Prapaskenat e Bërthamorit 2
Entuziazmi i pandalshëm i kryeministrit, Sali Berisha, për ta shndërruar vendin në një “superfuqi energjitike”, siç shprehet ai vetë, duket se nuk është thjesht ligjëratë. Deklarata e para disa muajve e kryeministrit, se do t’i çelte rrugën ndërtimit të një centrali bërthamor në vend, u materializua së fundmi, kur mediet kroate, malazeze dhe shqiptare botuan lajmin se Kroacia dhe Shqipëria kishin rënë në ujdi për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër. Centrali është raportuar me një fuqi prej 1500 megavatesh dhe me një kosto prej 5 miliardë dollarësh.
Shkodranët e pritën lajmin me një entuziazëm të tillë, sa brenda natës i gjithë qyteti u mbush me postera, ku paraqiteshin pamje makabër të njerëzve të prekur nga aksidentet bërthamore. Të nesërmen, qytetarë të qytetit verior mbanin radhë para kamerave të televizioneve për të shprehur tmerrin që ky lajm kishte shkaktuar në qytet. Formulimet ishin të shumta, por etiketa e njëjtë: “Nuk do ta lejojmë!” Siç ndodh rëndom, kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me investime në energji, opozita nuk është se mbajti ndonjë qëndrim të qartë, ndoshta edhe për faktin se nuk ka një të tillë. Ndërkaq, Berisha rendi të thotë se lajmi nuk ishte i vërtetë dhe se nuk kishte asnjë plan për të ndërtuar central bërthamor në Shkodër, një nga qytetet më të rëndësishme për të djathtën në pushtet nga pikëpamja elektorale.
Pavarësisht përgënjeshtrimit të lajmit nga numri një i qeverisë shqiptare, i njëjti që kishte premtuar “bërthamorin shqiptar”, Mali i Zi kishte shprehur ndërkaq shqetësimin e tij mbi këtë investim të mundshëm. Si një vend me vetëm 680 mijë banorë, Mali i Zi e ka orientuar zhvillimin e tij drejt turizmit duke i dhënë një theks të veçantë mjedisit. Në këtë pikë shqetësimi i fqinjit është i kuptueshëm. Por Berisha duket t’i kishte paraprirë edhe kësaj, kur muaj më parë deklaroi: “Ne do të nisim hartimin e një ligji të ri për energjinë bërthamore, pasi nuk e kemi ende, do të negociojmë me Agjencinë Botërore të Energjisë Bërthamore me qendër në Vjenë, do të negociojmë me vendet fqinje, si me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Kosovën për këtë projekt”. Por si qëndron e vërteta e centralit? Ekziston një plan apo jo?
Kroatët konfirmojnë planin bërthamor
Në një artikull të Fil Kejn, botuar në WPR, theksohet se, sipas Tomislav Mazal, një nga këshilltarët e kreut negociator kroat mbi çështjen, zv/kryeministrit, Damir Polancek, mediet nuk thonë të vërtetën. “Ne nuk kemi diskutuar kurrë se sa mund të kushtojë apo se ku mund të jetë”, - deklaroi ai. Mazal konfirmoi se e vetmja marrëveshje në proces e sipër në ditët që vijnë është ajo e formimit të një grupi prej 10 vetash, me 5 anëtarë nga çdo vend për të realizuar një studim fizibiliteti. Mazal njoftoi se fundi i prillit ishte periudha kur do të hapej drita jeshile për grupin, çka do të thotë se diçka e tillë mund të ketë ndodhur. Ndërkaq, sipas vetë përfaqësuesit kroat, ndërtimi i një centrali bërthamor është një proces që zgjat nga 10 deri në 15 vjet.
Ambiciet e mëparshme të Kroacisë - të cilat përfshijnë plane për një reaktor pranë Zagrebit, ndanë kufirit me Serbinë - janë ndalur si pasojë e rezistencës së publikut. Kroacia aktualisht ka vetëm një njësi prodhimi bërthamore pranë kufirit me Slloveninë. Një central shumë i diskutuar ky, meqenëse ndodhet vetëm 7 kilometra larg Zagrebit dhe çdo aksident i mundshëm do të kishte pasoja mbi një milion njerëz. Frika ndaj një katastrofe të tillë u rrit verën e shkuar, kur një ftohës pati rrjedhje, duke shkaktuar për pasojë një alarm mbarë-evropian për emergjencat bërthamore.
Zgjedhjet dhe fqinjët fshehin bërthamorin
Në këtë pikë është e konfirmuar se ekziston një plan për të ndërtuar një central bërthamor në Shqipëri. Por, afrimi i zgjedhjeve të qershorit e vështirëson publikimin zyrtar të këtij skenari, për shkak të kostos politike që ai mbart. Nga ana tjetër, koha e gjatë që nevojitet për ndërtimin e një centrali të tillë bën që shtyrja e afatit të zyrtarizimit të informacionit të mos jetë ndonjë problem i qenësishëm. Ndërkaq është e qartë se të dyja palët, qoftë ajo shqiptare, qoftë ajo kroate, gënjejnë në njëfarë mase. Gënjeshtra e qeverisë shqiptare është e qartë, sepse faktohet nga deklaratat e kroatëve, sipas të cilëve po diskutohet zyrtarisht për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri. Vetë kroatët kanë probleme në deklaratat e tyre. I cituar në WPR, Mazal deklaron se nuk është diskutuar për çmimin apo vendin, por pranon se një ekip i përbashkët do të realizojë një studim fizibiliteti. Nëse as nuk është folur për vendin, ku do të zhvillohet ky studim, nëse çmimi nuk është cekur asfare, për ç’fuqi të instaluar do të kryet studimi i fizibilitetit? A nuk ekziston një raport i përafërt megavat i instaluar - çmim? Sigurisht që po, por zyrtarisht askush nuk di gjë!
