E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhje masive në Vlorë, Durrës e Lezhë

Mbi 18 banesa janë vjedhur në fshatrat bregdetarë të Vlorës, ndërkohë që nuk ka asnjë autor të identifikuar

Adoleshentët në qytetin e Lezhës përbëjnë numrin më të madh të të prangosurve për vjedhjet e kryera


Vjedhjet e banesave kanë filluar të kthehen në një problem pothuajse në të gjithë vendin. Kështu, në Vlorë mbi 18 banesa rezultojnë të vjedhura ditët e fundit, ndërkohë që në Lezhë policia ka vënë në pranga tre adoleshentë për vjedhjet e radhës.


Po kështu edhe në qytetin bregdetar të Durrësit vjedhjet vijojnë të jenë problem, ndërkohë që dje policia ka mundur të shmangë grabitjen e radhës.


Vlorë, probleme në Dhërmi e Vuno


Prej disa ditësh banorët e zonës së bregdetit nga Dhërmiu e Vunoi ndihen të kërcënuar nga vjedhjet masive që u janë bërë banesave të tyre nga njerëz ende të paidentifikuar. Rreth 18 shtëpi tashmë janë të bastisura nga grabitës që, sipas banorëve të zones, mendohet të jenë rreth tre dhe që veprojnë sapo bie nata.


Banorët e fshatit Vuno thonë se pasi shqyejnë dyert e shtëpive, hajdutët hyjnë brenda e marrin të gjitha orenditë që kanë vlerë, por nuk mungojnë e grabitjet e sobave të vogëla, orendi shtëpiake etj.


Në zonën e Vunoit janë të pakta shtëpitë e banueshme në dimër, pasi ato shfrytëzohen vetëm gjatë sezonit veror. Ka dhe nga ato shtëpi pronarët e të cilëve largohen jashtë vendit.


Banorët shprehen se janë të frikësuar dhe tepër të shqetësuar për shtëpitë e tyre, si dhe për vetë sigurinë e jetës së tyre kur janë të vetëdijshëm që policia e shtetit në këtë zonë mungon. Ata shprehen se pas mesnate kanë dëgjuar veprimet e hajdutëve që kanë shpërthyer banesat, por kanë pasur frikë.


Lezhë, adoleshentë në pranga


Ndërkohë, policia e Lezhës ka vënë në pranga tre adoleshentë përgjatë ditës së djeshme. Vjedhjet me thyerje në bashkëpunim po shfaqen dukshem në të tre rrethet e qarkut të Lezhës, ku autorët janë kryesisht adoleshentë të moshave 16-18 vjeç. Jo vetëm dyqanet apo shtëpitë e banimit, por edhe shkollat po bëhen pre e grabitjeve.


Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës kanë bërë të ditur se gjatë ditës së premte është organizuar dhe kurorëzuar me sukses operacioni i koduar "Enter" duke vënë në pranga 3 adoleshentë të dyshuar për vjedhje.


Sipas policisë, 16-vjeçari me inicialet G.K. akuzohet për vjedhjen e disa kompjuterave në shkollën e Torovicës, ndërsa 2 adoleshentët 17-vjeçar me inicialet L.M dhe A.B akuzohen si autorë të vjedhjes së disa kioskave në qytetin e Lezhës. Materialet i kanë kaluar prokurorisë.


Durrës, parandalohet vjedhja


Gjatë natës së kaluar një grup personash numri i të cilëve nuk është i ditur për shkak se autorët ende nuk janë zbuluar, kanë vjedhur një makine të parkuar në afërsi të ndërmarrjes së elektrikut dhe me të më pas kanë tentuar që të vjedhin një dyqan në lagjen nr 6 të Durrësit.


Ata janë afruar dhe kur kanë tentuar që të çajne me mjete metalprerëse grilat metalike të dyqanit, janë konstatuar nga policia, çka i ka bërë të largohen duke lënë pas edhe automjetin e vjedhur. Sipas policisë, autorët nuk janë identifikuar ende, ndërkohë që janë marrë gjurmët e gishtërinjve të lëna në vendngjarje.

Shtimi i popullsisë në këtë qytet si dhe kriza ekonomike e shoqëruar me papunësi kanë bërë që të shtohet ndjeshëm numri i vjedhjes së banesave, lokaleve dhe automjeteve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›