Personaliteti i nobelistes Nënë Tereza në disa këndvështrime
Në kuadër të programit të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare gjatë seminarit të 29-të organizohet tryeza shkencore ku në qendër të saj këtë radhë ka 100- vjetorin e nobelistes Nënë Tereza. Kjo tryezë shkencore kësaj here i është kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Nënën Terezë, e cila tashmë njihet edhe epitetet, si ‘Nëna e Dashurisë’ e ‘Nëna e Botës’. Rreth figurës grandioze të nobelistes me origjinë shqiptare, me kumtesa u paraqitën studiuesit: Don Lush Gjergji, Jusuf Bajraktari, Aljula Jubani-Bengu dhe Anton Nikë Berisha. Përveç studiuesve, seminaristëve dhe të tjerëve, të pranishëm ishin edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i Republikës së Kosovës, Lutfi Haziri dhe ipeshkvit të Kosovës imzot Dodë Gjergji. Në fjalën e tij përshëndetëse, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji tha se ndonëse Nëna Terezë nuk e kishte konsideruar veten të lindur për takime dhe kongrese, ajo ishte takuar për të folur me njerëzit e mëdhenj të botës në kongrese dhe tubime ndërkombëtare, të pranonte nderime dhe shpërblime tejet të larta, deri te Çmimi Nobel për Paqe në vitin 1979, të paraqitej në editoriale të gazetave, në ekrane televizive të mbarë botës. Më tej ai solli edhe një porosi dhe urti me shumë vlerë të Nënë Terezës.
Pjesëmarrësit e Tryezës shkencore i përshëndeti edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës, Lutfi Haziri. Ai tha se nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Qeveria ka ndërmarrë një hap të tillë për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së nobelistes së parë shqiptare, Nënës Terezë, këtij përvjetorit të madh në koordinim më të gjitha institucionet e vendit. Ju përmes kësaj tryeze bëni nder të veçantë për përkushtimin tuaj karshi veprës së madhe që ka pasur Nëna Terezë. Haziri bëri thirrje që me angazhimin tonë së bashku të ecim gjurmëve të saja, veprave të saj, humanizmit, që ndaj të gjithëve që kanë nevojë edhe në Kosovë ta kenë kujdesin tonë, ta kenë mëshirën dhe përkushtimin që të jetojnë më mirë se dje. Don Lush Gjergji, mbajti ligjëratën “Misionare për dashuri – Nëna Terezë (1910-1997)”. Risia e parë e Nënës, tha ai, ishte universalizmi në çdo kuptim dhe drejtim. Risia e dytë e saj është vuajtja, pësimi, mjerimi, varfëria, gërbula, sida si dhe çdo pësim tjetër nuk është mallkim, dënim i Zotit, por hir, mundësi për ta treguar dashurinë ndaj Jezusit që vuan në njerëz të tillë. Risia e tretë – është dhurimi falas dhe në tërësi, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe falënderim. Për këtë Nëna jonë Terezë ishte dhe gjatë do të mbesë Ungjilli i gjallë, risia ungjillore dhe Misionarja e Dashurisë, Nëna e botës së mjerimit. Së fundmi, Bija dhe Motra shqiptare, Nëna e botës do të lutet dhe do të nderohet nga mbarë bota pa kurrfarë dallimi si Shenjtëresha e Dashurisë. Në kumtesën e tij me titull “Dimensioni historik i figurës së Nënë Terezës”, Jusuf Bajraktari veçoi tre faktorë themelorë, të cilët e determinojnë në mënyrë më të plotë figurën madhore të Nënë Terezës në historinë tonë moderne. Sipas tij, ato janë: origjina, vendi, koha kur u lind dhe u formua Nëna Terezë, karakteri, orientimi dhe vepra e Nënë Terezës, si dhe kontributi madhor i saj për njerëzimin dhe reflektimi i veprës së saj në historinë tonë. Më tej, ky studiues foli rreth emrit që bëri Nënë Tereza në arenën ndërkombëtare, “emër ky që ngriti me meritë prestigjin e shqiptarëve në piedestal të lartë dhe për këtë ne si popull dhe si gjeneratë duhet të jemi krenar që patëm një figurë e cila jetoi dhe veproi në kohën tonë”. Nënë