E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subvencioni i teksteve shkollore, ja nxënësit përfitues



Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përcaktuar kategoritë e nxënësve që përfitojnë nga subvencionimi i teksteve shkollore në arsimin parauniversitar. Udhëzimi i MASH sqaron se cilat janë kushtet që duhet të plotësojnë nxënësit, të cilëve do t’u kompensohen tekstet shkollore. Nesër nis regjistrimi i nxënësve në arsimin parauniversitar ndërkohë që shpërndarja e teksteve do të bëhet pas tre ditësh. Udhëzimi i Ministrisë përcakton gjithashtu dokumentet që duhet të dorëzojnë për t’u regjistruar nxënësit e klasës së parë dhe nxënësit e klasës së dhjetë.
Tekstet
Tekstet shkollore subvencionohen nga shteti në masën 100 për qind për nxënësit e arsimit 9 vjeçar ose të mesëm, që plotësojnë këto kushte; kanë statusin jetimit, vijnë nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie nga zyrat e punësimit. Po kështu përfitojnë nxënësit, kur kryefamiljari përfiton pension invaliditeti dhe në familje nuk kanë anëtarë të punësuar ose të vetëpunësuar. Tekstet kompensohen dhe kur kryefamiljari përfiton pension pleqërie shteti dhe ka fëmijët në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura. Subvencionohen nga shteti me tekste nxënësit që vijnë nga familje që kanë përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë dhe nuk kanë anëtarë të tjerë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat. Pas blerjes së teksteve shkollore familjarët dorëzojnë në drejtorinë e shkollës faturat ose ndryshe kuponin tatimor te blerjes. Drejtoria e shkollës për nxënësit që plotësojnë këto kushte si dhe për nxënësit e minoritetet grek ose maqedonas, harton listat për çdo klasë dhe për të gjithë shkollën dhe brenda datës 15 shtator i dërgon në DAR/ZA. Nga MASH bëhet e ditur se tekstet për fëmijët e familjeve ku paga e kryefamiljarit është nën masën 30 mijë lekë do të subvencionohen në masën 50 për qind. Për kategoritë me asistencë, apo dhe disa kategori të tjera, librat do të subvencionohen në masën 100 për qind. Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit përcakton sesi duhet të procedohet me shpërndarjen e librit shkollor. Në çdo shkollë sigurohen të paktën dy mjedise për shpërndarjen e teksteve nga shtëpitë botuese, librat e të cilëve janë përzgjedhur Në Katalogun e Altertekstit 20110. Këto mjedise do të funksionojnë për këtë qëllim deri kur të përfundojë pajisja e të gjithë nxënësve me tekste shkollore.
Udhëzimi
Udhëzimi i MASH nxënësit e klasës së parë dhe nxënësit që këtë vit do të bëhen pjesë e shkollave të mesme duhet të dorëzojnë të gjitha dokumentet deri ditën kur nis fillimi i procesit mësimor. Procedurat e regjistrimit në arsimin parauniversitar do të bëhen brenda afateve të përcaktuara nga MASH dhe me dokumentet përkatëse për nxënësit që regjistrohen për herë të parë në shkollë. Për fëmijët që regjistrohen për herë të parë në klasën e parë të sistemit arsimor do të ndiqen të njëjtat procedura si dhe një vit më parë. Për regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë, prindërit duhet të dorëzojnë këto dokumente, një certifikatë me fotografi, një dokument mjeko-ligjore, ku thuhet se fëmija ka kryer, vaksinat. Po kështu duhet vërtetim që nuk ke detyrime nga kopshti, si dhe një vërtetim që je banor lagjeje. Edhe në regjistrimet për pranimet e nxënësve të klasave të dhjeta, procedura e regjistrimit do të bëhet me këto dokumente, një certifikatë të nxënësve dhe dëftesën e shkollës 9-vjeçare. Ministria u ka kërkuar Drejtorive Arsimore në Rrethe, që në bashkëpunim me pushtetin vendor duhet të sigurojnë regjistrimin e nxënësit në përshtatje me vendbanimin e tyre. Sipas udhëzimit të MASH, regjistrimi në shkollat e mesme do të bëhet në përshtatje me vendbanimin e tyre për balancuar numrin e nxënësve që mësojnë në shkolla të ndryshme.

