Rreziqet pas heqjes së 28 Nëntorit
Sikurse në cirkun e fjetur qiellor, që e sodisin një sy fëmijësh, ashtu edhe në cirkun e Politikës së Madhe, gjërat janë ato që kanë qenë gjithmonë, ndërsa e vetmja gjë e re janë ata sy. Por enigmat kozmike, gjithsesi, nuk janë temë e këtij shkrimi. Tema e vërtetë, është vendimi i qeverisë "Thaçi" që të heqë 28 Nëntorin nga kalendari i festave të shtetit. Sa për një krahasim sqarues për absurdin e këtij vendimi, mjafton të thuhet se kushdo që do që ta festojë 28 Nëntorin, do të duhet të shkojë në Shkup, ku qeveria e atjeshme e ka vendosur në kalendarin e festave zyrtare. Por, për të gjithë ne që e kemi marrë seriozisht Pakon e Ahtisaarit, d.m.th., më seriozisht sesa formulimi i paqenë i "tagrës për pavarësi", ky vendim nuk është i shumë i çuditshëm! Shkurt, heqja e 28 Nëntorit nga lista e festave, përveç relevancës në rrafsh simbolik, në fakt, është problemi i vogël, krahasuar me çfarë na pret. Por, për shkak të Domethënieve të mëdha të 28 Nëntorit, kjo nuk do të thotë se nuk ia vlen që tash të kthehemi te profili i politikanëve që e kanë miratuar Ahtisaarin dhe heqjen e çfarëdo elementi kombëtar shqiptar, nga të gjitha dokumentet e Kosovës. Në shikim të parë, profili i tyre është ai i patriotëve të padiskutueshëm. Të thuash, ata janë "Patriotë me Letra"! Në total, shohim pamjen e një klase politike ku thuajse secili ka sakrifikuar pothuajse gjithçka për Kosovën. Shohim aty, po ashtu, edhe profesorë e doktorë të urtë që dinë gjithçka nga dijenia, ndërkohë që vazhdimisht vuajnë për atdhe. Shkurt, duket se Kosova nuk ka profil më të lartë patriotiko-dijetar, sesa ata që janë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Pra, duket se çfarëdo vendimi që sjell kjo Qeveri dhe ky Kuvend, disi e ka të garantuar paraprakisht se do të jetë vendim i padiskutueshëm patriotik. Por, e pamë para pak ditësh formulimin e guximshëm të zotit Thaçi, se "Kosova nuk është shtet i ndërtuar në parime etnike". Mirë shumë! Pra, e kuptojmë se Kosova e Ahtisaarit dhe e Thaçit nuk u mbetet shqiptarëve. Por, dorën në zemër, as serbëve jo! Madje supozohet se nuk është as shtet dykombësh, shqiptaro-serb. E kemi dëgjuar disa herë tashmë se bëhet fjalë për një model krejt tjetër- "glanc" të ri të shtetësisë, ku kategori themelore përcaktuese është Qytetari, ndërsa përkatësia kombëtare është ose një kategori e trashëgimisë së keqe europiane, ose thjesht politikisht irelevante! Mjaft e qartë! Por, jo edhe absolutisht e qartë! Sepse, ta zëmë, parimet e miratuara të decentralizimit, praktikisht i takojnë një koncepti krejt tjetër. Sepse, ta zëmë, në Kosovën e zotit Thaçi, pushteti do të jetë i organizuar pikërisht në baza etnike/kombëtare. Në përgjithësi, e gjithë kjo melodramë narrative e një "shteti qytetar kosovar", i cili duhet të ketë kapacitete ideologjike që të tejkalohen kontradiktat historike shqiptaro-serbe, ngjan tepër shumë me rrëfimet e dikurshme utopike të ndërtimit të "shoqërisë pa klasa". Në këtë pikë, as vetë Ahtisaari nuk mund të kishte dilema; prandaj, si një njëri i mençur që është, edhe e bëri këtë koncept etnik të decentralizimit. Dhe, e them pa ironi, ndoshta gabimi themelor i negociatorëve tanë ka qenë pse nuk kanë kërkuar për komunitetin shqiptar, të drejtat e njëjta sikurse ato që i kanë takuar komunitetit serb - nëse vetë shteti i Kosovës vërtetë është absolutisht neutral sa i takon përkatësive kombëtare të qytetarëve të saj? Por, ajo që në fund të të gjitha rrëfimeve për Kosovën e Ahtisaarit duket krejt e pakuptueshme, është gatishmëria e gjithë atyre luftëtarëve, çlirimtarëve e trimave të dikurshëm të UÇK-së, të LPK-së, të LDK-së e të FARK-ut, që dukej sikur vinin nga Rrëfimi Shqiptar i Botës, që të heqin dorë nga gjithçka që përbën Emrin. A ia vlen? Unë besoj se jo! Por, sa për ta mbaruar disi këtë shkrim, dua t'i kthehem fillimit dhe konstatimit se sytë e fëmijës janë e vetmja risi në kozmosin e soditur. Ta zëmë, unë ende e mbaj mend pak fëmijërinë dhe rrëfimet për luftëtarët Fadil Hoxha dhe Enver Hoxha.
Dhe, nuk shoh asnjë dallim më Yjet që shohin fëmijët e sotëm.
*Autori është analist i gazetës së Kosovës "Express". Titulli në origjinal është "Ruana Zot nga Patriotët!"