E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten cmimet. Shkak ulja e prodhimit vendas

Ulja e prodhimit nga serat dhe fermerët vendas ka sjellë menjëherë rritje të çmimeve për konsumatorët. Ndryshimet që janë me kahe të kundërta janë të pranishme prej disa ditësh në tregjet e pakicës, por sipas fermerëve rritja e çmimeve nuk do të jetë në atë masë sa vitet e shkuara. 

"Tashi në treg nuk janë më ato cmime që kanë qenë më përpara për arsye se prodhimi vjen duke u pakësuar dhe kemi një rritje të cmimeve. Por krahasuar me atë të importit, ato janë 50 për qind nën nivelin e atyre që importojmë, po të marrësh tregun rajonal ", thotë Enver Ferizaj, presidenti i KASH

Për Albanian Screen, kreu i Agrobiznesit thotë se pritet të kemi prodhime të bollshme në sezonin e dytë, ku përfshihen perimet e dimrit. "Vjet kemi eksportuar për herë të parë prodhime të dyta, sic është prasi, lakra, lule lakra,karrota etj. Sipas të dhënave që kemi nga shoqata e fermerëve, rezulton se janë duke u përgatitur. Mund të themi se rreth 50 për qind më tepër sipërfaqe që është mbjellë të dyta. Nuk pritet në perimet e dyta ndonjë bum prodhimesh për tregun e brendshëm po të jetë një treg i furnizuar normalisht sic ka qenë përpara, por diferenca 50 për qind që është mbjellë, ai natyrisht do të shkojë i gjithi për eksport", vijon Ferizaj.

Në pak javë konsumatorët janë përballur me rritje të çmimeve në tregjet e pakicës. Kështu, një kilogram domate, nga 35-40 lekë tani kushton deri në 70 lekë. Kastraveci i serave vendase në shtator kushtonte 40-50 lekë me pakicë, ndërsa tani çmimi ka pësuar rritje me rreth 20 lekë. Konsumatorët thonë se rritje ka dhe për barbunjën me rreth 40 lekë për kilogram, për patëllxhanin dhe spinaqin. Çmimet për dy prodhimet e fundit janë 55 dhe 180 lekë, duke pësuar rritje me rreth 20 për qind.

Të dhënat e vitit 2010 tregojnë se vlera e prodhimit nga bujqësia ishte rreth 172 miliard lekë ndërsa nga agroindustria prodhimi kishte një vlerë prej rreth 55.5 miliard lekë. Në total vitin e shkuar vlera e përllogaritur nga fermerët dhe industritë në këtë sektor ishte 227 miliard lekë.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›