Nxënësit e arsimit parauniversitar që përfitojnë subvencionim të librave në masën 100 për qind

a)kanë status ligjor të jetimit

b)vijnë nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike

c)kryefamiljari përfiton pension invaliditeti dhe nuk ka anëtarë të punësuar ose të vetëpunësuar

d)kryefamiljari përfiton pension pleqërie shteti dhe ka fëmijët në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura

e)vijnë nga familje që kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose bërë të tillë dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat

f)nxënësit e minoritetit grek ose maqedonas

Subvencionim në masën 50 për qind

Tekstet për nxënësit e familjeve ku paga e kryefamiljarit është nën masën 30 mijë lekë do të subvencionohen në masën 50 për qind

Udhëzimi i MASH: Të zëvendësohen psikologët që nuk kanë arsimin përkatës

Psikologët që ofrojnë shërbimin psikologjik në arsimin parauniversitar dhe nuk kanë arsimin përkatës do të zëvendësohen. Nëpërmjet një udhëzimi për mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor 2010-2011, Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka kërkuar Drejtorive Arsimore Rajonale të marrin të gjitha masat që në fillim të viti të ri shkollor të kenë zëvendësuar të gjithë psikologët që nuk kanë arsim përkatës sipas udhëzimit”Për funksionimin e shërbimit psikologjik shkollor në sistemin arsimor parauniversitar”. Specialisti i shërbimit psikologjik duhet të ketë përfunduar studimet universitare në degën e psikologjisë apo të jetë mësues me specializim pasuniversitar në këto fusha. Në mungesë të tyre, deri tani janë përzgjedhur specialistë të shkencave social-politike ose degëve të tjera të përafërta me to, të cilëve me udhëzimin e MASH tani u hiqet kjo e drejtë . Po kështu MASH kërkon që të sigurohet kabineti i shërbimit psikologjik dhe pajisjen e tij në të gjitha shkollat që ofrojnë këtë shërbim. Në çdo shkollë ku funksionon shërbimi Ministria udhëzon që të ngrihet grupi i mbështetjes së psikologut. Në të gjitha DAR/ZA-të duhet të planifikohet dhe të dorëzohet raporti i veprimtarisë gjithëvjetore i shërbimit psikologjik në shkollë. Mbetet ende i lartë numri i shkollave të mesme dhe 9-vjeçare ku mungon shërbimi psikologjik.

Drejtuesit e qendrave shëndetësore të lagjes, apel qytetarëve të zbatojnë sistemin e referimit

Në poliklinikat dhe urgjencat e lagjes në shumë zona të Tiranës numri i personave që kërkojnë të marrin ndihmën e parë, është i konsiderueshëm por përsëri sipas drejtuesve të këtyre qendrave situata është nën kontroll. Gjë që nuk mund të thuhet se ndodh edhe në Qendrën Spitalore Universitare më të madh në vend. Prej javësh tashmë në QSUT, fluksi i pacientëve sa vjen e rritet çka shkakton një situatë kaotike aty. Mjekët, e pavijoneve të ndryshme, shprehen se nuk është e nevojshme t’u drejtohesh spitaleve për të kryer thjesht një kontroll të përgjithshëm, të cilin mund kryesh shumë herë më shpejt dhe po me të njëjtin profesionalizëm edhe në të gjitha qendrat shëndetësore të lagjes. I të njëjtit mendim janë edhe drejtuesit e këtyre poliklinikave. Sipas tyre të gjithë qytetarët duhet të respektojnë sistemin e referimit, pra fillimisht t’i drejtohesh mjekut të familjes dhe vetëm me rekomandimin e tij dhe nëse ai e konsideron të nevojshme pacientët duhet të marrin trajtim të mëtejshëm në spital apo qendra shëndetësore më të specializuara. Por për aq kohë sa simptomat janë ato të një gripi të zakonshëm, virozëve të stinës, apo helmimit me orgjinë ushqimore pacientët duhet t’iu drejtohen qendrave shëndetësore të lagjes ku do të marrin dhe ndihmën e parë nga mjeku i përgjithshëm por edhe nga mjekët specialistë. Me zbatimin e sistemit të referimit, të gjitha qendrat shëndetësore disponojnë stafin dhe medikamentet e nevojshme për t’iu dhënë të gjithë të sëmurëve ndihmën e parë.

22 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›