimumi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur më ndryshe se herëve të tjera sa i përket temës për ndryshim kufijsh dhe shkëmbim territoresh, e hapur nga politikanë në Beograd.
Për herë të parë, Thaçi ka thënë se pavarësia e Kosovës është minimumi i të drejtës historike të shqiptarëve të Kosovës.
Në këtë mënyrë, Thaçi u është kundërpërgjigjur ideve të zyrtarëve serbë për ndarjen e Kosovës. Zëvendëskryeministrit serb, Ivica Dacic ka thënë dje se Serbia dhe Shqipëria është dashur ta ndajnë Kosovën.
“Pavarësia e Kosovës është minimumi i së drejtës historike të shqiptarëve dhe nëse pretendohet të hapen tema çfarë po ngritën së diskutuari medialisht, Prishtina në momentin që do të hap tema, Beogradi nuk do të mund t’i mbyllë kurrë. Por ne jemi të përcaktuar për paqe stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euroatlantike”, ka thënë Thaçi, të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë.
Shefi i Qeverisë ka folur shkurt sa i përket idesë për ndryshim të kufijve.
“Ritheksojmë fuqishëm se në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim, nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim territoresh, nuk do të ketë autonomi në veri por integrim territorial dhe gjithë-etnik, nuk do të ketë ndryshim kufijsh”, është zotuar Thaçi.
Ai ka këshilluar liderët serbë t’ju tregojnë serbëve kosovarë se çka është për ta Prishtina.
“Beogradi duhet t’u thotë troç serbëve në veri të Mitrovicës se ajo pjesë është territor i Kosovës dhe se ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe kryeqytet i tyre është Prishtina”.
Në anën tjetër, zyrtari serb, Ivica Dacic, i cili është Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Brendshëm i Serbisë ka dalë me një ide të re për sa i përket territorit të Kosovës. Ka thënë se Serbia dhe Shqipëria duhet të merren vesh për ndarjen e Kosovës.
“Kemi bërë përpjekje që me luftë ta mbrojmë Kosovën, por nuk ia dolëm. Prandaj flas për ndarje, derisa të mos bëhet vonë. E ndarje do të thotë ndreqje kufijsh ndërmjet dy shteteve fqinje – Serbisë dhe Shqipërisë”, ka deklaruar Ivica Dacici, për revistën NIN.
Sipas vlerësimeve të Dacicit, Serbia ka gabuar pasi për Kosovën nuk ka biseduar me Shqipërinë.
“Është i nevojshëm caktimi i kufijve ndërmjet Serbisë e Shqipërisë, ky është opsioni i vetëm real. Serbia nuk është dashur të pranonte asnjë negociator tjetër, pos Shqipërisë. A jemi vërtet aq naivë e të mendojmë se Kosova në të vërtetë do të mbetet si shtet në vete dhe i pavarur”, ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri serb ka tërhequr paralele ndërmjet Kosovës dhe Republikës Serbe të Bosnjës.
“Shikoni ju lutem, nëse nesër Republika Srpska me referendum merr vendimin për shkëputje, çfarë do të jetë ajo? Shtet i pavarur, apo do të marrë vendimin për bashkim dhe jetë të përbashkët me Serbinë... Është normale, pasi që është i njëjti popull. E çfarë të thuhet tani për Prishtinën e Tiranën se jetojnë shqiptarë të ndryshëm? Ata tani na flasin për Kosovën multietnike?! Popullit tonë nuk i nevojiten përrallat për jetën multietnike”, është shprehur Dacic.
Mirëpo, deklaratat e Dacicit për homologun e tij nga Kosova Hajredin Kuçi janë iluzion.
“Unë mendoj që secili shtet, në këtë rast edhe shteti i Kosovës ndaj të tjerëve, apo edhe ndaj shqiptarëve që janë jashtë kufijve tonë, nuk duhet të krijojmë iluzione, të cilat nuk mund të realizohen”, ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se Prishtina nuk është e interesuar as të futet në debat për ndryshim kufijsh, ngase tema të tilla “shumëfish më shumë do t’i kushtojnë Serbisë, si në kuptimin politik, ashtu edhe në kuptimin moral”.