E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzimi i pamshirshëm i BFSSH-së dhe liria e të shkruarit

Nga Besnik Dizdari

Lindja, zhdukja dhe rilindja e Olimpizmit Shqiptar (VII)

VII.

… Kështu pra. I mbeteshin edhe 12 muaj për t’iu kthyer olimpizmit të vërtetë. Ose e thënë ndryshe, i mbeteshin edhe 12 muaj për t’u shpalosur mbas 20 vjetëve flamuri kombëtar shqiptar në shoqërinë gjigande të mbi 169 shteteve të botës në Lojërat Olimpike: Barcelona 1992. Më saktë: mbeteshin vetëm edhe 12 muaj për t’u shpalosë një ngjarje zhurmëmadhe greko-shqiptare që do të vendoste një emër mŭ në majë të Olimpit: Pirro Dhima i Athinës nga Tirana e Shqipërisë!...

I mungonin Shqipërisë dy olimpistët më të paarritshëm: Pirro Dhima dhe Luan Shabani, të cilëve megjithate ishte ende shpejt për t’iu dhënë Greqia fanelat e flamurit të saj sportiv. E mbas tyre edhe për Leonard Gogën, Agim Xhelilin, Viktor Mitron. Tjetërsimi nuk do të vononte megjithate, e prap se prap edhe në Athina ’91 të Mesdheut, shpëtimtare për Shqipërinë qe bërë po peshëngritja: Dedë Dekaj – dy medalje (argjend dhe bronz); Fatmir Bushi dy medalje (argjend dhe bronz).

21 dhjetor 1991: “Riza Lushta” dhe fitimi i lirisë për shkruar…

Kishim hyrë kështu në vitet tronditëse edhe për Shqipërinë sportive. Gazeta “Sporti” që drejtoja qysh më 1982 – e vetmja sportive në Shqipëri - hapte vrullshëm faqet e Arkivit të ndaluar sportiv të 45 viteve të tanë.

Me shkrimin “Riza Lushta”, të botuar më 21 dhjetor 1990 fillon një shpërthim i papamë i temave të ndaluara në gazetarinë sportive shqiptare. Si histori gazetarie, këte ditë të 21 dhjetorit 1990, duhet ta përkujtojmë si një ndarje me ndalimin e madh të 45 vjetëve. Qysh në këte shkrim për Riza Lushtën e SK Tiranës e të Juventusit, mund të themi se si gazetarë ne kishim fituar lirinë e pendës. Shqipëria sportive – lirinë e olimpizmit të vërtetë. Nuk do të ndaleshim më. Ne ishim të parët, ndoshta në krejt shtypin shqiptar. Ishte një shpërthim historie deri në këte ditë krejt e ndaluar, e fshehur, e zhdukur, e frikëshme po ta prekje. Tash ishte diçka tjetër. Dhe vërshojnë rradhazi titujt e ndaluar:

“A ju kujtohet Skender Halili?”, “Sali Nallbani – shqiptari i parë që fitoi një kupë ndërkombëtare”, “Selman Stërmasi”, “Ibrahim Dizdari”, “Ksanthipi Dilo: mësuese e parë e edukimit fizik”, “Luigj Bojani – mësuesi, organizatori, rekordmeni”, “Naim Kryeziu – futbollisti shqiptar i paharruar”, “Dodë Tahiri – portjeri i Kombëtares dhe trajner i skuadrave shqiptare jashtë”, “Lulzim Bersheni”, “Shkëlqimi i ndërprerë i Zhan Bonatit”, “Paulin Ndoja: dosja që dënoi portierin e shquar”, “Mexhid Haxhiu: pasioni im – vuajtja ime”, “Profesori ynë Rexhep Rama”, “Gjyqtari ynë i parë ndërkombëtar Qazim Dervishi”, “Një mbresë me Bashkim Tagën”, “Filip Guraziu: ëndërra ime – basketbolli”, “Intervistë shumë e vonuar me prof. Aqif Dominin”, “Dervish Efovia – nostalgjia e ringut shqiptar”, “Petrit Qendro: jeta, mundi dhe heshtja”, “Skender Gjinali: në krah pushkën – në këmbë topin”, “Fadil Vokrri: përse vajza ime quhet Albana”, “Ali Shala: 35 vjet gazetar i shquar sportiv”, “Adem Karapici – figurë e shquar e futbollit shqiptar”, “Dom Simon Jubani: edhe sporti ka nevojë për qetësi shpirtërore, paqe të mbrendshme, demokraci”, “Demokrati Myzafer Pipa – futbollist i Vllaznisë”, “Arshi Pipa sportist”, “Skender Fusha – një talent i lënë në gjysmë të rrugës”, “Mark Lici - dhimbja e kampionit të flakur tej nga diktatura”, “Lem Koliqi – sportisti i shekullit XX”, “Gaqo Gogo – pedagogu dhe rekordmeni i shquar”, “Cili ishte Alush Lleshanaku”.

