Gjinushi: Garancitë që duam për zgjedhjet e reja
Kreu i PSD-së tha dje pas tryezës së opozitës se tema e reformës zgjedhore ishte një nga pikat kyçe të diskutimit në tryezë. “Opozita do paraqesë platformën e saj për konceptin e reformës zgjedhore, e cila duhet të shtrihet në 4 plane kryesore, me garancitë politike dhe administrative, me garancitë infrastrukturore, me rregullimet që duhen bërë në Kodin Zgjedhor dhe në përmirësime të sistemit zgjedhor”. Sipas tij, shkaku kryesor i vjedhjes, manipulimit, deformimit të votës, është vullneti politik, janë politizimet e institucioneve që merren me zgjedhjet, qoftë ato direkt, qoftë ato indirekt siç është për shembull KKRT-ja apo KQZ-ja. “Prandaj, - shtoi ai, - do të kërkohet paritet i plotë. Ne s’hymë në elementë të veçantë. Sot janë hedhur vetëm pistat kryesore, sepse pastaj mënyra e zbatimit të tyre është pjesë e negociatave”.