“Autorët do përgjigjen përpara drejtësisë”

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka
“Vrasja e Kryekomisar Adem Tahirajt, dëshmi e qartë se drejtësia e vonuar, nuk është vetëm drejtësi e munguar, por është padrejtësi, padrejtësi që ka si pasojë humbjen e jetës jo vetëm të punonjësve të policisë, por edhe qytetarëve të këtij vendi”
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, i shprehu dje ngushëllime familjes së Kryekomisarit Adem Tahiraj. Numri një i uniformave blu, është shprehur se rënia në detyrë e komisar Ademi Tahirit është e pazëvendësueshme, një humbje e madhe për familjarët e të afërmit. Sipas ministrit Noka, Policia e Shtetit humbi një kuadër të çmuar. Ministri i Brendshëm ka siguruar familjarët e Kryekomisar Adem Tahirit se autorët do të përgjigjen përpara drejtësisë. Gjithashtu, ministri Noka mori pjesë edhe në Ceremonitë e lamtumirës për nder të Kryekomisar Adem Tahirajt.
Pas ceremonisë mortore, ministri i Brendshëm, Flamur Noka u shpreh se, Policia e Shtetit humbi një profesionist të vyer. Sipas tij, vrasja nga dora kriminale e Kryekomisar Adem Tahirajt është dëshmia më e qartë se drejtësia e vonuar, nuk është vetëm drejtësi e munguar, por është padrejtësi, padrejtësi që ka si pasojë humbjen e jetës jo vetëm të punonjësve të policisë, por edhe qytetarëve të këtij vendi. “Jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit me nderim, respekt dhe mirënjohje të thellë, dëshmorit Adem Tahiraj, i cili ra në krye të detyrës në mbrojtje të rendit e sigurisë së qytetarëve, në luftë kundër krimit. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta, më të thella, bashkëshortes dhe fëmijëve, familjarëve dhe të afërmve të tij. Dëshmori i Atdheut, Adem Tahiraj, dha jetën në përballje me krimin. Policia e Shtetit humbi një profesionist të vyer, të përkushtuar, të devotshëm dhe kurajoz. Familja njeriun e saj më të dashur. Policia e Shtetit në misionin e saj fisnik, për ruajtjen rendit dhe sigurisë së qytetarëve, do të ketë mbështetjen e pakufizuar të Ministrisë së Brendshme, Ministrit dhe gjithë Qeverisë Shqiptare. Vrasja nga dora kriminale e Kryekomisar Adem Tahirajt është dëshmia më e qartë se drejtësia e vonuar, nuk është vetëm drejtësi e munguar, por është padrejtësi, padrejtësi që ka si pasojë humbjen e jetës jo vetëm të punonjësve të policisë, por edhe qytetarëve të këtij vendi. Mirënjohje përgjithmonë për Kryekomisar Adem Tahiraj. U prehtë në paqe! Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjarëve dhe të afërmve të tij!”, deklaroi ministri i Brendshëm, Flamur Noka.