Të gjithë portrete dhe histori të ndaluara. Ishte diçka e jashtëzakonshme. Ne po ndërronim dhe faqet e gazetës së vjetër. Gjithë këta figura të mëdha të zhdukura, të mohuara për të cilët për vite nuk guxoje të shkruaje një rresht dhe as t’i përmendje emrin. Për 45 vjet të tana sporti shqiptar krejt në kundërshtim me idetë e olimpizmit, me shpirtin olimpik, kishte humbur historinë e tij, protagonistët dhe themeluesit e tij. Si kryeredaktor i “Sportit” ndjenja një kënaqësi të madhe, të papërshkrueshme që ia kisha mbërritë kësaj dite dhe së bashku me kolegët e redaksisë dhe bashkëpunëtorët e saj të shumtë, të shpalosnim historinë e vërtetë të sportit shqiptar. Dhe do të shpërthenim thuajse rrufeshëm me librat e tonë të shumtë…

Shqipëria po ndjente trokun e shpirti të vërtetë olimpik që gjente shprehje përmes gazetarisë.

Të duket se kështu sapo bëra një bilanc. Për fat të keq edhe kjo është një kujtesë. Sepse e gjithë kjo punë e shoh se çuditërisht prap ka hyrë në arkiv, në “të fshehtë”. Shqipëria sportive prap i ka harruar, nuk i përmend, nuk iu rikthehet asesi. Me sa duket profesioni ynë i gazetarit sportiv ka rënë në duar të gabuara. Duket si e rëndë. Do të merremi një herë tjetër me këte, pa dashur të fyejmë askend, pa dashur të mohojmë punën e askujt, por vetëm për t’u takuar edhe një herë me të vërtetën…

Shqipëria olimpike në mjedisin zyrtar të çiklizmit botëror

Dhe befasia e madhe. Me cilësinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit në gushtin e vitit 1991, do të isha pjesëmarrës i Kongresit Botëror të Çiklizmit (Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit) në Stuttgart të Gjermanisë. Përballë mbi 150 anëtarëve të FIAC (UCI i sotëm), Shqipëria natyrisht ishte një ardhës i vonuar në këte forum botëror e po natyrisht që ishte jashtë vëmëndjes në këte pjesëmarrje të parë të saj, ndonëse ishte anëtare qysh më 1945. Megjithate, diçka e brendshme më shtynte që të bëheshim mirë të pranishëm. Ato çka unë dija duhej t’i konfirmoja këtu. Çka kisha hulumtuar prej vitesh, më çonin tek ai fakt i madh për vendin tim, i zhvillimit të Rrethit të Parë Çiklistik të Shqipërisë si i pari në Evropë për amatorët. Me shumë emocion u çova dhe mora fjalën të cilën po e ripublikoi këtu:

“I nderuari president,

Të nderuar zotërinj,

Ndjehem i lumtur që i pari prej bashkëatdhetarëve të mij shqiptarë, po më takon të flas përpara personaliteteve të lartë të çiklizmit botëror. Eshtë me të vërtetë një çast historik për çiklizmin modest të vendit tim që më së fundi të dëgjohet edhe zëri i tij në familjen e madhe botërore të këtij sporti të mrekullueshëm. Në dukje të jashtme gjithçka duket e thjeshtë, por për ne është diçka krejt speciale. Më së fundi hapja e Shqipërisë së re drejt Botës dhe Evropës, po duket qartë edhe në sport. Rënia e diktaturës, vepër e rinisë shqiptare, solli mënjanimin e ndikimit të politikës në sport që aq fort e pëlqenin udhëheqësit e saporrëzuar. Merita i përket Presidentit të ri të Komitetit Olimpik Shqiptar, z. Agim Zeka, i cili si përfaqësues i opozitës shqiptare na ka dërguar midis jush, për t’iu dëgjuar me respekt të thellë dhe për të përfituar prej jush.

