E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli i kërkon qeverisë 40 milionë USD për Parlamentin e ri

SHKRUAN: Fejzi Braushi 19-10-2011 11:15

Kuvendi vendos që të nisë ndërtimin e kompleksit të ri. 12 milionë dollarë parashikohen për projektin teknik, ndërsa 28 milionë për nisjen e ndërtimit. Ministria e Financave i cakton si fond tavan vetëm 847mln lekë për shpenzimet.

Pamundësia për të siguruar një investim të huaj për ngritjen e kompleksit të ri parlamentar ka detyruar Kuvendin që t’i “kthejë sytë” nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, pra nga Buxheti i Shtetit. Në mënyrë zyrtare, institucioni i Kuvendit ka vendosur t’i kërkojë Ministrisë së Financave jo pak, por plot 40 milionë dollarë për vitin 2012, vetëm për të përballuar kostot e fazës së parë të ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar dhe ku parashikohen përballimi i zbatimit teknik të projektit, prishja e Piramidës dhe nisja e punimeve për ngritjen e godinës së re. Shifra prej 4 miliardë lekësh të reja është parashikuar në projektbuxhetin që ka përgatitur Kuvendi për vitin 2012 dhe që ditën e hënë është miratuar në Byronë e këtij institucioni.

Kërkesa

Pavarësisht se e pranoi që projekti për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar nuk do të mund të realizohet plotësisht brenda nëntorit të ardhshëm, pra për 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli nuk ka hequr dorë prej kësaj nisme. Në kushtet kur përpjekjet për të gjetur një financim krejtësisht të huaj me terma interesi shumë të ulëta duken të dështuara të paktën tani për tani, kryetarja e Kuvendit kërkon që projekti të nisë që me financim të buxhetit të shtetit. Për këtë arsye, në mënyrë të papritur institucioni që ajo drejton ka parashikuar që t’i kërkojë qeverisë, dhe më saktësisht Ministrisë së Financave që të financojë me këste në një periudhë kohore që zgjat më shumë se dy vite ndërtimin e këtij kompleksi parlamentar. Dhe për vitin që vjen ky institucion ka parashikuar në projektbuxhetin e vet, që t’i kërkojë një shumë që shkon diku tek 40 milionë dollarë. Thënë më saktë, ashtu siç edhe paraqitet në këtë draft-buxhet, 4 miliardë lekë të reja. Shumë kjo që detajohet në dy zëra: në Projekt-parlamentin e ri dhe në ndërtimin e parlamentit të ri. Për zërin e parë, pra për zbatimin e projektit teknik, Kuvendi në projektbuxhet kërkon nga Ministria e Financave 1.2 miliardë lekë të reja, ndërsa për zërin e dytë, atë të ndërtimit të parlamentit, kërkon 2.8 miliardë lekë të reja. Në total, 4 miliardë lekë. Nga sa kuptohet, për vitin e ardhshëm drejtuesit e këtij institucioni parashikojnë që të nisin nga zbatimi në praktikë i projektit, pra duke filluar së pari me prishjen e Piramidës, krijimin në vend të saj të sheshit të ndërtimit dhe më pas në varësi të fondeve që ka në dispozicion edhe të fillimit të ndërtimit të godinës. Duhet theksuar se shuma e kërkuar për kompleksin e ri parlamentar përbën 4/5 e gjithë buxhetit të kërkuar në total nga ky institucion për vitin e ardhshëm.

Por duket se kërkesa e Kuvendit për 40 milionë dollarë në këtë periudhë krize financiare duket një luks dhe për rrjedhojë nuk pritet të miratohet nga Ministria e Financave. Kjo edhe për faktin se ky institucion që detajon Buxhetin e Shtetit, i ka parashikuar si shumë tavan vetëm 847 milionë lekë, çka nuk përmbush as nevojat e tjera operative të këtij institucioni.

Projektbuxheti

Kështu, për sa i përket projektbuxhetit në tërësinë e tij, Kuvendi ka parashikuar një kërkesë prej 4.96 miliardë lekësh të reja. Pra po të zbresim nga kjo shifër 4 miliardët që kërkohen për kompleksin parlamentar, Kuvendi kërkon për shpenzimet e tjera vjetore (paga, sigurime, pajisje) 960 milionë lekë. Shumë kjo që sërish është më e lartë sesa tavani që Ministria e Financave ka parashikuar t’i japë këtij institucioni për vitin 2012. Bëhet fjalë vetëm për 847 milionë lekë të reja, që Ministria e Financave ka parashikuar për këtë institucion për vitin e ardhshëm. Për këtë arsye këto kërkesa pritet të bëhen objekt debati midis Kuvendit dhe Ministrisë së Financave, e cila siç duket e ka të pamundur që të tolerojë dhënien e një shume prej gati 50 milionë dollarësh për legjislativin për vitin e ardhshëm. Megjithatë, siç ndodh gjithmonë, jemi në fazën fillestare të projektimit të nevojave financiare që ka çdo institucion dhe më pas do të vijë dhe negocimi i tyre me Ministrinë e Financave, e cila nga ana e saj u ka paraqitur paraprakisht atyre një buxhet limit për vitin e ardhshëm.

1.2 Miliardë lekë kërkon Kuvendi në projektbuxhetin e përgatitur prej tij për vitin 2012, vetëm për projektin teknik të kompleksit të ri parlamentar

2.8 Miliardë lekë ka parashikuar në këtë projektbuxhet Kuvendi për nisjen e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar. 4 miliardë është shuma në total në këto dy zëra.

847 Milionë lekë ka parashikuar si fond limit Ministria e Financave për institucionin e Kuvendit të Shqipërisë për vitin e ardhshëm. Shifër kjo më e vogël edhe sesa ka parashikuar Kuvendi për paga, sigurime, e investime të tjera të vogla

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›