Rrëfehet Gjinushi: Zgjedhja e artë në 90-n

Ish-ministri i Arsimit në kohën e diktaturës, sot kreytar i një prej partive të vogla në vend, Skënder Gjinushi, rrëfen si i pa ai ndryshimet e ’90-s dhe përse mendon se zgjidhje e artë do të ishte një hapje si ajo e Kinës me një Parti Komuniste që sjell kapitalizmin. “Formula e artë do të ishte absolutisht hapja që duhet të fillonte me ekonominë. Se ke modelin kinez. Kur mbahet Kina, që nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, po ndërton kapitalizmin. Sepse, një vend shumë i varfër duhet kuptuar që dhe demokracia pa një nivel të caktuar ekonomik, është me shumë defekte”, - thotë Gjinushi në emisionin “Opinion” për Blendi Fevziun. Ndërkohë ish-ministri i Arsimit kujton se si Azem Hajdari kishte paralajmëruar rrëzimin e bustit të Hoxhës, duke ia thënë këtë Ramiz Alisë. “Ka qenë Eduard Selami, Preç Zogaj, Azem Hajdari dhe nja pesë a gjashtë veta dhe një revistë me kopertinë. Aty tha: Ja ministri thuaju propozimin. Seç bëri një ndërhyrje Azemi dhe tha Ramizi: Rri Azem se nuk merr vesh ti. Pastaj, mirë, dakord, - tha. Pesë minuta zgjati. Azemi me humor tha: Ky nesër bie dhe ikëm ne më pas”, - rrëfehet Gjinushi.
Në kuadër të intervistave me aktorët që kanë dominuar në post-diktaturën shqiptare, në kuadër të 20-vjetorit të ndryshimeve në Shqipëri, pak më herët në kohë, si erdhët në krye të Ministrisë së Arsimit në vitin 1987? Kush ju zgjodhi dhe ju propozoi? Ju nuk ishit pjesë e strukturave të Partisë së Punës në atë kohë, ishit anëtar partie, por jo i strukturave drejtuese...
Karriera ime atëherë ka qenë e thjeshtë. Kam mbaruar në vitin 1973, kam bërë doktoraturën në vitet 1973-1977 në Francë, pastaj kam ardhur këtu. Pra, gjithë periudhën deri në vitin 1987, kam qenë pedagog në universitet.
Thjesht pedagog?
Thjesht pedagog.
Anëtar i Partisë së Punës?
Anëtar jam bërë në vitin 1986. Pra viti 1987 është viti i parë pasi isha bërë anëtar partie, sa ishte mbaruar stazhi. Një shenjë, që sigurisht që isha ndër emrat e lakuar, më kishin zgjedhur pa ditur në një forum në Këshillin e Frontit Demokratik, ku ishte dhe Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, pra kishte disa prurje.
Si ishte evidentuar emri juaj?
Ishte evidentuar me siguri nga fakti që shkencat e natyrës kanë qenë dhe mbeten ndër fakultetet më të spikatura në kuadër të universitetit. Atëherë ka qenë periudha kur Shqipëria pas një mbylljeje të madhe, të vetmet kualifikime që pranoheshin kishin qenë bursa që jepte shteti francez. Po në përgjithësi për kulturë franceze dhe gjuhë franceze. Në ato vite, u bë një debat i madh që shkencat ekzakte kishin mbetur mbrapa dhe rrjedhimisht atje nuk kishte dhe rrezik ideologjie dhe mund të dërgoheshin kollaj. U bë ky eksperiment në vitin 1977, ku u dërguan jashtë një për matematikë, një për fizikë dhe një për ekonomi. Ka qenë Mejdani, Plasari dhe një për inxhinieri-gjeologji dhe për inxhinieri-mekanike ose diçka të tillë. Pra në këto fusha, me logjikën e thjeshtë, se po të vazhdohet kështu, do të shkojmë edhe më mbrapa sepse kishin vajtur disa pedagogë për specializime afatshkurtra dhe erdhën me atë imazhin dhe përshtypjen, që u kishte ardhur zor të thoshin se ishin pedagogë për shkak të nivelit të prapambetur. Sidomos matematika, kishte mbetur goxha pas, ndaj dhe atëherë u bë një revolucion në matematikë që u quajt modernizimi i matematikës. Kështu që ky qe një eksperiment dhe emrat tanë, do s’do u lakuan si emra intelektualësh të specializuar.
Cila ishte pjesa më konservatore brenda Partisë së Punës?