Ka edhe një detaj tjetër në këtë histori. Fillimisht, centrali bërthamor ishte parashikuar të ndërtohej nga italianët në jug të vendit, çka sigurisht tmerroi fqinjët grekë. Ndërkaq, deklarata e kryeministrit për centralin bërthamor në atë kohë u prit mirë nga Roma zyrtare. Pier Ferdinando Casini deklaroi për të përditshmen “La Stampa” se “nuk duhet ta lëmë që ky rast të na shpëtojë nga duart.” Por ndryshe nga Italia, fqinji jugor i vendit, Greqia, u alarmua nga propozimi i kryeministrit Berisha për ndërtimin e centralit bërthamor. Athina zyrtare është shprehur kundër një projekti të tillë, me idenë se Shqipëria nuk mund të garantojë dot sigurinë e nevojshme për të zotëruar një fuqi kaq të madhe bërthamore. E përkthyer në terma të tjerë, tmerri i Greqisë dje është bërë makthi i Malit të Zi sot.
Entuziastët e atomit
Berisha nuk është i vetmi që ka një marrëdhënie dashurore me atomin. Por nuk po flasim për liderët e vendeve të Lindjes së Mesme. Bëhet fjalë për ekspertë. Në artikullin e Kejn citohet Bruno Comby, themelues i grupit Ambientalistët për Energjinë Bërthamore: “Sigurisht që Shqipëria është mjaftueshëm e qëndrueshme. Si çdo vend tjetër ajo duhet të gjejë zgjidhjen më të mirë energjitike”. Nga ana tjetër Comby i konsideron shqetësimet mbi sigurinë si të tejkaluara: “Problemet e sigurisë lidhur me energjinë bërthamore janë gjerësisht të ekzagjeruara. Probleme masive mund të ndodhin në një termocentral me gaz gjithashtu. Nëse një reaktor bërthamor ndërtohet siç duhet, atëherë do të jetë i sigurt, çfarëdo të ndodhë”.
Nga ana tjetër, në një intervistë të mëparshme për “Mapo”, Prof. Përparim Fuga, fizikan bërthamor dhe ish-drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore, i cili aktualisht punon si shkencëtar në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë bërthamore (International Atomic Energy Agency) në Vjenë, është shprehur se “ne duhet të kuptojmë se energjia e përfituar nga reaksionet bërthamore sot konsiderohet si një alternativë e pashmangshme”. Sipas fizikanit të njohur, në çdo projekt të mundshëm për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore duhen llogaritur mirë kostot dhe përparësitë që mund të ketë kjo teknologji në realitet.
Ai është i mendimit se në 20 apo në 30 vitet e ardhshme, kjo alternativë do të jetë dukshëm e pranishme në realitetet e shumë vendeve. “Edhe vendet e pajisura me sasi të mjaftueshme të naftës kanë filluar së fundmi ta konsiderojnë si të përshtatshme përdorimin e energjisë bërthamore në ekonomitë e tyre”, - thekson Fuga.
Ai është i ndërgjegjshëm se në opinionin publik ka sot një frikë të natyrshme ndaj projekteve të tilla. Por thekson se në këtë fushë njihen vetëm 3 aksidente, të cilat e kanë ndihmuar shumë shkencën që të mësojë nga gabimet. Të tjerat, sipas tij, janë incidente, që do të thotë se nuk kanë pasur asnjë pasojë.
“Jo bërthamor!”
Ambientalistët vetëndahen në dy grupime kryesore. Kemi ambientalizëm romantiko-erotik dhe ambientalizëm shkencor. Grupi i parë janë ata që lëshojnë deklarata të tipit: “Shkuam dhe drekuam atje në mes të pyllit. Sa bukur! U kënaqëm shumë! Do të ishte masakër, nëse aty pranë ndërtohet fabrikë”. Ndryshe nga erotomanët mjedisorë, ambientalizmi pragmatik i ndërtuar mbi argumente shkencore, peshon mundësitë dhe rreziqet e progresit teknologjik dhe nuk pranon “regresin si alternativë zhvillimi në paqe me natyrën”. Pikërisht të tillë janë ata që mbështesin energjinë bërthamore si një mundësi më efikase prodhimi, por edhe shumë më e pastër se djegësit fosile, të cilët lëshojnë sasi të konsiderueshme mbetjesh në ambient. Por, siç thekson edhe vetë Fuga në intervistën e lartpërmendur “është e qartë se sot në botë për të ndërtuar një central bërthamor nuk duhet vetëm një konsensus politik, por duhet mbi të gjitha një konsensus me publikun, ndaj edhe argumentet e lidhura me projekte të tilla duhet të jenë të gjitha transparente dhe të mirë-peshuara”. Ndaj respektimi i konventave ndërkombëtare, siç është ajo e Arhusit, mbi nevojën e diskutimit të projekteve të tilla me komunitetin, është i domosdoshëm që projekte të tilla të nisin fluturimin. Në të kundërt, revoltat nuk janë të papërjashtuara, madje të domosdoshme, sidomos nëse përdoret termi “bërthamor” pa sqarime të mëtejshme.