Debate të ashpra për Beratin, Subashi braktis mbledhjen e KQZ
TIRANË- Marrja në shqyrtim e ankimimit të PS-së për Beratin ka shkaktuar debate të ashpra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mes anëtarëve të PD-së e PS-së.
Nënkryetarja e KQZ, përfaqësuese e PS-së në komision, Deshira Subashi ka kërkuar që ky institucion të numërojë votat e pavlefshme të Qarkut të Beratit dhe të rinumërohen KZAZ 2 dhe 3.
Kjo kërkesë është pasur me kundërshtimin e përfaqësuesit të PD-së, Njazi Kosovrasti, që e ka quajtur këtë kërkesë të pabazuar dhe jo të mbështetur me fakte.
Të dy kanë debatuar ashpër dhe Subashi ka lënë mbledhjen, duke thënë se është e dyta herë që Kosovrasti e kërcënon.
"Procesi zgjedhor në Berat është i certifikuar. Nuk do lejoj që një gjë e tillë të ndodhë"- ka thënë ai, duke kujtuar se komisionerët e PS në Berat kanë pasur shumicën dhe procesi është drejtuar nga socialistët.
Por, kundër kësaj janë shprehur përfaqësuesit e PS-së, në komision duke kërkuar rivlerësim të procesit në qendrat e kontestuara.