Në atë kohë flitej gjithmonë që Ramiz Alia pengohej nga Nexhmije Hoxha. Pastaj, se sa ishte ndarja reale brenda, kuptohet që puna në byro ka qenë gjithnjë e mbyllur. Në kuptimin, nuk ka qenë as qeveria në dijeni në aspektin politik dhe se si ishin rrymat reale. Por bindja ime ka qenë që në çdo rast, Ramizi mund ta kontrollonte më me kurajë.
Çfarë kuptonit ju me ndryshime në atë kohë?
Hapjen. Ishte e qartë që Shqipëria duhet të përshtatej tashmë.
Duke e ruajtur Partinë e Punës?
Jo. Deri në atë kohë, ne nuk kishim krijuar ndonjë grup që të flisnim tamam. Nuk na kishte lënë njeri që të flisnim se çfarë ndryshimesh duheshin bërë. Kishte zëra që vinin, se dihej deri te Ramizi në fakt, kur u zgjodh Ramiz Alia, të tërë besonin se do të kishte ndryshime. Kishte një shpresë. Ishte opinion i tërë.
U zhgënjye si shpresë?
Në një masë po. Pikërisht në çfarë duhej ndryshuar dhe me çfarë shpejtësie duhet të ishte ndryshuar. Në këtë aspekt, nuk ka diferenca.
Përse nuk arriti të ndryshonte me ritmin e duhur, sidomos kur u pa se lindja po rrënohej dhe kur u pa që komunizmi në Shqipëri do të ishte derivat i saj?
Ka pasur kufizimet e veta. Ai i ka mbetur besnik apo rob atij modeli dhe kërkonte që ti gjente zgjidhjet brenda sistemit.
A kuptonte realisht vetë Ramiz Alia se çfarë po ndodhte?
Aty unë kuptoja këtë: që ai patjetër e kuptonte fare mirë se çfarë po ndodhte, por ishte ajo frika e lëshimit. Kush do të jetë reagimi i palës që vjen?
E keni ndier këtë frikën gjatë vitit 1991 tek Alia?
Atje e kemi ndier. Madje edhe ne, se është diskutuar tashmë se pluralizmi do të vinte nga poshtë dhe nga lart. Pozitivja është se kur vjen nga lart, vjen me më pak tension. Pozitivja tjetër është që në Shqipëri erdhi kështu nga studentë dhe intelektualë që është pjesa që nuk i takon, as pjesës së përmbysur, pra as pjesës së shtypur, por është pjesë e intelektualëve që duan të renë. Që nuk duan më luftë klasash, që nuk duan që ti luftosh më për biografi dhe që duan Shqipërinë si Evropa, që shprehej fare thjeshtë. E vërteta është që partitë e para, u krijuan të gjitha me pedagogë. Po të marrësh kryesinë e PS-së, kryesinë e PD-së, kryesinë e PSD-së, nuk e di se kush janë dallimet. Kjo bën, jo siç ndodhi fatkeqësisht më mbrapa, që pluralizmi të vinte dhe natyrshëm dhe real dhe me mend dhe pa tensionime apo përplasje që mund të priteshin. Jo si ndodhi më vonë.
Përse Ramiz Alia vendosi që të shpallte pluralizmin politik përpara takimit me studentët?
Normal, ai po e kishte mbledhur mendjen, më parë do e bënte. Më pas ti shkon në takim i relaksuar. Realisht, unë para se të shkoja në takim vajta tek Ismaili, që në atë kohë frekuentoheshim dhe shkonim pothuajse përditë tek shtëpia e njëri-tjetrit dhe ai ishte duke hapur një shishe shampanjë a verë, e më tha hajde të festojmë se u shpall pluralizmi politik. Aty e kam marrë vesh unë vendimin.
Në drekë?
Kështu që kur vajta tek studentët unë e dija se ishte lejuar. Ishte hapur, por prapë disa na thoshin na mbështet kërkesat tona. I thashë një kërkesë keni dhe dëgjoni lajmet në ora 6, që të mos ua hiqja surprizën. Sado që edhe me vendimin e Plenumit dhe kuptohej edhe nuk kuptohej, se njerëzit ende nuk e kishin atë kulturën që të kuptonin se çdo të thotë të lejohet pluralizmi me një frazë. Kur shkuam atje, sigurisht hyjnë studentët dhe duhet të iknim. Shoqëruesi i Ramiz Alisë na tha, a doni ta takoni? Vajtëm e takuam, ishte shumë i tensionuar se kisha parë ndonjëherë aq të tensionuar.
