Rrëzohet kërkesa e PD-së. KQZ miraton rezultatin e Fierit
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me votë unanime tabelën e rezultateve për qarkun e Fierit, duke rrëzuar kërkesën e përfaqësuesve të PD-së për pavlefshmëri në dy qendra votimi në këtë qark.
Pas shumë debatesh, kutitë 3185 e 3188 të KZAZ nr 20, që përfaqësuesi i PD-së në komision Njazi Kosovrasti kërkoi të shpalleshin të pavlefshme u pranuan të rregullta dhe iu shtuan tabelës përmbledhëse të rezultateve të kësaj zone zgjedhore.
Vendimi u mor pas hedhjes në votë, për të cilat vendosën unanimisht të 7 anëtarët e komisionit.
Mbledhja për rezultatin e Fierit u shoqëruar me debate mes përfaqësuesve të PD-së e PS-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Anëtarët e PD në KQZ kërkuan që të shpallen të pavlefshme rezultatet e kutisë me nr, 3185 e 3188 që I përkasin KZAZ nr 20. Anëtari Njazi Kosovrasti deklaroi se në këto dy kuti ka pasur shkelje ndaj kërkoi shpalljen e tyre të pavlefshme.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i përfaqësuesit të PS-së, Genc Gjonçajt, i cili ka kërkuar jo vetëm përfshirjen e dy qendrave në tabelat e rezultateve përmbledhëse, por edhe mos humbje të kohës si është bërë deri më tani. Sipas tij, kërkesa e PD për këto kuti duhet te ishte ankimuar, gjë që nuk është bërë nga PD-ja.
ora 09.10
Beteja për Fierin, PS merr zyrtarisht mandatin e 9
TIRANË- Përfundon telenovela e zgjedhjeve në Fier dhe mandati i fundit i takon Partisë Socialiste dhe deputeti që do të jetë legjislaturën tjetër në Kuvend është Pirro Lutaj. Janë dashur dy javë votime, sherre, bllokime, protesta, përdorim dhune dhe kontestime deri sa KQZ të numërojë vetë tetë kutitë e fundit të qarkut të dytë në Shqipëri. Numërimi i tyre vendosi përfundimisht raportin e deputetëve në këtë qark, 9 PS, 6 PD dhe 1 LSI. Duke përfshirë edhe tetë kutitë e fundit, numri i votave që ka marrë Partia Socialiste në Fier është 91.760 ndërsa ai që ka marrë Partia Demokratike është 71.239. Sipas formulës zgjedhore, në mandatin e fundit PS është 19 vota më shumë se PD. Ky fakt është pohuar dje nga përfaqësuesit e PS-së në KQZ por edhe nga anëtarët e këtij institucioni.
Maratona e Fierit përfundoi mbrëmë rreth orës 22.00, sërish mes debatesh të shumta. Hapja e kutive të para i dha partisë socialiste një diferencë të ndjeshme votash por që mund të përmbysej nga kutia më problematike e të gjitha qarkut të Fierit, ajo që ndodhej në komunën Ruzhdie. Në kutinë e votimit të kësaj komune ndodheshin 420 fletë votimi, problemi i të cilave ishte se kishin vetëm nga një vulë ndërsa Kodi Zgjedhor kërkon që të kenë dy. Ditën e votimit, përfaqësuesit e PS-së ishin larguar nga qendra duke marrë me vete edhe vulën sepse aty kishte hyrë një person me pistoletë që bënte presion. Sipas PS-së, këto fletë votimi duhen konsideruar si të pavlefshme pasi kodi kërkon që të kenë dy vula. "Për më tepër ato janë mbushur të gjitha nga një dorë. Kjo ka ndikuar në rezultatin që është 385 vota më shumë për PD",- thanë përfaqësuesit socialistë. Por sipas PD, socialistët janë larguar nga qendra e votimit për arsyen e vetme se donin të bllokonin procesin në Ruzhdie sepse ajo njihej si zonë demokrate. Në 210 fletë votimi të kësaj qendre, përveç vulës, ndodhej edhe firma e përfaqësuesit të PSD-së. Në përfundim KQZ vendosi që t'i quajë këto vota të vlefshme me arsyetimin se nuk donte që të krijonte precedentë bllokues.
Një tjetër qendër votimi problematike ishte ajo me numrin 3006, fletët e së cilës janë kontestuar nga PD. Përfaqësuesit demokratë në KQZ kanë pretenduar se 210 fletët që ndodheshin në të duhet të cilësohen si të pavlefshme pasi janë të dëmtuara. Në këto fletë ka një rezultat të qartë në favor të PS-së por ato janë grisur keq nga blloku duke u dëmtuar tek cepat. Pas një debati të shkurtër mes palëve, KQZ hodhi në votim vlefshmërinë e fletëve të votimit dhe rezultati ishte 4-3 në favor të tyre.
10 korrik
PS-PD, betejë për Fierin
TIRANE- Ditën që KQZ duhet të merrte në shqyrtim kërkesën e PS-së për Fierin dhe 9 kutitë e shumëdebatuara, këtij institucioni i është drejtuar edhe Partia Demokratike me një ankimim. Sipas kërkesës së lexuar në mbledhjen e pasdites, PD ankimon rezultatin në Fier dhe në Lezhë, ku kërkon rinumërim dhe rivlerësim të votave. Pas hedhjes në votim, KQZ ka miratuar të marrë shqyrtim këtë ankimim.
Në mbledhjen e pasdites, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar në lidhje me bashkimin e kërkesave ankimore, për t'i shqyrtuar ato së bashku për shkak të kundërshtimeve të njëjta që përmbajnë.
Sipas kreut të KQZ-së, Arben Ristani është shumë e logjikshme që kërkesat të shqyrtohen së bashku, pasi kanë kundërshtime të njëjta dhe ligji parashikon bashkimin e ankimimeve. Ndërkohë nënkryetarja Dëshira Subashi ka kërkuar procedimin e shqyrtimit të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste duke theksuar se kërkesa e PD-së mund të shtohet gjatë procesit.
Megjithatë ky propozim u hodh në votë dhe me shumicë votash, 4 pro e 3 kundër u vendos që kërkesë ankesat për qarkun e Fierit të shqyrtohen së bashku.
Debate ka pasur mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së në komision lidhur me kohën e shqyrtimit të tyre. Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj ka kërkuar mos zvarritjen e ankimimeve.
Pas shumë debatesh, KQZ-ja ka vendosur të shtyjë për nesër ankimimin për Fierin.
*****
Çështja më e nxehtë e rezultatit të zgjedhjeve, kutitë e Fierit diskutohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas ankimimit të PS për të numëruar votat.
Në mënyrë unanime, ky institucion ka pranuar dje që të marrë në shqyrtim kërkesën ankimore të selisë rozë për të numëruar dhe vlerësuar të gjitha fletët e votimit të 9 qendrave të votimit, të cilat janë bllokuar prej ditësh në KQZ.
Në aktankesën e saj per Fierin, Partia Socialiste ka paraqitur 13 kërkesa, që kanë të bëjnë si me rrëzimin e vendimeve të ndërmjetme, që këto katër KZAZ kanë marrë për miratimin e tabelave përmbledhëse të rezultateve, ashtu edhe me kërkesat për hapjen e kutive të bllokuara dhe përfshirjen e tyre në rezultatin final të të gjithë qarkut.