E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziqet nga inflacioni global

12-05-2011 / Nga Ilirian Dahri

I fuqishëm në Azi, por po aq kërcënues në Perëndim. Ky është aktualisht niveli i inflacionit që kërkon të rikthehet gjithandej në botën globale. Numrat flasin dhe nuk kanë nevojë për tu komentuar, në Kinë çmimet janë ngritur në muajin mars rreth 5.4%, ndërsa në shkurt ishin tek 4.9% ndërsa në Indi janë akoma më të shpejtë duke u ngritur deri në 9%. Gjithsesi edhe në vendet me ekonomi më të pasura shikohet kjo lloj tendence. Në ShBA, inflacioni ka arritur në 2.7% krahasuar me 2,2% të shkurtit dhe me 1,6 të marsit ndërsa në vendet europiane inflacioni kap shifrën e 2,7%. Por parashikimet për vendet në zhvillim mund të bëhen fare lehtë mjafton ti referohemi dy vendeve si Kina dhe India, prej ekonomive të të cilave varet edhe tendenca e të gjithë vendeve aziatike. Por ngritja e çmimeve  varet nga faktorë të cilët nuk janë të menaxhueshëm vetëm me politikat monetare siç është ngritja e çmimit të karburanteve dhe ajo e çmimeve ushqimore. Po aq problematike shfaqet situata në Perëndim, ku Banka Qendrore po kërkon ta shpjerë politikën monetare në drejtime të ndryshme dhe në fakt në Frankfurt ka nisur shtrëngimi me taksat por edhe në Washington ky problem po trajtohet gjerësisht por edhe pa ndryshime të dukshme. Ka gjithsesi situate pothuaj të ngjashme sidomos me çmimet ku pjesa më e madhe është e lidhur me karburantet dhe ushqimet dhe nëse llogaritjet do të kryheshin pa këto dy elemntë inflacioni në fakt do të kapte shifrën e 1,2% në SHBA dhe 1,3% në vendet europiane pra duke u përgjysmuar. Gjithsesi efektet në energjinë tashmë të shtrenjtuar janë evidente, ndërsa çmimet e transportit janë rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth 9,8%, ndërsa në Europë rreth 5,6%. Shifra që tregojnë se nuk ka ndryshime të dukshme mes Europës dhe shteteve të Bashkuara por ndryshime ndoshta mund të ketë për sa i përket inflacionit të ardhshëm i cili mund të ketë efekte mbi rritjen e kostos së prodhimit dhe të atyre të pagave  që është hasur shpeshherë në të kaluarën. Në vendet evropiane, ky proces mund të jetë më i shpejtë dhe më intensiv edhe pse në shumë vende të Bashkimit Europian janë marrë masa por dhe mund të ketë efekte anësore të cilët mund të jenë shumë të dëmshëm për të gjitha vendet.
Ndërkaq në Kinë nëpërmjet ndërhyrjes të autoriteteve inflacioni nuk po rritet dhe sipas ekspertëve ndërhyrja qeveritare ka dhënë efektet e saj. Në fakt zëdhënësi i Byrosë Kombëtare të Statistikave, Laiyun Sheng është shprehur se “çmimet e konsumit janë ulur në prill” – duke vazhduar se – çmimet e zarzavateve janë ulur falë edhe një klime më të favorshme dhe rritjes së kërkesës dhe se- masat e marra nga qeveria kineze për të kontrolluar inflacionin kanë patur efektet e para pozitive. Por gjithsesi presioni i inflacionit është i lartë nga shkaqe të vetë Kinës por mbi të gjitha edhe nga shkaqe që vijnë nga jashtë saj. Por edhe të dhënat makroekonomike si shitja me pakicë që është edhe treguesi kryesor i shpenzimeve të konsumit janë rritur me 17,1% në vit dhe prodhimi industrial që është rritur me 13,4% krahasuar me një vit më parë.
Por parashikimet  e Bankës Botërore për vitin e ardhshëm në Kinë, janë për një rritje ekonomike por edhe për rritjen e inflacionit i cili do të sjellë një frenim në tregun imobiliar. Më tej, në azhornimin tremujor mbi ekonominë kineze, Banka Botërore ka shtuar se “Parashikimet tona për inflacionin kinez nuk janë shumë shqetësuese, duke përfshirë edhe rrezikun nga rritja e lëndëve të para por gjithsesi duhet të jemi të kujdesshëm”. Ekonomia kineze do të rritet me 9,3% në 2011 ndërsa në vitin 2012 do të ketë një rritje me 8,7% ndërsa çmimet do të rriten me 5% këtë vit dhe me 3,45 në vitin tjetër. Ndërsa rritja e çmimeve ushqimore, që janë edhe motori i inflacionit në Kinë ndoshta do të ulet në 12 muajt e tjerë duke ulur edhe inflacionin global. Ndërkaq nga Qeveria kineze vijnë lajmet se sipas regjistrimit më të ri, në Kinë popullsia subkontinentale ka arritur në 1,339 miliardë njerëz krahasuar me 1,265 miliardë që ishte në vitin 2000 ndërsa në regjistrimin e parë të vitit 1953 ishte “vetëm” 594 milionë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›