Pse ishte i tensionuar?
Nga ndryshimi mendoj. Bënte diçka për të cilën kishte shumë dyshime, sepse ndryshe e kishte bërë edhe më parë. Patjetër pastaj, që kur ndërron një sistem nuk është gjë e vogël dihej që kjo mund të eci butë, mund të eci keq. Pra periudha e tranzicionit është shumë e vështirë. Nuk dihen reagimet, kundër reagimet, të gjitha. Normal që do të kesh një tension të tillë. Ne i thamë erdhën studentët, po u zgjidh i thashë unë. Po, po tha, plenumi e miratoi. Do rrini dhe ju tha? Po do rimë edhe ne. Shtuan edhe dy karrige.
Si e mbani mend takimin me Ramizin?
Tani, duke qenë në këtë që tashmë u zgjidh problemi, unë kam qenë shumë indiferent. Në kuptimin që, ishte një gjë e cila e kishte bërë efektin e vet. Negocimi tashmë ishte vetëm një si të thuash, më tepër kush të tregohej më superior në replika etj. Emocioni nëse do të zgjidhet apo s’do zgjidhet po të ishim pa vendim Plenumi, atëherë mund të ishte, sepse ai ndoshta mund të mos ishte ende gati. Të thoshte, jo nuk pranoj, e do të vazhdonte pas një jave. Ndërkohë që protestat do të merrnin një ngjyrë tjetër. Një nga arsyet që plenumi lëshoi, ishte dhe që çdo pesë minuta kishte një lajmërim, që u ngrit edhe filan ndërmarrje, edhe Uzina Traktori ju bashkua studentëve, etj. Që tregonte që kjo po bëhej masive. Rrjedhimisht edhe ndonjë që mund ta kishte mendjen, se hajde një grup studentësh të përkëdhelur janë e kuptuan që reaksioni po shkonte zinxhir. Siç vajti në lindje po ndodhte edhe në Shqipëri.
Zoti Gjinushi, në mbarim të takimit me studentët, a ishte i nervozuar Ramiz Alia? A e kuptonte që po lindte një parti e re politike?
S’diskutohet. Gjithë meraku ose ajo pjesë që unë vlerësoj, ishte pjesa që ishte për ndryshimin dhe ndryshimin e plotë. Ndërkohë që ishte edhe pjesa që ishte e lëkundur dhe pjesa që duhej bërë, por me detyrim. Patjetër që kjo pjesë dy rezerva ka. Një nga konceptet nga vetë bindjet, qoftë edhe nga përfitimet, sepse lëshon diçka dhe e dyta nga reagimi dhe përgjegjësia, sepse thotë që kam 50-vjet në kurriz, luftë klasash dhe pala tjetër do të kërkojë revanshin.
A e dinte Ramiz Alia se mund ta radikalizonte më shumë situatën duke mbajtur emrin e Enver Hoxhës?
Po. Ndaj dhe ai hyri në negociata. Ndaj përmenda se kërkesa e parë mua mu bë nga Sali dhe Azemi me urgjencë. Që më thanë se duhet të negociojmë me urgjencë me studentët që të evitojmë grevën e urisë. Jemi ulur në rektorat dhe kemi folur mbi një orë. Madje thanë, se ja Azemi po përpiqet që të gjejë edhe firmat dopio, por po ashtu do të hyj dhe vetë, sepse nuk mund ta evitoj, por ne nuk duam që të shtrihet. Kemi marrë masa që të mos shtrihet, që të mos shkojë zinxhir. Unë i thashë, ju kujtoheni me vonesë mua tani po më thoni, megjithatë do të bëj një përpjekje. Aty kam bërë një përpjekje në qeveri, që i thashë me rastin e ndryshimit, meqë do të riorganizojmë edhe universitetet, të themi që hiqet emri.
Nuk u pranua kjo ide?
Aty pastaj pati një reagim të keq.
Kush reagoi?
Që nga kryeministri dhe nja dy të tjerë. Aty kam shprehur pastaj dorëheqjen përfundimtare. I thashë përfundimisht ndahemi dhe ndahemi në shumë gjëra me sa duket. Ju keni të tjera qëllime, unë kam të tjera. Pasi kam ikur, më kërkoi Ramizi të nesërmen që të shqyrtonte kërkesën e dorëheqjes, nuk u takuam. Nuk e di, por nuk u realizua takimi, se ku u vonua. Por nëpër shkallë i thashë, këtë radhë nuk është më formale, e evituam të parën, por tani jo.
