E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjobë" 2 mijë euro kushëririt për të mos i vrarë vajzën

DOSJA
Prokuroria dërgon për gjykim Roland Markun nga Lezha, të akuzuar për "shtrëngim për dhënie pasurie"


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet mbylli fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të të pandehurit Roland Marku, i akuzuar për "Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë" dhe "Kundërshtimit të punonjëseve të policisë së Rendit Publik" në momentin e arrestimit.


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të organit të akuzës dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, të cilët konfirmuan se dosja penale me nr. 76 është administruar në kryesekretari dhe pritet të hidhet në short elektronik për të përcaktuar pesëshen gjykuese të çështjes.


"Gjatë hetimeve tremujore të dosjes, është arritur të provohet se i pandehuri Roland Marku i hetuar me masën e sigurisë "arrest shtëpie", ka konsumuar veprën penale të "Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë" ndaj kushëririt të tij me inicialet P.M. nga fshati Kune të Rrethit Lezhë, duke i kërkuar kundrejt kërcënimit për vrasjen e të bijës 2 mijë euro.


Gjithashtu, në momentin e arrestimit, Marku ka kundërshtuar forcat e policisë të cilët po tentonin ta ndalonin në oborrin e kushëririt të tij, ku kishte shkuar për t'i marrë lekët prej 2 mijë eurove të kërkuara në formë "gjobe"-thuhet në kërkesën për gjykim të përpiluar nga prokurorja Elisabeta Imeraj.


Sipas dosjes, mësohet se ka qenë data 26 nëntor 2009, aty rreth orës 14:30 min apo 15:00 të drekës, kur i pandehuri Roland Marku ka vajtur në shtëpinë e kushëririt të tij me inicialet P.M. që ndodhet në fshatin Kune të Rrethit Lezhë.


Pasi ka vajtur në banese, i ka kërkuar kushëririt të tij një shumë parash në masën prej dymijë eurosh. Këtë shumë parash, sipas dosjes, i pandehuri ia kishte kërkuar edhe para disa ditësh shtetasit P. M.


Gjatë kohës që i kërkonte shumën e parave, i pandehuri ka ngritur zërin dhe ka filluar të kërcënojë kushëririn e tij i cili nuk ka pranuar t'i japë shumën e parave të kërkuara.


Në bisedë e sipër, pas refuzimit për t'ia dhënë 2 mijë euro, i pandehuri ka kërcënuar kushëririn që nëse nuk ia jepte paratë do t'i merrte jetën të bijës së tij.


Në kohën që mes tyre ka vazhduar debati, familjarët e tjerë të P.M.-së kanë lajmëruar policinë, e cila sapo ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë për ta normalizuar situatën mes dy kushërinjve. I pandehuri në këtë momente ka kundërshtuar forcat e policisë, duke mos iu bindur urdhrit për të hipur në furgonin e policisë.


Ai është shoqëruar më pas në policinë e Lezhës, ku pas tre ditë me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, i pandehuri Marku është izoluar në ambientet e shtëpisë së tij me masën e sigurisë "arrest shtëpie", duke refuzuar edhe akuzën e ngritur nga prokuroria.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›