E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten kredite e keqija ne korrik

Niveli i kredive me probleme në fund të korrikut, sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e bankave, arriti në 21.5%, nga 21.1% që ishte ky nivel në qershor, po sipas të dhënave të Shoqatës së bankave.
Të dhënat tregojnë se bankat nuk po arrijnë që të frenojnë këtë tregues, i cili nga ana tjetër po shoqërohet dhe me një frenim të huadhënies për ekonominë, teksa ritmet e rritjes së huasë kanë qenë tre herë më të ulëta për periudhën janar-korrik, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të bankës së Shqipërisë.
Sipas të dhënave të detajuara nga Banka e Shqipërisë, deri në fund të qershorit ka vijuar shtimi i huave të humbura (mbi 365 ditë vonesë, kur banka nuk ka më shpresa se mund ta marrë huanë për shkak se kreditori mund të ketë falimentuar, kredimarrësi mund të ketë vdekur dhe askush nuk mund të paguajë kredinë; banka ka nisur procesin e ekzekutimit të kolateralit, apo dhe kredia është ristrukturuar më shumë se dy herë dhe situata nuk ka ndryshuar). Ky tregues është zgjeruar në 6.58%, nga 5.7%, që ishte në fund të 2011-s.
Sipas Shoqatës së Bankave, niveli i treguesit të huasë me probleme reflekton ngadalësimin e ritmit të rritjes së kredisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›