Keni pasur më pas një takim me Ramiz Alinë?
Po. Jemi takuar, se u takuam me gjithë selinë e PD-së.
Ky ka qenë takimi në Presidencë, që ju hytë me vonesë? Historia e famshme...
Jo historia e famshme, se prandaj janë psikopatë ata. Se njeriu në atë kohë, ishte Saliu që kërkoi të hynte në negociata dhe unë kam vajtur me kryesinë e tyre tek studentët. Tek të gjitha takimet, unë isha negociator i kërkuar prej tyre. Madje me Blendi Gonxhen, këta më prezantuan me kryesinë e grevës. Këta i kanë sjellë tek zyra ime, se thanë se studentët duan të bisedojnë vetë. Meqë këta bënë shumë presion dhe i pashë shumë të shqetësuar, i kam thënë ish-nënkryetarit të PR-së se më dërguan edhe atë dhe i thashë, unë kam dhënë dorëheqjen sa për dijeni. Kam bërë një tentativë të tillë, formula është shumë e mirë, por nuk shoh drita. Të nesërmen e thirra në zyrë Saliun më pas dhe i thashë kështu që unë do të bëj një tentativë dhe ai më tha nuk dua ta di, kam besim tek ty.
Ndërkohë që studentët hynë në grevë urie?
Jo, madje e shtynë edhe grevën e urisë disa orë, i dhanë edhe më shumë kohë me kërkesën time. Atëherë e bëra tentativën dhe u refuzua.
Ku e bëtë tentativën?
Kapa Enver Halilin, që thirri Hekuran Isain që vajti tek Adili dhe përfunduam tek Ramiz Alia në orën 5 të pasdites.
Të gjithë?
Unë, Ismaili, Ahmeti dhe një grup tjetër.
Dhe cili ishte reagimi i Ramizit?
Ai në vend që të merrej me faktin, hiqet po nuk hiqet emri, tha jo po ta kërkojnë studentët, jo po të themi që një nga universitetet e reja do të marrë prapë emrin e Enverit. Atëherë unë i thashë kjo nuk është zgjidhje. Nuk ramë dakord dhe u prish, u la.
E mendonte Ramiz Alia se ç’mund të ndodhte?
Patjetër që e mendonte. Të nesërmen ishte plenumi. Në plenum, na sulmuan.
Ndërkohë që studentët hynë në grevë urie?
Po, kishin hyrë. Vajta ti takoja me Ismailin atë natë, pa mandat. Shkova thjesht për njerëzillëk. Te nesërmen ishte plenumi, në 19 shkurt. Aty sulmuan Ismailin, i thanë mirë Ministri i Arsimit, po ti çfarë deshe tek studentët? Aty Ismaili ua ktheu rëndë nja dy vetave. U bë një plenum sikur nuk ishim në Shqipëri, Ramizi nuk e trajtoi fare. Vazhdoi rendi që kishin pasur, fare për studentët që kishin hyrë në grevë urie. Në fund tha, shiko se është edhe ajo greva që u hap sherri në fillim dhe ka një mendim Ministri i Arsimit, na i ngarkoi ne të dyve. Aty më thirri më pas e më tha cili është propozimi, unë i thashë formulën që e kisha negociuar edhe me Saliun.
Cila ishte përgjigjja e Ramiz Alisë?
Mirë tha, sot në darkë kam takim me opozitën dhe po kam hapësirë tha, do të thërras. Ky është ai takimi i famshëm. Unë isha para takimit tek zyra e Ismail Ahmetit, isha njeriu që i kisha bashkuar në atë radhë dhe diku nga ora 10 e ca ra zilja e telefonit dhe më tha hajde, dhe vajta unë. Ka qenë Eduard Selami, Preç Zogaj, Azem Hajdari, dhe nja pesë a gjashtë veta dhe një revistë me kopertinë. Aty tha, ja ministri thuaju propozimin. Seç bëri një ndërhyrje Azemi dhe tha Ramizi: ri Azem se nuk merr vesh ti. Pastaj mirë dakord tha. Pesë minuta zgjati. Azemi me humor tha, ky nesër bie dhe ikëm ne më pas.
Për foton e monumentit?
Ishte Enveri në foton e monumentit, ai që ra më pas.
Azem Hajdari kishte informacion apo bëri thjesht shaka?
