E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku i pickimit

Banorët e gjashtë komunave të Kosovës janë duke u përballur me sëmundjen e tularemisë apo thënë më thjesht atë të pickimit nga brejtësit.

Klinika Infektive ditëve të fundit është vërshuar nga pacientët të shumtë, të cilët dyshohet se janë prekur nga sëmundja e tularemisë.

Banorët e Skenderajt kanë qenë të parët që kanë filluar njëhërit të kërkojnë ndihmë në qendrat e Mjekësisë familjare në këtë komunë, për t`u udhëzuar urgjentisht që të hospitalizohen në Qendrën Klinike Universitare, saktësisht në Klinikën Infektive.

Drejtori i kësaj klinike, Profesor doktor Shemsedin Dreshaj, ka konfirmuar për Express se muajt e fundit është shtuar dukshëm numri i pacientëve që dyshohet të jenë pickuar nga brejtësit.

Sipas Dreshajt, pas Skenderajt, janë banorët e Drenasit, Lipjani, Podujevës, Vitisë e Fushë-Kosovës, të cilët çdo ditë kërkojnë ndihmë në Klinikën Infektive.

“Aktualisht janë të spitalizuar 12 raste të dyshimta, ndërsa vetëm gjatë ditës së djeshme janë ndaluar 4 raste të dyshuara nga tularemia”, thotë Dreshaj duke rikujtuar se pacientët vijnë kryesisht nga komunat e përmendura.

Tularemia, sipas Dreshajt, është një sëmundje akute infektive, e shkaktuar nga një baktere, e cila te njerëzit bartet nëpërmjet brejtësve, kryesisht nëpërmjet ushqimit dhe ujit.

Tularemia, sipas infektologëve, manifestohet në mënyra të ndryshme klinike si dridhje, ethe, kokëdhembje, shtangim të nyjave, dhembje të muskujve, djersitje, e të tjera, por rastet më të shpeshta kanë të bëjnë me rritjen e gjëndrave limfatike.

“Kjo sëmundje nuk ka ndonjë grupmoshë të caktuar, i prek njerëzit që janë më aktivë, ata të cilët punojnë në sipërfaqe të hapur në fushë ose me kafshë”, thotë ai.

Sipas statistikave dhe analizave, kjo sëmundje kryesisht prek njerëzit e moshave 20 deri në 40 vjeç, por duke mos përjashtuar edhe fëmijët dhe të moshuarit.

“Muajt e fundit në Klinikën Infektive numri i rasteve me tulatemi që kërkojnë ndihmë, ka filluar të shtohet. Rastet e para kanë të bëjnë me regjionet e Skenderajt dhe Vitisë, ndërsa më vonë kjo sëmundje ka filluar të zgjerohet edhe në regjionet e tjera”, thotë Dreshaj.

Një pacient i prekur nga kjo sëmundje, e që është i shtrirë në Klinikën Infektive, dyshon se si është prekur me këtë sëmundje nga uji.

“Edhe mjekët këtu po dyshojnë se unë jam sëmurë nga uji që kam pirë nga bunari që kam në shtëpi, i kontaminuar nga brejtësit’, thotë ky pacient nga Fushë-Kosova, pa dashur t`i përmendet emri.

Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe ai është duke u spitalizuar me terapinë adekuate që ka të bëjë në rastet kur një person mund të preket nga tularemia.
Shemsedin Dreshaj tregon se kjo sëmundje tejkalohet përmes antibiotikëve siç janë gentamicine, antibiotikë të grupit të tetraciklinave ose të makrolideve që kanë efekt të mirë ndaj kësaj sëmundjeje.

“U rekomandojmë banorëve të këtyre regjioneve, po edhe të vendeve të tjera të kenë kujdes me higjienën personale, përpunim termik të ushqimit dhe t`u ikin sa më shumë kontakteve me brejtësit’ apelojnë mjekët në Klinikën Infektive

Mjekët e kësaj klinike po ashtu kanë thënë se njerëzit duhet ta mbajnë ushqimin në vende të sigurta dha ta vlojnë ujin para se ta përdorin, nëse atë e marrin nga bunaret.
Sipas mjekëve, shërimi nga kjo sëmundje zgjat tri deri në 10 ditë.

Fakte:
- Vetëm 10-50 mikrobe mjaftojnë për të shkaktuar sëmundje te njeriu, nëse inhalohen apo futen nëpër lëkurë, kurse për rrugën orale të infeksionit kërkohet një numër shumë i madh i tyre, 108.
- Rezervuarë parësorë të tularemisë janë minjtë, brejtësit, lepujt, rriqrat etj. Njeriu më së shpeshti preket nga tularemia përmes thumbimit të insekteve ose pas kontaktit me indet e kafshëve të sëmura.
- Streptomicina është medikament i përzgjedhur për të gjitha format e tularemisë. Rastet e pamjekuara kanë shkallë të vdekshmërisë prej 5-15%. Ekziston një vaksinë nga mikrobet e gjalla të dobësuara, por përdoret vetëm te personat që janë të rrezikuar. Imuniteti ndaj sëmundjes duket se është qelizor. Në masat parandaluese bëjnë pjesë shmangia e përpunimit të indeve të kafshëve të infektuara, kujdesi për rriqrat dhe shfrytëzimi i burimeve të pastra të ujit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›