E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Qarkut të Elbasanit “votojnë” 3 ligjet e integrimit

29-03-2013 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Topalli: Muri i bllokimit do shembet në 23 qershor


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, një grup studentësh të Universitetit të Elbasanit. Kryeparlamentarja informoi të rinjtë me punën dhe funksionet e Kuvendit si hallka më e rëndësishme legjislative. Më pas ajo bashkëbisedoi me ta për aktualitetin politik, projektin e mazhorancës për katër vitet e ardhshme dhe integrimin europian. Refuzimi për të tretin vit radhazi të statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, ka bërë që pjesë e këtij debati të përfshihen të gjitha grupmoshat. Të rinjtë, veçanërisht studentët, janë shtresa më sensitive e përsa i takon sfidave të integrimit dhe përfitimeve prej statusit të vendit kandidat në BE. Ndaj, studentët e qarkut të Elbasanit i kërkuan kryetares së Kuvendit, votimin në mënyrë simbolike të 3 ligjeve të Brukselit. Në një koment të saj në Facebook, Topalli shprehet se “të rinjtë duan integrimin, ashtu si shumica e shqiptarëve”. “Ata më kërkuan nëse mund të votojnë në mënyrë simbolike tre ligjet e integrimit. Me shumë kënaqësi hapëm votimin dhe të gjithë, në unanimitet votuan tre ligjet në tre sekonda. Ata duan integrimin, ashtu si shumica e shqiptarëve. Renato, një student i ulur në karrigen e Kryeministrit tha se të rinjtë do të japin votën e tyre për të shembur murin e bllokimit ashtu si në vitin “90” ishin të rinjtë ata që shembën murin e izolimit. Renato është një nga mijëra të rinjtë shqiptarë që duan Shqipërinë në Europë. Ata janë pjesë e ndryshimit! Përpara! Miqësisht Jozefina”.


Aktiviteti u organizua nga kryetari i Këshillit Kombëtar Studentor, Qamil Dika ndërsa morën pjesë edhe deputetë të Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Dashnor Sula, Ardian Turku dhe Adriana Gjonaj. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›