Shaka që doli e vërtetë. Por që dihej që do të binte ose më saktë kuptohej. Çdo njeri e kuptonte.
Sepse ishin thirrur sindikatat?
Ishin thirrur sindikatat, miting të gjithë qendrat e punës. Dimensioni i mitingjeve dihej tashmë, mbi 100.000, jo monument po më shumë... Atëherë ikëm, sigurisht që shkuam tek selia e PD-së se këta donin të merrnin vendim kryesie. Që të kishin edhe miratimin e kryesisë për propozimin. E miratuan dhe ikëm te studentët. Pra kryesia e PD-së bashkë me mua shkuam tek studentët. Ndaj janë shumë qesharakë këta që thonë kështu budallëqesh.
Zoti Gjinushi, nëse unë ju pyes sot pas 20-vjetësh, se sa ka ndikuar negativisht në Shqipëri zgjatja rreth një vit e transformimeve shqiptare nga ato të pjesë tjetër të Evropës Lindore, që u mbyllën me vrasjen e Çausheskut në 1989, ndërkohë që zhvillimet transformuese në Shqipëri, ndodhën në dhjetor. Cili do të ishte mendimi juaj?
Mendoj që veçanërisht pas prishjes me Kinën, që Shqipëria nuk ndoqi as minimumin e modelit kinez të paktën në ekonomi në vitin 1976 që të hapej, që aty fillon tamam kriza ekonomike. Që mbyllja të sjellë pasojat e rënda ekonomike. Se Shqipëria nga viti 1944 deri në 1976, mund të kenë pasur progres, se vinte nga një prapambetje të madhe. Progres me vetveten, jo me ritmet e vendeve të tjera. Por po të shohësh nuk kishte disnivele të mëdha. Më pas në 1976, kur vendet kishin hop të madh, Shqipëria filloi të mbyllej. Dhe mbyllja më drastike ishte kur u vendos, që të mos kishte asnjë lloj aleati, asnjë lloj hapje dhe asnjë lloj mbështetjeje. Sepse sikur vetëm atë model të ndiqje, ti do të dëgjoje një ekonomi të paktën, një ekonomi me pronë private të vogël të sanksionuar, me ekonomi me investime të bëra.
Përkundrazi kufizimi i pronës, erdhi më i fortë në vitet 80...
Kaloi në ekstrem, deri tek lopa, deri tek oborri. Këtu Ramizi zgjodhi gjithnjë mesin. Për shembull, ekonomi tregu apo ekonomi komuniste apo socialiste, zgjodhi mekanizëm i ri ekonomik. Që nuk ishte as mish as peshk. Pluralizëm politik apo monizëm, zgjodhi pluralizëm mendimi. Masat në ekonomi duhet të ishin shumë më të shpejta. Ajo do të zbuste.
Por do të çonte padyshim në ndryshime politike?
Po, por do të ishin më të buta.
Në një nga plenumet, Ramiz Alia shprehet që marrja e kredive, hapja ndaj tregut të lirë, në njëfarë mënyrë është “Kali i Trojës” për ta çuar Shqipërinë në kapitalizëm?
Është thënë edhe se kemi gabuar në arsim se e zhvilluam më shumë seç duhet. Po ishte një nga tezat e lindjes sepse realisht në arsim lindja ka pasur shumë përparim.
Cila do të kishte qenë formula e artë sipas jush?
Formula e artë do të ishte absolutisht hapja që duhet të fillonte me ekonominë. Se ke modelin kinez. Kur mbahet Kina, që nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, po ndërton kapitalizmin. Sepse, një vend shumë i varfër duhet kuptuar që dhe demokracia pa një nivel të caktuar ekonomik, është me shumë defekt. Pra, do një demokraci në mentalitet, me kultura pluraliste vetë, një e kundërshtarit, që nuk e kemi as sot. Ne luftën e klasave e zhvillojmë sot me terma më të këqija, ose aty, aty me ato të komunizmit nga një palë. Dhe në ekonomi sepse po nuk ke një mirëqenie, patjetër që votat kur blihen e shiten, njerëzit ndërrojnë ngjyrë vend e pa vend, sepse luhet edhe për bukë goje, pra për interesa jetike. Pra këto janë të lidhura. Shqipëria e bëri në kushtet e një ekonomie tepër të varfër, tepër të centralizuar, ndërkohë që sot konfliktet i ke tek pronat, i ke më pas të reflektuara edhe në politikë.