E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rrëzohet” heqja e vizave me Serbinë, PS kundër

SHKRUAN: Fejzi Braushi 19-10-2011 11:23

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë rrezikojnë të përkeqësohen. Kjo për shkak se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka mundur dot dje që të miratojë në komisione marrëveshjen e heqjes së vizave për shtetasit shqiptarë dhe serbë për të hyrë në vendet respektive, e nënshkruar pak kohë më parë nga ministritë e jashtme të të dy vendeve. Shkak për këtë është bërë pikërisht vota kundër e opozitës, e cila e ka vlerësuar atë si jo në kohën e duhur, për sa kohë një pjesë e kombit shqiptar në veri të Kosovës ballafaqohet me dhunën dhe sulmet e serbëve. Si rrjedhojë e këmbënguljes së opozitës, Komisioni i Sigurisë Kombëtare për të mos rrëzuar fare marrëveshjen ka vendosur që seancën ta vijojë në një ditë tjetër, kur mazhoranca e djathtë të ketë shumicën e duhur për ta miratuar atë.

Debatet

Ndonëse në dukje një marrëveshje tip e nënshkruar edhe me shumë vende të tjera të rajonit, projektligji i paraqitur nga Këshilli i Ministrave për t’u miratuar dhe nëpërmjet të cilave propozohet ratifikimi i marrëveshjes për heqjen e vizave mes Serbisë dhe Shqipërisë, ka shkaktuar debate të gjata dje në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Që në nisje të seancës ka qenë deputeti Paulin Sterkaj ai që i ka kërkuar drejtuesit të mbledhjes të shtyjë miratimin e këtij projektligji për një kohë më të vonë, deri sa situata në veri të Kosovës të përmirësohet dhe negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit të ecin përpara. Ndërkohë që të njëjtin qëndrim e kanë mbajtur më pas edhe deputetët e tjerë të opozitës, të cilët në unison kanë vlerësuar se nuk ka sens që ndërsa shqiptarët në Kosovë të vuajnë problemet e nxjerra nga serbët, Shqipëria të veprojë sikur s’ka ndodhur asgjë dhe të miratojë heqjen e vizave për serbët. “Pavarësisht se ne në parim jemi dakord që kjo marrëveshje të miratohet, momenti në të cilin prezantohet kjo akt-marrëveshje nuk është i duhuri. Do të ishte e udhës që ne ta shqyrtojmë këtë marrëveshje në një afat tjetër, pasi të shohim sesi do të ecin dhe si do të jetë ecuria e zhvillimeve në Kosovë”, - tha nënkryetari Gjoni në emër të opozitës. Por ndërkohë, përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme, Suela Janina ka kërkuar të qartësojë deputetët se marrëveshja nuk ka asgjë ndryshe nga marrëveshjet e tjera të këtij lloji dhe se ajo u shërben qytetarëve. Por ky argument nuk ka kënaqur sërish deputetët e opozitës, të cilët kanë theksuar se për hir të interesave të qytetarëve të Kosovës që përballen në veri me problemet e lindura, kjo marrëveshje nuk duhet të miratohet në këtë moment. Madje ata kanë kërkuar sqarime nga ministri lidhur me ecurinë e procesit të ratifikimit nga pala serbe, si dhe një analizë të situatës dhe risive që sjell kjo marrëveshje për palën tonë. Por nuk ka qenë në këtë mendje mazhoranca, e cila ka kërkuar që për çështje të tilla duhet të tregohet më shumë kujdes, pasi ato kanë një ndjeshmëri të lartë dhe mund të cenojnë stabilitetin jo vetëm mes dy vendeve, por gjithë Ballkanit. “Besoj se duhet të ishte një diskutim ndoshta pak më konfidencial. Besoj se këtu flitet për interesa më madhore dhe rasti i një kërkese të tillë për të shtyrë një marrëveshje nuk besoj se sjell ndonjë zhvillim pozitiv. Për të qenë më i drejtpërdrejtë, kondicionime të tilla besoj se duhet të vijnë në mënyrë të koordinuar dypalëshe. Nuk mund të kemi një qëndrim të opozitës dhe një të mazhorancës për çështje që janë me ndjeshmëri të tillë, çështje të cilat ne i konsiderojmë si çështje kombëtare”, - tha deputeti demokrat Gazmend Oketa.

Shtyrja

Në përfundim të debateve kreu i komisionit, Leonard Demi për të shmangur problemet që mund të lindin nga mosmiratimi i kësaj marrëveshjeje, ka tentuar që ta kalojë atë për miratim në seancë si vullnet të shumicës qeverisëse, edhe pse në sallë ishte në pakicë. Por deputetët e opozitës kanë kërkuar që të hidhet në votë, çka ka detyruar Demin që ta shtyjë mbledhjen për një ditë tjetër.

Debatet në komisionin e Sigurisë për heqjen e vizave me Serbinë

Ilir Gjoni: Pavarësisht se ne në parim jemi dakord që kjo marrëveshje të miratohet, momenti të cilin prezantohet kjo aktmarrëveshje nuk është i duhuri. Do të ishte e udhës që ne ta shqyrtojmë këtë marrëveshje në një afat tjetër, pasi të shohim sesi do të ecin dhe si do të jetë ecuria e zhvillimeve në Kosovë.

