E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleanca me Berishën shkon kundër interesave të çamëve

Nga Bashkim Çami-Laraku

Duke qenë pjesëtar i komunitetit çam nuk do të shkoj kundër interesave të çamëve. Partia për Drejtësi dhe Integrim e drejtuar nga Tahir Muhedini u bashkua me koalicionin zgjedhor të përbërë nga Partia Demokratike dhe Partia Republikane, ku pritet të bashkohet dhe Partia për të Drejtat e Njeriut. Ky veprim i kryetarit Tahir Muhedini për t’u bërë deputet është një gabim fatal, devijim dhe shuarje e “problemit çam”. Vendimi i Tahir Muhedinit është përgjegjësi e tij. Dihet historia e çamëve, gjenocidi i ushtruar në vite ndaj kësaj popullate autoktone. Dihet se grekët nga 1991 e deri sot kanë bërë pushtimin ekonomik të Shqipërisë nëpërmjet bankave, karburanteve, telefonisë celulare etj., duke nxjerrë fitime shumëfishe në kurriz të taksapaguesit dhe duke e kontrolluar mirë ekonominë shqiptare si rezultat i tolerancës dhe i kapjes së drejtuesve të shtetit shqiptar. Dihet se ne Greqi kanë emigruar afro 500.000 shqiptarë, të cilët janë përdorur nga Greqia si presion për vendime të caktuara dhe, sa herë që politika shqiptare ka kundërshtuar interesat greke, mbi emigrantët ka filluar të veprojë “fshesa”, derisa politika shqiptare ka pranuar kërkesat greke.

Sali Berisha që në fillim, në zgjedhjet e 1992, por dhe Fatos Nano kanë pasur mbështetje edhe në pará nga Greqia. Nuk di, nëse kjo mbështetje ka qenë e kushtëzuar dhe a është konkretizuar! Janë një numër faktesh që analistët e politikës i kanë vënë në dukje si: Mbajtja definitive e kryepeshkopit grek në krye të kishës autoqefale shqiptare edhe pas mbarimit të periudhës së dhënies së eksperiencës, duke thyer dhe shkelur brutalisht të gjitha ligjet igumenike. Shuarja dhe mbyllja e skandalit të Kosinës dhe pranimi zyrtar i varrezave greke në disa pika të territorit shqiptar. Dhuna psikologjike për pasiguri të jetës deri në imponimin për të emigruar për personat që raportuan se prifti i Kosinës po hapte varrezat e fshatit, ku kockat e fëmijëve dhe ato të grave i etiketonte si kocka të ushtarëve grekë. Fakti u konstatua nga prokuroria dhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore, por edhe ata u detyruan të heshtin. Shumë familje në jug të Shqipërisë prej vitesh marrin 250 Euro pension mujor prej Greqisë, me kusht që të pranojnë se janë grekë. Nuk është sqaruar se cili është burimi i këtyre parave. Hapja e kishave greke me priftërinj të tjerë grekë dhe hapja e shkollave private greke me program të pakontrolluar, por që mediet kanë evidentuar se bëjnë politikën e Megali Idesë, me pretendimin se në Shqipëri gjysma e popullatës është greke dhe se, ai që është ortodoks, është grek dhe se njeriu ka atë kombësi që ai ndjen. Këtë parim e mbron me zjarr Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ. Propagandën e ekspansionit të gjithanshëm të Greqisë në Shqipëri e mbron Partia e të Drejtave të Njeriut që ka bërë aleancë me PD. Sali Berisha vazhdon mbrojtjen me çdo kusht të Ligjit 7501, ligj që në Shkodër i shërben faljes së tokave shqiptare vrakaçorrëve të Malit të Zi dhe në jug të Shqipërisë atyre grekëve që në kohën e Zogut, para kolektivizimit komunist, ishin punëtorë me mëditje në toka të shqiptarëve. Ligji 7501 e fuqizon ekspansionin grek edhe për shkak të atyre shqiptarëve që për arsyet psikologjike, morale dhe ekonomike të pensionit që marrin nga Greqia janë deklaruar si grekë. Ligji 7501 dhe mosrespektimi i origjinës së pronës më kujton një debat midis Leninit dhe Trockit. Dihet se Lenini më 1917 u dallua për oratorinë dhe gjallërinë e tij. Ai për të fituar pushtetin dhe mbështetjen e punëtorëve, pasi kishte centralizuar dhe kontrollonte propagandën dhe gazetat kryesore, deklaroi para punëtorëve të një fabrike se “kjo fabrikë, që deri sot ishte e pronarëve kapitalistë, tani e tutje do të jetë e juaja, se ju punoni aty ….” Dhe menjëherë Trocki, që edhe ai i përkiste së majtës komuniste dhe pranonte shtetëzimet, e kundërshtoi. Në mbledhjen e parë të Komitetit Qendror, Trocki deklaroi se ky është një gomarllëk i Leninit, po ideja e Leninit fitoi ndaj Trockit. Kur Lenini vdiq, në trurin e tij mjekët konstatuan se truri i tij vuante nga sifilizi dhe kjo shpjegoi dhe sjelljet e tij, por kjo në atë kohë u mbajt e mbyllur. Politika greke ankohet në të gjitha forumet ndërkombëtare se politika shqiptare nuk respekton aq sa duhet liritë dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, nga ana tjetër shteti grek mohon ekzistencën e shqiptarëve etnikë autoktonë dhe të gjuhës së tyre shqipe në territorin grek. Praktikisht, në Greqi nuk ka asnjë shkollë shqipe, qoftë për arvanitasit që duhet të ruajnë gjuhën dhe traditën e tyre, qoftë dhe për 500.000 emigrantët e pasvitit 1991 që jetojnë e punojnë në Greqi. Në planin kulturor veçanërisht gjatë 1997, por dhe para e pas, janë dëmtuar shumë vepra arkeologjike që tregojnë kulturën tonë. Në zbulimet arkeologjike gjithçka ku konstatohen shkrime të vjetra greke, deklarohet pa diskutim si kulturë helene, vetëm për faktin se gjenden shkrime të vjetra greke. Në kishat e vjetra vendase njerëz të paguar janë kapur duke futur në themelet e tyre pllaka me mbishkrime greke. Nga ana tjetër, për gjuhën, folklorin dhe traditën e çamëve dhe të arvanitasve autoktonë në Greqi nuk tregohet asnjë kujdes. Dialekti arvanitas dhe ai çam dhe veprat e shkruara të autorëve të kësaj treve lihen jashtë vëmendjes dhe studimit për vlerat e tyre shkencore. Së fundi, qeveria shqiptare e pranoi në heshtje dhurimin e ishullit shqiptar të Fanarit. Ky ishull u shfrytëzua formalisht si kufi territorial i Greqisë për të nënshkruar marrëveshjen detare, nëpërmjet së cilës i jepet Greqisë një trekëndësh detar 250 km katrorë që është zonë naftëmbajtëse. Për të gjitha këto paudhësi të bëra me protagonizmin e kryeministrit, Sali Berisha, opozita hesht, akademikët, historianët heshtin dhe zëri i medias dhe i analistëve është krejt i pamjaftueshëm.

