E Diel, 1 Nëntor 2026

Inspektoriati Ndërtimor vazhdon operacionin “pastrimi i rivierës”

SARANDE- 28 objekte të përcaktuara si ndërtime pa leje në komunën Ksamil në Sarandë janë shembur nga Inspektoriati Ndërtimor. Aksioni i nisur ditën e hënë ka shënuar kështu dhe nisjen e operacionit “pastrimi i rivierës” i cili pritet të shtrihet në disa zona turistike të bregdetit të jugut. Ditën e djeshme, mjetet e Inspektoriatit kanë ndërhyrë në objektet pa leje në Ksamil ndërsa banorët kanë kundërshtuar aksionin me pretendimin se ndërtimet janë të ligjshme.

Dhjetra forca policie kanë qenë të pranishme gjatë prishjes së ndërtimeve ndërsa sipas kreut të Inspektoriatit Ndërtimor, Gjergj Bojaxhi nuk do të ketë asnjë ëprjashtim për të gjitha objektet e ndërtuara pa leje.
“Pastrimi i rivierës gjatë vitit 2010 do të vazhdojë për disa muaj. Shpresoj që ky të jetë një mesazh i qartë për të gjithë ata individë të cilët ndërtojnë pa leje kudo në Shqipëri. Sigurisht ky do të jetë një proces i vështirë, nuk ka asnjë përjashtim.” u shpreh Bojaxhi.

Sipas Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik qëllimi i prishjes së ndërtimeve pa leje në bregdet është krijimi i hapësirave urbane për pushuesit vendas dhe të huaj duke i hapur kështu rrugë zhvillimit të turizmit elitar.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›