E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet skela, plagosen dy punëtorët e ndërtimit



Gjykata për Krimet e Rënda nis gjykimin e “fatit” të pasurive të sekuestruara të Klodian Saliut, anëtarit të “bandës së Durrësit”, i vrarë në vitin 2005.

Togat e zeza të kësaj gjykatë kanë çelur pak ditë më parë procesin gjyqësor të shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë për konfiskimin e disa pronave të Saliut, apo familjarëve të tij, të sekuestruara në muajin prill të këtij viti. Bëhet fjalë për prona që, pas hetimeve të prokurorisë rezultojnë se nuk justifikohen nga të ardhurat e familjes Saliu në kohën e sigurimit të tyre. Në seancën e parë të këtij procesi, zhvilluar pak ditë më parë tek Krimet e Rënda, është paraqitur babai i Saliut, Abedin Saliu. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se ai kërkoi praninë e një avokati për vijimin e gjykimit. Për t’i dhënë kohë për gjetjen e një avokati mbrojtës, gjykata vendosi të shtyjë seancën për në muajin shtator. Në seancat në vazhdim gjykata do të njihet edhe me pretendimet e familjarëve të Saliut, për justifikimin e pasurive të tyre të sekuestruara. Ndërkohë që vendimi i shqyrtimit të kësaj kërkese do të vendosë, nëse pasuritë e sekuestruara do t’i kthehen familjes Saliu, apo do të përfundojnë në arkën e shtetit. Kërkesa e prokurorisë për sekuestrimin e disa pasurive të familjes Saliu, për të cilat organi i akuzës dyshon se janë siguruar në rrugë kriminale, u miratua nga Gjykata për Krimet e Rënda në prill të këtij viti. Referuar vendimit të gjykatës, familjes Saliu iu sekuestruan: një apartament banimi me sipërfaqe 132.95 m2 në Tiranë, dy sipërfaqe truall që kapin shifrën e 2000 metrave katrorë në Durrës dhe tri llogari bankare, njëra me shumën 1.148 euro dhe dy depozita kursimi me shumën 1 946 267 lekë të rinj. Hetimi i këtyre pasurive dhe kërkesa për sekuestrimin e tyre u bë nga prokuroria pas miratimit të ligjit “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë” i njohur ndryshe si ligji “Antimafia”, i cili hyri në fuqi në janar të vitit 2010. Tek “Antimfia” përcaktohet se pasuria e të hetuarve për bandë kriminale sekuestrohet edhe pas vdekjes, por jo më shumë se pesë vjet. Klodian Saliu njihet si një ndër ish-drejtuesit e organizatës kriminale të cilësuar nga prokuroria si “banda e Durrësit”. Ai u ekzekutua në 6 mars 2005 në një atentat, teksa po udhëtonte në aksin rrugor Tiranë-Durrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›