Gazmir Bizhga: Ne me Serbinë nuk kemi pika të kalimit kufitar tokësor dhe nuk jemi vende të drejtpërdrejta kufitare. Ndaj një shtetas shqiptar, nëse do të marrë përsipër në bazë të kësaj marrëveshjeje të lëvizw i lirë, do të kalojë nëpër territorin e Kosovës dhe më pas në Serbi. Flasim sot, aktualisht kemi dy pika doganore të Kosovës dhe Serbisë, të cilat nuk mund të bëjnë të mundur zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Nuk e di nëse pala serbe e ka miratuar këtë marrëveshje në Kuvendin e saj. Ne kemi shumë probleme të ndërmjetme, ndjeshmëria që kemi për marrëdhëniet me Kosovën dhe me stabilitetin në përgjithësisht në rajon na bëjnë që të jemi më të vëmendshëm dhe të kujdesshëm me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Nuk besoj se ka shumë shqiptarë që e kanë shumë të domosdoshme heqjen e vizave dhe lëvizjen për në Serbi.

Ilir Gjoni: Dua një sqarim nga përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme.

Suela Janina:Marrëveshja bëhet për njerëzit dhe jo për besimin e qeverive.

Paulin Sterkaj: Mos bëj politikë ti, fol teknikisht!

Suela Janina: Marrëveshja ka qenë produkt i negociatave që janë bërë mes ekspertëve me qëllim lehtësimin e lëvizjes së shtetasve. Nuk diskutohet për pikat e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, apo Kosovës dhe Shqipërisë. Pra bëhet fjalë për pikat ajrore, Rinas-Beograd.

Xhemal Qefalia: Parlamenti serb e ka ratifikuar?

Suela Janina: Nuk kemi informacion sepse ne funksionojmë në bazë të shkëmbimit të notave verbale që sjell secila palë, pra nuk veprojmë me procedura të ndërmjetme. Njoftimi i miratimit dhe shpalljes së marrëveshjes në Fletoren Zyrtare nuk ka ardhur ende.

Ilir Gjoni: Pra, ju nuk keni bërë një analizë nëse marrëveshja do të ketë impakt në Shqipëri dhe për Kosovën?

Suela Janina: Janë bërë analiza nga drejtoritë përkatëse, por për këtë duhet të flasin titullarët.

Ndue Paluca: Mendoj se marrëveshje të tilla janë shumë të nevojshme dhe të domosdoshme dhe nuk besoj se bllokimi i saj do të ndikojë në qëndrimin e Serbisë në veriun e Kosovës

Piro Lutaj: Qëndrimi ynë është fare i thjeshtë dhe i qartë. Ne nuk kemi problem me marrëveshje të tilla, por këtu çështja është që për hir të së vërtetës, një pjesë e kombit tonë ka probleme të rëndësishme. Dhe unë do të mbështesja propozimin për të shtyrë miratimin në një kohë tjetër.

Leonard Demi: Këtu ka dy qëndrime: shumica kërkon që të kalojë për seancë plenare, dhe një qëndrim i opozitës për ta shtyrë për një kohë tjetër.

Paulin Sterkaj: Ne nuk mund t’i përjashtojmë se kalimet kufitare janë dhe ato mes Kosovës dhe Serbisë.

Leonard Demi: Zoti Sterkaj, marrëveshja është që të kalojmë pa viza dhe nuk thotë se duhet të kalojmë pa viza vetëm me avionë.

Gazmend Oketa: Kam përshtypjen që duke mirëkuptuar të gjitha diskutimet, jam i bindur se brenda të gjithë ndajnë të njëjtin shqetësim, por kam përshtypjen se po marrim pak atributet e Komisionit të Politikës së Jashtme. Diskutimi primar duhet të fokusohet mbi çështjet e sigurisë. Ky projektligj natyrisht që do të kalojë edhe në Komisionin e Politikës së Jashtme, ku ne mund të kërkojmë një informacion të detajuar. Nga ana tjetër, personalisht e kam pak të vështirë ta kuptoj se nuk di dhe nuk kam informacionin se cili ka qenë qëndrimi i përfaqësuesve të opozitës në konferencën e kryetarëve kur ka kaluar kalendari i punimeve, që me sa jam në dijeni, është miratuar me konsensus edhe në seancë plenare. Impostim i diskutimeve në një mbledhje komisioni të hapur për çështje të tilla që kanë një ndjeshmëri jo thjesht në raport midis dy vendeve tona, por besoj se edhe në klimën e sigurisë në të gjithë rajonin. Besoj se duhet të ishte një diskutim ndoshta pak më konfidencial.

Leonard Demi: Për sa i përket problemeve në Kosovë, shteti ynë po punon me të gjitha mjetet që ka për ta zgjidhur sa më shpejt problemin, por mos të harrojmë se bisedimet janë të drejtuara nga BE-ja dhe Serbia është e ftuar për të shkuar para në bisedime. Miratimi ose jo i kësaj marrëveshjeje sot apo nesër, nuk besoj se luan ndonjë rol shumë të madh në zhvillimin e këtyre bisedimeve.

Gjoni: Çdo vendim në komision votohet dhe ne sot jemi më shumë se ju, ndaj vendimi është që të shtyhet.

Lutaj: Shumica e komisionit vendosi që të mos e kalojë në këtë moment marrëveshjen në seancë.

Demi: Ne do ta shtyjmë marrëveshjen për një seancë tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›