Tereza qe një misionare aktive për të cilën nuk ishte e mjaftueshme të shpallte idetë e mësimet e Jezu Krishtit, ajo donte t’i shihte ato të realizuara, prandaj u bë misionare e veprimit, misionare e ndryshimeve dhe krijimeve të guximshme, duke shërbyer Zotit dhe njerëzve, tha në kumtesën “Nënë Tereza: ‘Bëni gjëra të vogla me dashuri të madhe” autorja Aljula Jubani-Bengu. Sipas saj, Nënë Tereza me jetën e saj, na fton të bëjmë çdo gjë me dashuri e në heshtje, pa zhurmë e pa kërkuar merita, më mirë një vepër e heshtur bamirësie, se një dëshmi mirënjohjeje. “Personalitete të shquara për Nënën Terezë” titullohej kumtesa e Anton Nikë Berishës. Ai tha se figurën dhe veprën e Nënës Terezë më së miri e shprehin dhe e përligjin veprimet konkrete të saj për njeriun, sidomos për të varfrit e më të varfërve, për të mjerët e të harruarit nëpër rrugë, për të cilët nuk kujdesej askush për arsye se merreshin si të “pavlerë” dhe barrë e tepërt shoqërore” si dhe tekstet e ndryshme, tekstet e lutjeve dhe letrat, një pjesë e të cilave tashmë janë bërë publike. Berisha solli mendime dhe vlerësime për këtë figurë të përndritur të krishterimit dhe të mbarë njerëzimit nga Papa Gjon Pali II, kryeministres së Indisë Indira Gandi, shkrimtari, gazetari, regjisori i shquar dhe ushtaraku i lartë anglez dhe rektori i Universitetit të Edinburgut, Malcolm Muggeridge, i cili nuk ishte i krishterë, dhe të Motrës Mary Nirmala Joshi, pasardhësja e parë pas Nënës Terezë në drejtimin e Misionareve të Dashurisë. Në përfundim të tryezës shkencore seminaristët vizituan katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë.
Berisha, vlerëson zbulimin më të fundit në Apoloni
Kryeministri Sali Berisha ishte dje në Muzeun Arkeologjik në Qendrën e Studimeve Albanologjike, për të parë nga afër zbulimin arkeologjik më të fundit të bërë në Apoloni. Arkeologët shqiptarë në bashkëpunim me arkeologë francez, kanë zbuluar bustin e një aristokrati nga Apolonia, që i përket gjysmës së dytë të shekullit të II pas Krishtit. Ky prezantim iu bë Kryeministri Berisha nga Profesor Jean-Luc Lamboley, bashkë drejtori francez i ekspeditës së përbashkët shqiptaro – franceze të Apolonisë, i cili theksoi se ky zbulim, fryt i një bashkëpunimi të gjatë shqiptaro – francez në këtë qendër arkeologjike, është një kryevepër, një nga skulpturat më të bukura të repertorit botëror të periudhës romake të shekullit të dytë të erës sonë dhe një dëshmi tjetër e zhvillimit të lartë kulturor të Apolonisë në kohën e artë të lulëzimit të saj në shekullin e dytë pas Krishtit. Kryeministri tha se ky zbulim ka vlerë të paçmueshme dhe të jashtëzakonshme . “Vlerat e tij janë të jashtëzakonshme në rrafshin krijues, skulptural, artistik, në rrafshin historik, por gjithashtu janë akoma më të mëdha, si dëshmi e përjetësisë së kombit shqiptarë” theksoi ndër të tjera Kryeministri.
Vidhet skulptura e Salvador Dalit në Bruges
Skulptura e quajtur “Gruaja sirtar” e artistit spanjoll Salvador Dali, e vlefshme mbi 100 mijë euro, është vjedhur në mes të ditës nga një ekspozitë në qytetin belg Bruges. Sipas shtypi lokal, skulptura është vjedhur nga një mashkull, i cili ka blerë biletën për ekspozitë. Ai pa u vërejtur e ka ndarë statujë nga bazamenti, e ka fshehur në çantë dhe papenguar është larguar nga vendi i ngjarjes. Skulptura “Gruaja sirtar”, të cilin piktori dali e ka krijuar në vitin 1964, është e gjatë rreth 50 cm. dhe e rendë mbi 10 kg. Sipas pohimeve të policisë së Bruges, vlera e statujës sillet ndërmjet 100 000 dhe 120 000 euro. Vjedhjen e kanë regjistruar kamerat e sigurisë dhe policia është duke i analizuar xhirimet e bëra, ka njoftuar agjencia Belga.
22 Gusht 2010