Rrëzohen ankesat e VMRO-së për rivotim në Kërçovë
KSHZ mbrëmë vonë vendosi që të mos ketë rivotime në komunën e Kërçovës, pasi që ka hedhur si të pavlefshme dy ankesat e partisë VMRO-DPMNE. Anëtarët e KSHZ (Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve) për disa orë kanë debatuar lidhur me dy ankesat që janë drejtuar nga VMRO-DPMNE, e cila kishte nënvizuar se në ditën e votimeve në zonën e Kërçovës, kryesisht në vendbanimet rurale ka pasur shkelje dhe parregullësi në procesin zgjedhor, si votime familjare, dhënie të fletëvotimeve pa radhë si dhe shumë ndërhyrje gjatë votimit të qytetarëve.
Por kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko dhe anëtarët e tjerë kanë theksuar se në procesverbalet e komisioneve komunale zgjedhore nuk ka pasur asnjëlloj vërejtje.
“Procesverbalet dhe vërejtjet e Komisioneve Zgjedhore Komunale ishin dorëzuar gjysmëore pas përfundimit të votimeve”, theksoi kryetari i KSHZ-së, Kondarko.
Kundër ankesave të VMRO-DPMNE është deklaruar edhe nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi. “Sipas tij, ankesa vlerësohet e pabazuar dhe se në bazë të saj nuk mund të veprohet dhe të shqyrtohet edhe në aspektin ligjor”, theksoi Jakupi, duke shtuar se ankesa është një akrobacion politik i një partie politike, e cila ka dorëzuar me vonesë ankesën.
Ankesa e dytë ka pasur të bëjë me llambën UV dhe spërkatësin, të cilët siç thuhet nuk kanë funksionuar si duhet dhe nuk kanë lënë shenja në gishtin tregues të qytetarëve që kanë votuar. Por, edhe kjo ankesë është hedhur poshtë. Anëtarët shqiptarë të KSHZ-së kanë votuar kundër, LSDM është treguar e përmbajtur, ndërsa VMRO-DPMNE ka dështuar në fuqizimin e këtyre dy ankesave, për të realizuar qëllimin e rivotimeve në komunën e Kërçovës.
KSHZ sot do të vendos për ankesën e PDSH-së, ankesën e BDI dhe dy ankesa për Strumicën. KSHZ për shkak të volumit të ankesave dhe debatit të stërzgjatur, ka shtyrë edhe për disa orë shqyrtimin e këtyre ankesave.
INA