Rriten me 10 % pagat nën 300 mijë lekë
Shumë shpejt, pritet të kalojë në parlament ligji për heqjen e tatimit, për pagat nën 300 mijë lekë, duke sjellë rritjen e tyre me masën 10 përqind. Masa pritet të sjellë përfitime për 120 mijë punonjës të sektorit buxhetor, si dhe atyre të sektorëve të fasonit
Berisha: Të vetmit kundër rritjes së pagave, janë FMN-ja dhe Edi Rama
Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar heqjen e tatim-fitimit për të gjithë ata persona që marrin rrogë nën 30 mijë lekë të reja. Iniciativa e pritshme e qeverisë pritet të depozitohet së shpejti në seancën parlamentare, ndërsa kryeministri sulmoi kreun e opozitës për qëndrimin e mbajtur në raport me rrogat dhe pensionet e qytetarëve.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, kreu i qeverisë Berisha theksoi se, rroga mesatare në këtë vend, e cila ka qenë 240 mijë lekë të vjetra, është rritur në 570 mijë lekë të vjetra, edhe pse FMN ka këshilluar të mos rriten rrogat.
“Unë kam kënaqësinë t’ju informoj juve sot se rroga mesatare në këtë vend, e cila ka qenë 240 mijë lekë të vjetra apo 24 mijë lekë të reja, sot është 570 mijë lekë të vjetra. Dhe, me gjithë respektin e madh që unë kam për Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe që e kam interlokutor të vazhdueshëm, konstant dhe që e respektoj, për hir të transparencës më duhet të them se në të gjitha rastet ka këshilluar të mos rriten rrogat. Dhe se në të gjitha rastet Edi Rama ka votuar kundër rritjes së rrogave. Dhe po të dëgjoja variantin e mos rritjes së rrogave, rroga mesatare do të ishte sot, me ecje breshke, nga 240 mijë lekë në 260 mijë lekë. Ajo do të ishte larg aq sa është distanca midis 260 mijë lekë dhe 570 mijë lekë, por me guxim, me kurajë, me vendosmëri, ne kemi rritur rrogat e pensionet dhe kjo do të mbetet politikë konstante. Në gjithë këtë kuadër, në kuadrin e rritjes së mëtejshme të rrogave, në kuadrin e përmirësimit të mëtejshëm të fleksibilitetit të tregut të punës, në kuadrin e mbështetjes së fuqishme të biznesit, së shpejti ju, të dashur deputetë, do të votoni në Parlament ligjin për heqjen e tatimfitimit mbi punonjësit, rrogëtarët që marrin nën 300 mijë lekë. Dhe kjo nuk është vetëm një 10 përqindësh rritje rroge, por është, njëkohësisht, dhe një mbështetje e madhe për sipërmarrjen, për tregun e punës. Ndaj dhe ky vendim synon shpërndarjen më të mirë të të ardhurave, përpjekjen më të madhe që ato të ardhura të shndërrohen në mirëqenie për qytetarët. Në administratën shtetërore, duhet të jemi realist, numri i punonjësve që marrin nën 300 mijë lekë është i kufizuar, por industria e fuqishme e fasonit merr me këtë rast një frymëmarrje të re të fuqishme. Ne kemi qenë dhe mbetemi të vendosur për gërshetimin e modeleve më liberale, me shpërndarjen më të ndershme dhe më njerëzore”, u shpreh kryeministri.
Berisha tha se qeveria është e orientuar të bëjmë gjithçka për t’iu kundërvënë krizës së sotme ekonomike evropiane dhe botërore, stimujt dhe mbështetjet më të fuqishme ndaj biznesit, në mënyrë që ekonomia jonë të ruajë rritjen dhe të realizojë objektivat.
“Të bëjmë gjithçka për të çliruar biznesin nga ngarkesat e pamerituara burokratike, por edhe për të lehtësuar në maksimumin e pranueshëm dhe barrën e tij fiskale, prej më shumë se tre muajsh me specialistë dhe ekspertët më të mirë të ministrisë së Financave, Këshillit të Ministrave dhe të tjerë janë bërë një seri diskutimesh, debatesh, kalkulimesh, përllogaritjesh dhe është arritur në përfundimin se përpjekja jonë për të ndihmuar biznesin duhet të vazhdojë vendosmërisht. Krijimi i një tregu të lakmueshëm pune duhet të jetë një nga objektivat më madhore. Sikundër, nuk është sekret tashmë që rritja e rrogave dhe pensioneve ka qenë qëllimi më i parë i kësaj mazhorance”, tha kryeministri Berisha.