E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzimi i Kostës në Kuvend, Patozi: Vendimi politik

TIRANE- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka reaguar pas deklaratës së kryesocialistit Rama lidhur me rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës në Kuvend. Duke rikonfirmuar qëndrimin e mazhorancës, Patozi theksoi se nuk mund të votohej një kandidaturë që i ka shërbyer diktaturës.

“Jam këtu sot që t’i përgjigjem shqetësimit të kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, lidhur me votimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e ka bërë të qartë, se e konsideron të papranueshme ngjitjen në kupolën e sistemit të drejtësisë të cdo kandidature politike. Dhe me këtë ajo ka parasysh të gjithë personat, që në karrierën e tyre gjatë diktaturës kanë marrë pjesë në procese politike, si dhe ata të tjerët, që kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeveritë e 20 vjetëve të fundit” theksoi Patozi gjatë një konference për mediat pasditen e sotme.

Ndërsa pranoi se rrëzimi i zotit Kosta si anëtar i Gjykatës Kushtetuese lidhet me arsye politike, Patozi tha se shqetësimi i Rames për këtë cështje vjen për shkak të lidhjeve te tij me të shkuarën.

“Meraku i shprehur sot botërisht nga zoti Rama mund të vijë për shkak të lidhjeve të tij me të shkuarën apo nga një mentalitet i papajtueshëm me shtetin demokratik të së drejtës. Cilido që të ketë qenë motivi, ne urojmë që ai të clirohet sa më shpejt prej këtyre ndikimeve, pasi mbajtja larg drejtësisë e personave me integritet të cënuar gjatë karrierës së tyre dhe të pozicionuar fort politikisht, është kontributi më i mirë për të ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit“ u shpreh Patozi.

Kreu socialist Edi Rama u shpreh sot gjatë një deklarate për mediat, për kandidaturën e Vangjel Kostës për Gjykatë Kushtetuese që u rrëzua më 20 Maj nga Parlamenti me votat e mazhorancës.
“Ndaj me qeverinë e SHBA shqetësimin e jashtëzakonshëm për gjendjen e drejtësisë dhe degradimin e drejtësisë. Tentativa për të shtrirë ndikimin e mazhorancës tek drejtësia u pa edhe tek rrëzimi i kandidaturës së Vangjel Kostës për motive të errëta. Ndaj me zotin Withers një për një motivet e shqetësimit të madh për mënyrën e paaprovueshme të arsyeve që çuan në rrëzimin e kandidaturës”, theksoi Rama.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›