Ka qenë e papëlqyeshme që pikërisht sporti i çiklizmit që është sporti më i vjetër në Shqipëri, të ketë një mungesë të tillë në forumin botëror. Rrethi Çiklistik i Shqipërisë është zhvilluar për herë të parë në shtatorin e vitit 1925 me një gjatësi prej 1300 kilometrash, çka padyshim përbën sensacionin më të jashtzakonshëm në historinë e sportit shqiptar si dhe në atë Ballkanik. Aq më tepër që kjo do të ishte e para veprimtari zyrtare në Shqipërinë e asaj kohe. Duke qenë kështu një nga sportet më tradicionalë në vendin tonë, megjithate nuk mund të thuash se ai ka mundur të ecë me kohën. Ndonëse disa rezultate tonat të arritura në rrethet çiklistike të Turqisë e të Greqisë vitet e fundit, tregojnë për mundësitë që ky sport ka edhe në Shqipëri.

Ashtu si krejt jeta e vendit, edhe sporti, në mënyrë të veçantë çiklizmi, po kalojnë një periudhë të vështirë, e cila me siguri do të kapërcehet. Trashigimia e një baze të pamjaftueshme materiale, vështirësitë ekonomike që po kalon vëndi në këte periudhë të shndrrimeve të mëdha politike, padyshim që nuk janë kalime të lehta. Por falë pasionit të specialistëve tanë dhe me ndihmën e FIAC-ut, e pse jo, edhe falë ndihmës të vëndeve të zhvilluara në këte sport, do t’i kalojmë shpejt këto vështirësi. Garanci do të jenë jo vetëm çiklistët e 10 klubeve tona, por dhe qindra të rinj shqiptarë të cilët aq fort e duan këte sport që është aq popullor edhe në vendin tonë të vogël. Kur dihet se biçikleta - mendohet se ajo ka ardhur në Shqipëri për herë të parë më 1900 - është sot e kësaj dite mjeti sundues i transportit lokal.

Vitin e shkuar, ne dëshironim ta festonim jubileun e 65 vjetorit të Rrethit tonë të parë Çiklistik duke ftuar për të marrë pjesë edhe skuadra të vëndeve fqinje. Nuk mundëm ta realizonim. Një ide e tillë do të bëhet realitet sivjet. Kështu, ne me kënaqësi presim pjesëmarrjen e këtyre vëndeve në mënyrë që kalendari i FIAC-ut të plotësohet edhe me një rreth tjetër ndërkombëtar, këte të Shqipërisë, i cili për relievin e natyrës së tij të larmishme dhe për klimën e tij mesdhetare, ndoshta në të ardhmen do të jetë diçka joshëse për çiklistët e shumë vëndeve, çka nga ana jonë do të jenë gjithmonë të pëlqyeshëm e të mirëseardhur.

Ne jemi një vend i vogël me një çiklizëm modest, por dëshërojmë ta zhvillojmë gjithnjë e më tepër këte sport. Dhe për këte Federata Shqiptare e Çiklizmit mendon se autonomia e FIAC-ut është e domosdoshme për një zhvillim të shpejtë të çiklizmit edhe në vëndet më të vogla, që nuk janë pak në Evropë. Ne mendojmë se kjo pavarësi është një imperativ i demokracisë së kohës edhe në fushën e lëvizjes sportive botërore.

Kështu, FIAC-u do të bëhet më i fortë, më autoritar, më i aftë në të mirë të zhvillimit të çiklizmit botëror.

Ju faleminderit.”

Gjatë fjalës salla heshti. Mandej, kur e kam lënë mikrofonin dhe i jam përshkuar sallës, një përcjellëse duartrokitjesh më ka shoqëruar deri sa kam zënë vendin tim. Kur është dhënë pushimi i seancës jam gjendur i rrethuar prej presidentëve të çiklizmit të SHBA, Italisë, Spanjës, Gjermanisë, Greqisë, Bullgarisë. Dhe në çast u binda tashma se isha përfaqësuesi i atij vendi, i cili kishte zhvilluar rrethin e parë për amatorët në Evropë. E dija prej kohësh se ishte i pari në Ballkan, madje 12 vjet para të tjerëve, atyre të Jugosllavisë e Rumanisë, zhvilluar vetëm më 1937 dhe atij të Bullgarisë zhvilluar më 1938 apo dhe të Turqisë e Greqisë zhvilluar vetëm mbas Luftës së Dytë.

