E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha peruron godinen ne Qytetin Studenti

Nën çadrën kuq e zi për t’u mbrojur nga reshjet e shiut të kësaj dite të nëntorit, në ditëlindjen e 100 të shtetit shqiptar, kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e rikonstruksionit të godinës numër një në Qytetin Studenti një investim prej 43 milionë lekësh.

Nga vendi ku më shumë se 20 vjet më parë mori udhë ëndrra evropiane e shqiptarëve, shefi i qeverisë shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuan për të ardhmen e ndritur të Shqipërisë.

“Në një shekull, asnjë komb nuk ka përjetuar ato që kanë përjetuar shqiptarët. Ndaj ky është një moment i madh mirënjohjeje për të gjitha ata që sakrifikuan gjatë një shekulli, që sot, Shqipëria të jetë një vend i lirë, që sot, Shqipëria të jetë vend anëtar i NATO-s, që sot, Shqipëria të jetë një vend që ecën me shpejtësi drejt niveleve të larta të zhvillimit, që sot, Shqipëria të ketë të sigurt perspektivën e saj europiane”- deklaroi Berisha.

E për të pasur vite të tjera të tilla kryeministri vuri theksin tek investimet në arsim, pasi vetëm duke u bazuar mbi dijen, Shqipëria mund të bëhet një vend më i zhvilluar.

“Procesi i rikonstruksionit të godinave në këtë Qytet dhe i ndërtimit të godinave të reja për studentët do të jetë një proces i pandërprerë, në mënyrë që të bëjmë gjithçka të përmirësojmë kushtet e jetës suaj, por edhe për të lehtësuar sa më shumë ngarkesën ekonomike që bie mbi ju, gjatë viteve të studimit në universitet.

Dua të shpreh edhe urimin tim më të mirë, që të ecim vendosmërisht drejt një cilësie gjithnjë në rritje në universitetet tona. Për Shqipërinë dhe për kombin, edukimi, kualifikimi dhe ekspertiza juaj janë të një rëndësie vendimtare, në ndërtimin e një të ardhmeje të merituar”

Ndërsa numri pranimeve në Universitete nga viti 2005 në 2012 është rritur nga 52 mijë në 162 mijë studentë dhe një ndër sfidat në arsim mbetet cilësia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›