Lulzim Basha: Të respektohet vullneti i të gjithë qytetarëve, tendenca e fitores është në drejtimin tonë

-- Mbyllet numërimi në njësitë bashkiake 1, 4 dhe 10, Lulzim Basha fiton me diferencë prej 639 votash
Kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, i bëri thirrje komisionerëve në qendrat e numërimit të votave, të vazhdojnë numërimin e tyre, duke respektuar kështu vullnetin e lirë të qytetarëve të Tiranës. Kandidati demokrat tha se vonesat nuk i shërbejnë qytetarëve. “Në fillim dua të falënderoj të gjithë komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit, një pjesë e të cilëve kanë punuar gjithë natën për të siguruar një proces të ndershëm të numërimit të votës. E di që shumë nga ju janë të lodhur, dhe në emër të gjithë qytetarëve dua t’iu falënderoj për punën që bëni. Ne kemi parë këto ditë demokracinë të funksionojë. Ka ende shumë vota për tu numëruar dhe unë jam i angazhuar të pres që këto vota të numërohen në mënyrë korrekte dhe të ndershme. Sytë e gjithë botës janë drejtuar në Tiranë, dhe është e rëndësishme që ky proces të vazhdojë dhe qyteti ynë të ndihet krenar zgjedhjet që beri. Të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, e meritojnë këtë gjë. Është koha që gjithë qytetarët të bashkohen, sepse ne të gjithë jemi të interesuar që çdo votë të numërohet. Megjithëse tendenca e rezultatit shkon në drejtimin tonë, dhe unë mbetem i sigurt në fitore, asnjë kandidat nuk duhet të paragjykojë votën ende pa u dëgjuar zëri i secilit qytetar. Të gjithë zërat duhet të dëgjohen, të gjithë votat duhet të numërohen. Çdo ngadalësim dhe bllokim i numërimit të votave, nuk i shërben qytetarëve dhe Tiranës”, u shpreh Basha.
Mbyllet numërimi në njësitë bashkiake 1, 4 dhe 10, Lulzim Basha fiton me diferencë prej 639 votash
Dje pasdite mbyllën procesin e numërimit 3 njësi bashkiake në kryeqytet, ku kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, avancoi me një diferencë votash prej 639 votash. Edhe pse për më shumë se 12 orë me radhë kandidati Basha kishte udhëhequr dy ditë më parë në tërësi me numë të theksuar votash në të gjithë bashkinë e Tiranës, bllokimi i KZAZ-ve nga komisionerët socialistë, sollën ngadalësimin e procesit, avancimi i Lulzim Bashës me numër votash në rritje, është i pashmangshëm. Numërimi në KZAZ-në nr. 54, njësia bashkiake nr. 10 në kryeqytet, shkoi dje pasdite në mbyllje të plotë, duke nxjerrë fitues pikërisht Lulzim Basha me një diferencë prej 520 votash, ndaj Edi Ramës të Partisë Socialiste. Basha ka marrë 6226 ndërsa Rama ka marrë 5702 vota. Gjithashtu, ka përfunduar edhe numërimi me numërimin e 25 qendrave të votimit për kryetarin e bashkisë. Ka përfunduar numërimi edhe për anëtarët e Këshillit Bashkiak, ku PD kryeson me 8305 vota kundrejt 4822 votave qe ka PS. Edhe në njësinë bashkiake nr. 4, me KZAZ nr. 48, kandidati demokrat Lulzim Basha fitoi me 119 vota më shumë se Rama. Lulzim Basha vazhdon epërsinë e thellë në njësinë bashkiake nr. 11 ose në KZAZ 55, në njësinë bashkiake nr. 8 ose KZAZ nr. 52, në njësinë bashkiake nr. 9 ose KZAZ nr. 53 dhe në njësinë bashkiake nr. 2 ose KZAZ 46.
Pritet që të ketë një ngushtim të diferencës në njësinë bashkiake nr. 6 të Kombinatit dhe njësinë bashkiake nr. 5 në zonën e ish bllokut. Aktualisht, në dy njësitë e fundit Basha brenda pak minutash ka rikuperuar një numër të konsiderueshëm votash. Ndërsa në njësinë bashkiake nr. 1, KZAZ 45, ku numërimi u mbyll mbrëmë ka fituar Edi Rama i PS me 9675 vota kundrejt Bashës i cili mori 9191 vota.
Gjatë ditës së sotme pritet një rezultat paraprak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me ecurinë e procesit të numërimit në të gjitha KZAZ-të e kryeqytetit. Ajo që mund të jetë risia apo oguri i mirë i rezultatit zgjedhor në bashkinë e Tiranës, është se avancimi i kandidatit demokrat, Basha është vërtetë i ndjeshëm, në një kohë kur bastionet e PD-së, pikërisht njësia bashkiake nr. 8 dhe nr. 11 në kryeqytet, duken qartazi që kanë një trend në rritje drejt kandidatit të Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha.
Minarolli: Basha fitoi në njësinë Nr. 10 me 525 vota më shumë
Nënkryetari i KZAZ numër 54 , ne njësinë 10 , Ervin Minarolli u shpreh se numërimi i votave ka qenë i rregullt dhe procesi ka qenë transparent. Zoti Minarolli theksoi fitoren e kandidatit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në këtë zonë me 525 vota më shumë se kandidati socialist, Edi Rama. “Kjo zonë ka pasur një rezultat shumë pozitiv, ndër më pozitivin e viteve të fundit. Kandidati i Partisë Demokratike Lulzim Basha fitoi në këtë zonë me një epërsi prej 525 votash përpara, krahasuar me rezultatet e mëparshme të cilat kanë qenë negative për këtë zonë. Është një përmbysje dhe është një fitore e thellë e kandidatit Basha, është një fitore e thellë e Partisë Demokratike”, tha nënkryetari i KZAZ-së numër 54 , në njësinë bashkiake nr. 10 në kryeqytet.