Krimet, Kuliçi takim me zëvendësdrejtorët
TIRANE – Mbajtja nën kontroll dhe menaxhimi i situatës në lidhje me luftën ndaj krimit në përgjithësi, veçanërisht gjatë kësaj periudhe me prurje të madhe të emigrantëve, ku përfshihen edhe shumë elementë të krimit, ishte tema e një takimi të organizuar paraditen e djeshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Agron Kuliçaj, me zëvendësdrejtorët e policive në qarqe. Burime nga takimi pohojnë se mes Kuliçaj dhe zëvendësdrejtorëve u vu theksi tek përballimi dhe ndjekja në mënyrë dinamike e situatës kriminale. Me synimin për parandalimin e krimit në përgjithësi, veçanërisht të krimeve ndaj personit dhe pronës, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash dhe ka planifikuar një sërë kontrollesh në qarqe nga një grup pune i ngritur posaçërisht për përballimin e kësaj situate.
Pranga të riut, qëlloi me armë pas grindjes
TIRANE – Policia e kryeqytetit pohoi dje se ka vënë në pranga 31- vjeçarin Griseld Gjergjaj, me origjinë nga Elbasani. Më datë 30 korrik, rreth orës 02:00, në rrugën “Pjetër Bogdani” në Tiranë, dyshohet se ka qëlluar me pushkë në ambientet e një lokali, pas një konflikti me 22-vjeçarin Erjon Shema. Policia thotë se fatmirësisht si pasojë e kësaj grindjeje nuk ka të dëmtuar. Efektivët e Komisariatit numër një të mbërritur në vendngjarje sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e krimit, si dhe dy gëzhoja që u gjetën te vendi prej nga ka qëlluar i arrestuari. Materialet hetimore në ngarkim të Gjergjajt i kaluan Prokurorisë së Tiranës, nën akuzat “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkohë gjatë paradites së sotme pritet që 32-vjeçari të dërgohet në gjykatë për masë sigurie.
Vidhte pasqyra makinash, kapet maqedonasi
TIRANE - Shërbimet e Komisariatit numër dy të policisë së kryeqytetit arrestuan në flagrancë 21-vjeçarin Bejtulla Islami, banues në Tetovë, me shtetësi Maqedonase, të akuzuar për vjedhje pasqyrash të një mjeti luksoz. Sipas bluve, kapja e tij u krye rreth orës 20:30 të së dielës pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë, pasi dyshohet se ka tentuar të vjedhë pasqyrat e automjetit me targa TR 1491 U. Hetimet e kryera kanë nxjerrë se ky person është autori i vjedhjes edhe të shumë aksesorëve të mjeteve të ndryshme në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua nga policia një armë e ftohtë thikë si dhe një kaçavidë, të cilat i përdorte gjatë vjedhjeve. Policia pohoi se tashmë në ngarkim të tij po punohet për dokumentimin e të tjera vjedhjeve të automjeteve dhe pjesë mjetesh.