E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku nga lufta qytetare

Janë bërë më shumë se dy muaj që kur luftëtarët kundër regjimit e kapën, dhe e vranë ish-diktatorin libian, Muammar Gaddafin. Por, Këshilli Transitor Kombëtar (NTC) që udhëheqë me Libinë ende nuk ka arritur që të konsolidojë fraksionet e milicive që rrëzuan regjimin e vjetër.

Se sa e paqëndrueshme është gjendja në Libi, e vuri në pah këtë javë lufta për territorin e Tripolit, që u zhvillua ndërmjet dy fraksioneve të milicive.

Konflikti i së martës la katër të vdekur, ndërkohë që personat e armatosur përdorën automatikë, granata dhe armë kundërajrore - në zemër të kryeqytetit libian. Konflikti i shokoi banorët e Tripolit, por edhe sinjalizoi se sa larg të qenit një vend paqësor është Libia.

“Tërë kjo ka ndodhur pas revolucionit, e jo para tij. Ata na kanë thënë se do të ketë qeveri dhe rend. 23 luftëtarët erdhën këtu duke pretenduar territorin dhe vranë disa djem të rinj. I vranë djemtë e rinj për territor”, thotë një i afërm i njërit prej të vrarëve gjatë përleshjes. Qeveria duket të jetë edhe më e shqetësuar se banorët. Kreu i Këshillit Transitor Kombëtar, Abdel Jalil, paralajmëroi se nëse milicitë e shumta nuk i dorëzojnë armët, nëse nuk i bashkohen shërbimeve të sigurimit të vendit, ose nuk kthehen nëpër shtëpitë e tyre, shteti do të përballet me rrezikun e një lufte qytetare.

Sipas tij, qeveria gjendet në mes të opsioneve të “hidhura”.

“Ne duhet që mënyrë strikt të merremi me këto shkelje, dhe të mos i fusim libianët në një konfrontim ushtarak të cilin nuk e pranojmë”, tha ai, duke shtuar se “po qe se ndahemi, atëherë do të ketë një luftë qytetare".

Korrespondentët raportojnë se Tripoli është një mozaik i zonave të milicive rivale, të cilat kanë ardhur në kryeqytet disa muaj më parë për të përndjekur Gaddafi’n, por që nga ajo kohë refuzojnë të largohen.

Secila nga milicitë duket se beson se mundësia për të ndikuar në kursin e ardhshëm të politikës së Libisë varet nga ruajtja e pranisë së tyre të armatosur në Tripoli.

Dy prej milicive të tilla janë të themeluara në Tripoli. Njëra udhëhiqet nga Abdel Hakim Belhaj, një islamist ky që ka kaluar shumë kohë nëpër kampet e Tripolit dhe që aktualisht është komandant i Këshillit Ushtarak në Tripoli.

Ai ka mbështetjen e Këshillit Transitor Kombëtar.

Tjetra udhëhiqet nga Abdullah Naker, një ish-inxhinier i elektronikës dhe një kritik i hapur i Belhaj’it.

Por, milici ka edhe jashtë qytetit të Tripolit. Njëra ndodhet në Misrata, në lindje të kryeqytetit, një tjetër në Zintan, një tjetër në lindje të Libisë, dhe një që përfaqëson pakicën berbere në vend.

Të gjitha kanë zënë territore dhe kanë vendosur postblloqe, dhe të gjitha e rrisin praninë e tyre sapo të bie nata.

Korrespondentët e huaj thonë se konfliktet fillojnë kur ndonjëra nga milicitë tenton të kalojë në territorin e tjetrës, dhe pastaj refuzon të çarmatoset.

Është ky një lloj konflikti që besohet se shkaktoi edhe konfliktin e javës së kaluar, kur luftëtarë të Këshillit Ushtarak të Belhaj’it i ndaluan pjesëtarët e milicisë së Misrata’s.

Belhaj iu tha gazetarëve të mërkurën se përgjegjësit për dhunë do të dënohen.

“Fatkeqësisht, ky konflikt çoi në vrasjen e katër njerëzve. Përgjegjësit do të arrestohen dhe do të përballen me drejtësinë”, theksoi Belhaj.

Por, fakti që vetë Belhaj është në krye të njërës prej këtyre milicive mund të mos i sigurojë milicitë tjera se drejtësia do të jetë e paanshme.

Ndërkohë, armata kombëtare dhe policia libiane duken rrallë, sepse ende janë në pritje të ristrukturimit.

Këtë javë qeveria e përkohshme e vendit ka emëruar shefin e shtabit të armatës së re kombëtare, por ende nuk është e qartë nëse ky hap do të përkeqësojë apo do t’i zgjidhë problemet me milicitë.

Menjëherë pas emërimit në këtë post të gjeneralit të pensionuar nga Misrata, Jousef al-Mankushit, dy nga grupet paramilitare e kundërshtuan këtë hap.

Disa nga milicitë deklarojnë se nuk do të shpërbëhen, andaj edhe u kanë thënë pjesëtarëve të tyre që të mos i bashkohen as policisë e as armatës derisa vendi të stabilizohet dhe të ketë një qeveri të fuqishme që do t’i punësojë dhe mbrojë ata.

Por, për Libinë mbetet pikëpyetje nëse mund të lëvizë kah zgjedhjet paqësore, para se të zgjidhet problemi i milicive.

“Nëse nuk ka siguri nuk do të ketë ligj, nuk do ketë as zhvillim e as zgjedhje”, pohon Jalil.

“Sepse, njerëzit po e marrin ligjin në duart e veta", nënvizon ai.

Këtë javë, qeveria publikoi një projektligj i cili i vendosë kornizat për procedurat e zgjedhjes së kuvendit 200 anëtarësh, i cili pastaj pritet të hartojë kushtetutën e re - në muajin qershor. Është ky hapi i parë drejt zgjedhjeve të përgjithshme, data e të cilave nuk është caktuar ende.

E vetmja shpresë se qeveria e përkohshme mund t’ia kthejë Libisë jetën normale shihet në faktin se të gjitha fraksionet e milicisë, të paktën deklarativisht, janë zotuar për besnikëri ndaj Këshillit Transitor Kombëtar.

Mirëpo, ky është një unitet i brishtë që mund të prishet shumë lehtë, po qe se vazhdojnë konfliktet e grupeve paramilitare për ndikim e territor.RFE

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›