E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet rekursi i Dajtit dhe 2 miqve në Gjykatën e Lartë

24/05/2010 Tentativa e radhës për lehtësime

TIRANË- Dritan Dajti, akuzuar për vrasjen e katër policëve në Durrës më 7 gusht 2009, rrëzohet në Gjykatën e Lartë. Bashkë me të edhe dy bashkëpunëtorët, kunati i tij, Ergest Xhoxhi, dhe ish polici Marenglen Muçaj. Veçimi i çështjes, mënyra e marrjes së provave, pavlefshmëria e provave të organit të akuzës, trajtimi i të pandehurit dhe klasimifikimi i veprës penale, janë disa nga kërkesat e të pandehurve për të cilat ata pretendonin se do të fitonin në Gjykatën e Lartë. Shkalla më e lartë e gjyqësorit nuk ka pranuar të marr në konsideratë rekursin e bërë nga tre të pandehurit, për të cilët ende nuk ka filluar shqyrtimi gjyqësor nga Krimet e Rënda. Janë një sërë kërkesash paraprake të dërguara në shkallën superiore të gjykimit, por për fat të keq për të pandehurit nuk është shqyrtuar asnjë. Për kolegjin penal të kësaj gjykate kërkesat e të pandehurve janë quajtur të pambështetura në ligj dhe në këto kushte ato nuk duhet të kalohen fare për shqyrtim. Menjëherë pas këtyre kërkesave, Dritan Dajti është rebeluar duke mos firmosur asnjë prej njoftimeve të gjykatës që e detyron atë të paraqitet në sallë. Pas kësaj është edhe fakti tjetër që avokati Arben Qeleshi, pasi nuk “çau”, dot me kërkesat paraprake në Gjykatën e Lartë dha dorëheqjen duke bërë më të vështirë vazhdimin e procesit. Marenglen Muça, ish-polici i komisariatit të Durrësit, akuzuar për dhënie ndihme ndaj personit të shumëkërkuar Dritan Dajti, kërkoi të lirohet nga Gjykata e Lartë. Pasi shfrytëzoi dy shkallët e para të gjykimit, Muça nëpërmjet avokatit Agron Lamaj, shkoi edhe më tej. Sipas burimeve, i pandehuri refuzon akuzën dhe nuk është dakord me mënyrën se si është duke u sjell trupi gjykues dhe Prokuroria me të. Pika e parë që ai kundërshtoi ka qenë bashkimi i veprës penale në një dosje me Dritan Dajtin dhe kunatin e tij Erges Xhoxhi. Që në fillim të paraqitjes në sallën e gjyqit, avokatët kërkuan veçimin e dosjes, por një gjë e tillë nuk u pranua. Argumentimi i Prokurorisë ishte i shkurtër dhe bindës për trupin gjykues që e mori në konsideratë. Sipas akuzës, veprimet dhe mosveprimet e të pandehurit Marenglen Muça janë të lidhura me ato të Dritan Dajtit, i cili me ndihmën e marrë prej tij arriti t’i fshihet për bukuri për vite me radhë policisë. Muça e ka furnizuar Dajtin me mjete të policisë si veshje dhe radio. Nëpërmjet saj, Dajti i është larguar disa herë aksioneve të policisë, duke qëndruar për gjashtë vjet në liri. Ndërsa u arrestua më 7 gusht 2009 në Plazhin e Durrësit në afërsi të pistës “Iliria”, teksa ndodhej i shoqëruar me kunatin dhe njerëz të tjerë të afërt. Pas kësaj faze, Muça i refuzuar nga shkalla e parë dhe e dytë i drejtohet Gjykatës së Lartë për të ndryshuar masën e sigurimit. Sipas tij, mbajtja në burg është e padrejtë përderisa asnjë moment i akuzave nuk është i vërtetuar. Nga ana tjetër Dritan Dajti ka më shumë se një vit që nuk i bindet gjykatës për të qenë i pranishëm në gjyq. Ka refuzuar pjesëmarrjen, madje në disa raste nuk ka firmosur duke larguar ftuesit me shenja.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›