Problemi çam deri sot është lënë në heshtje që të mos zemërohen politikanët grekë. Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, nisi të bëjë diçka që individë që kanë dokumentet e pronësisë t’i instruktonte për t’iu drejtuar Strasburgut, por edhe ai u tërhoq pa bërë asgjë. Partia për Bashkim dhe Integrim që ka në program kthimin e çamëve në tokat e tyre, ka organizuar disa aktivitete sensibilizuese për çështjen çame, por nuk ka bërë asnjë hap me vlerë, përkundrazi, ka harxhuar kohën duke bërë që pleqtë të pakësohen dhe të rinjtë të lodhen dhe të deziluzionohen dhe të harrojnë se atdheu i tyre është Çamëria. Së fundi, z. Tahir Muhedini, kryetari i BDI, u bashkua me grupimin e drejtuar nga Sali Berisha. A është ky një hap që i intereson vetëm kryetarit apo i intereson mbrojtjes së interesave të ligjshme të komunitetit çam të dëbuar nga trojet e tyre etnike? Këtë secili e mendon vetë. Sali Berisha me siguri që ka premtuar për çamët, por ai nuk ka respektuar të drejtën e pronës në territorin shqiptar, a mund të besohet të ketë vullnet për ta bërë këtë në Greqi?

Në grupim me Sali Berishën është Fatmir Mediu i Partisë Republikane. Vite më parë, kur në parlamentin shqiptar u kërkua që të nënshkruhej një notë proteste ndaj shkeljes së të drejtave të shqiptarëve nga shteti grek, Fatmir Mediu devijoi dhe refuzoi firmosjen. Ky Fatmir Mediu, që kritikohet se i mashtroi pronarët në Shqipëri, tani kërkon votat e pronarëve dhe angazhohet se do luftojë dhe do ngrejë zërin për kompensimin e mundshëm, a mund të jetë mbështetje për të drejtat e çamëve? Me siguri që kështu si po angazhohet ndaj pronarëve shqiptarë, do justifikohet që edhe pronat çame të zgjidhen me kompensimin e mundshëm nga shteti grek. Interesante do të jetë analiza që unë nuk jam në gjendje ta bëj e veprimtarisë së Partisë së të Drejtave të Njeriut. Kjo parti, megjithëse quhet e të drejtave të njeriut, nuk ka thënë asnjë fjalë, kanë apo nuk kanë të drejtë pronarët shqiptarë që kërkojnë t’u kthehen pronat e grabitura nga komunizmi, dhe ata heshtin se iu intereson që tokat e Vurgut e të Delvinës të mos t’i marrin pronarët e vërtetë që janë shqiptarë. Kjo parti nuk ka thënë asnjë fjalë për të hapur shkollat shqipe në Greqi, pra vështirë se mund të përkrahë kërkesat e Tahir Muhedinit për t’iu kthyer çamëve pronat e të parëve të tyre. Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Sarandës, Bollano, bën lojë dhe politikë të dyfishtë. Ai, pavarësisht se është shqiptar, ndjehet grek dhe rrjedhimisht shpallet grek. Bollano lufton për kthimin e pronës tek i zoti dhe kundërshton Ligjin 7501 dhe kjo është një mënyrë për të fituar votat e shqiptarëve që kërkojnë pronat që ua mohon Sali Berisha me Ligjin 7501. Në këto kushte politike, si anëtar i komunitetit çam e shikoj me dyshim futjen e Tahir Muhedinit në grupimin me PD, PR, PBDNJ dhe nuk dua të votoj në një grupim që deri tani i ka mohuar interesat e çamëve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›