Tash e mbrapa ai ishte i pari në Evropë. Deri në këte “errata corrige” si i pari në Evropë njihej rrethi i Polonisë i vitit 1928. Prej asaj dite të 1991-shit do të ishte ky i Shqipërisë i vitit 1925, organizuar prej qytetit tim të lindjes, Shkodrës së kulturës së gjithanshme, Shkodrës historike, Shkodrës së traditave të pafund.

Nënpresidenti i FIAC-ut, Agostino Omini, një nga figurat më të mëdha të çiklizmit botëror, më kërkon ndërkaq një shkrim për revistën e tij të famshme “Le monde de cyclist” - organi i Federatës Ndërkombëtare të Çiklizmit. Dhe në majin e viti 1992 revista në fjalë i kushton tri faqe të saj këtij rrethi heroik, do të thojshe, të Shqipërisë - provë e madhe kulture e zhvillimi. Një titull i thjeshtë: “1925 - Turi çiklistik i Shqipërisë” i kësaj reviste të çmueshme, ishte mjaft për një konfirmim zyrtar të asaj çka mua më kishte munduar prej vitesh...

Nis “revolucioni” i Agim Zekës

Në të vërtetë, në fjalën time, unë kisha diçka ‘të pasaktë’. E kisha quajtur Agim Zekën, “President të ri të Komitetit Olimpik Shqiptar”. Në të vërtetë, në formën klasike të këtij emërtimi ai nuk ishte i tillë. Mirëpo, unë kisha vepruar ashtu siç kishte vepruar Partia e Punës për gati 40 vjet me rradhë në marrëdhënie me të huajt, kur njeriun të cilin nga ana shtetërore ajo e kishte caktuar të drejtonte sportet, e paraqiste si president të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Në të vërtetë Agim Zeka ashtu siç qe emëruar zëvëndësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, po ashtu qe emëruar edhe kryetar (president i KOKSH), sepse vetëm kështu Shqipëria mund të shpejtonte…

Do ta quaj “revolucion”, sepse në tanësi ajo çka nisi të bënte Agim Zeka ishte një revolucion në organizimin e drejtimit të sporteve shqiptare.

Po cili ishte Agim Zeka, i cili disi papritmas gjendet në krye të lëvizjes sportive shqiptare, madje në rrugë shtetërore dhe olimpike bashkë?

Do ta portretizoj shkurt përmes një përcaktimi historik që kam bërë një herë tjetër:

“AGIM ZEKA. Korrik 1991: Emërohet zëvëndësministër dhe kryetar i KOKSH. Ky është momenti historik i shkatërrimit të strukturës sportive të regjimit komunist, tashmâ në grahmat e fundit. Agim Zeka, antikomunist, gazetar opozitar, pedagog i shkencave të natyrës nga profesioni i tij i parë, një sportist mesatar në rininë e tij, vjen me rreptësinë e ndryshimeve drastike. Mbrenda një dite pushon 8 punonjës të Komitetit të mëparshëm të BFSSH! E padisin në CIO me letra të fshehta për uzurpim të postit të presidentit të KOKSH. Ai shkon ndërkohë në Itali, takohet me Mario Pescante-n - President i Komitetit Olimpik të Evropës - dhe i tregon atij se si po ndërron Shqipëria, cila ka qenë dhe cila është ajo dhe se ende nuk ka ardhur koha për akademizma olimpike juridike. Përfundon në një darkë miqësore me mikun perëndimor, i cili mirëkupton se në një vend që po ndërronte regjimin diktatorial, gjërat kishin një rradhë për nga rëndësia. Jashtë çdo dyshimi emërimi i Zekës ishte politik, kësaj rradhe për shkak të ndërrimit të regjimit. Periudha e tij ka rëndësinë se jep alarmin për shkatërrimin e forcës së pushtetit komunist në sport dhe kësisoj mbetet nismëtare. Zeka përjeton në fakt rënien e sportit, mbi të gjitha prej emigrimit të pandalshëm të sportistëve jashtë Shqipërisë. Historia është tejet e shkurtër. Bie Qeveria e Stabilitetit, bie dhe Agim Zeka”.

Po për historinë e rilindjes së olimpizimit shqiptar ai nuk bie. Madje hyn dhe mbetet në histori.

Eshtë vërtet korrik 1991. Ngjarjet marrin një vrull të papamë edhe për olimpizmin shqiptar.

* SHENIM: Gjashtë kapitujt e parë janë botuar në gazetën “TemA” më 25 nëntor, 2 dhe 23 dhjetor 2008, 6 dhe 20 janar, 3 mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›