Rreziku kur provoni produktet kozmetike “tester”
Të pakta janë femrat që do të kalonin para një rafti ku shiten produkte kozmetike dhe nuk do të tundoheshin të provonin produktet e ofruara si “tester”. Megjithatë, ne shpresojmë që pas leximit të këtyre pak rreshtave gjithkush do të mendohet dy herë para se ta përsëriste këtë veprim...
Pamja e një produkti kozmetik lehtësisht të aksesueshëm fton këdo të provojë në fytyrën e vet një të kuq buzësh, fondatinë, rimel apo krem hidratues.
Aplikimi në lëkurë i një produkti prove mund të jetë më i rrezikshëm se sa mendohet! Mendoni një situatë të tillë. A do të ishit të gatshëm që, në jetën e përditshme, të lejonit çdo person që kalon në rrugë të përdorë produktet tuaja kozmetike?
Produktet
Pudra e presuar, pudra, tonet e syve dhe të mollëzave kanë riskun më të vogël për tu kontaminuar sepse mikrobet nuk rriten në këto produkte. Të gjithë këto produkte janë më të sigurtat për të “luajtur” në një raft produktesh kozmetike. Për të rritur edhe më tej sigurinë shtresa e parë e produktit mund të largohet me një pambuk të pastër para se të aplikohet përmbajtja direkt në fytyrë.
Problematikët
I kuqi dhe shkëlqyesi i buzëve janë më problematikë. Nëse ju intereson t’i provoni këto produkte, kërkoni nga shitësi pak alkool ose dizinfektant tjetër. Ju mund të dizinfektoni majën e të kuqit të buzëve ose aplikatorin e shkëlqyesit dhe pasi ta lini disa sekonda të testoni produktin. Rimeli nuk duhet testuar në asnjë mënyre në produktet e provës. Mënyra e aplikimin dhe vetë aplikatori janë nga vendet më të përshtatshme për ndotjen nga mikrobet. Në rastin kur ofrohen aplikatorë me një përdorim, mundësia për tu infektuar është më pak e ulët. Gjithsesi duhet kujdes pasi persona të caktuar mund ta përdorin aplikatorin më shumë se një herë për të marrë material.
Testimi
Lapsat e syve duhen testuar në dorë dhe jo në sy. Penelat e syve, të cilët janë pothuajse gjithmonë në formë të lëngshme, përbëjnë edhe rrezikun më të madh. Në se përdoren nga më shumë se një person, këto produkte përbëjnë një terren ku bakteret mund të shumëzohen lirisht. Fondatina duhet testuar në faqe sa më lart syve dhe gojës. Edhe këtu duhet përdorur gjithmonë një sfungjer një përdorimësh. Korrektorët ose çdo produkt tjetër në tubet duhet përdorur duke shtrydhur dhe hedhur një sasi të vogël produkti para se të testohet pjesa tjetër në lëkurë. Kjo sepse pjesa që është në kontakt me ajrin është më e rrezikuar për të qenë e infektuar.
BOX
Rregullat për vetulla të përsosura
Vetullat mund të jenë të dendura, të trasha, apo elegante të holla, por sido që të jetë, ato duhet të mirëmbahen vazhdimisht. Ne ju sjellim këshillat e stilistes së njohur amerikane Carmindi, e cila ka shkruar edhe një libër në këtë temë, “Crazy Busy Beautiful“. Ajo zbulon hapat për të pasur vetulla të përsosura.
Krehja
Para se ta merrni pincën për shkuljen e vetullave, merreni krehrin e vogël të vetullave dhe krihni ato nga poshtë-lart.
Këtë mund ta bëni edhe me brushë të rimelit. Të gjitha qimet e vetullave që janë më të gjata, duhet prerë me gërshërë të vogla.
Duhet të keni dy lloje të pincave: një me maje të mprehtë, e cila është e përshtatshme për qimet e shkurtra, e tjetrën me maje të pjerrtë, e cila është e përshtatshme për qimet e trasha.
Forma e rregullt
Para se të filloni me shkuljen e vetullave, me anë të një shkumësi të bardhë bëni një shabllon, respektivisht vizatoni formën e vetullave që doni ta keni. Po ashtu, me rëndësi është edhe që ta përshtatni gjatësinë e vetullave me linjat e fytyrës suaj. Vetullat do të duhej të fillonin në rrënjën e hundës dhe të vazhdojnë deri në fund të syve.
Mbushni hapësirat
Në mënyrë që të mbushni si duhet ndonjë mangësi në dendësinë e vetullave, sa për fillim duhet të zgjidhni tonin e duhur të shkumësit me të cilin do ta bëni këtë. Biondet do të duhet të përcaktohen për një ton të ngjashëm me pjesën më të errët të vetullave, femrat e thinjura duhet të përdorin tone për ta larguar përshtypjen e monotonisë nga fytyra e tyre, leshkuqet duhet të përcaktohen për nuanca të ngjashme me ngjyrën e flokëve të tyre, kurse zeshkanet për një nuancë më të çelë sesa ngjyra e flokëve.
Përfundimi
Kur të keni mbushur zbrazëtitë e vetullave, në mënyrë që të dukeni sa më bukur, përdorni xhel të tejdukshëm për vetulla.
Po ashtu, nëse ju paraqitet ndonjë vend i skuqur, në këtë vend duhet të aplikoni pak korrektor.
22 Gusht 2010