Benedikti XVI: “Mungesa e fesë mund të ndikojë në vlerën e martesës”
Mungesa e fesë mund të cënojë të mirat e martesës: lindjen e fëmijëve, besnikërinë bashkëshortore dhe pazgjidhshmërinë. Kështu u foli Papa Benedikti XVI, anëtarëve të Gjykatës Rota Romana, të cilët i priti të shtunën në audiencë, me rastin e përurimit të Vitit të ri gjyqësor. Kriza aktuale e fesë, theksoi Ati i Shenjtë, sjell edhe krizën e bashkimit bashkëshortor. Refuzimi i Zotit çon drejt çekuilibrimit të thellë të të gjitha marrëdhënieve njerëzore. Sipas mendësisë mbizotëruese, nënvizoi Papa, vetëm nëse mbetet ‘autonom’, njeriu mund të realizojë vetveten, prandaj ai hyn në marrëdhënie, që mund të prishen lehtë, në çdo çast. Problemi, që shtroi Benedikti XVI, ka të bëjë me ato çifte, që martohen në Kishë, pa pasur fe të vërtetë në Hyjin, por vetëm se kështu duan prindërit, apo sepse ceremonia është më e bukur, apo thjesht, për hir të traditës e të zakonit. Por edhe me ato çifte, që e humbin fenë rrugës, të zhytur në një shoqëri hedoniste, që i bën për vete. Natyrisht, në këto raste, theksoi Papa, duke cituar një dokument të vitit 1977 të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, duhet kuptuar mirë nëse qëllimi i dy bashkëshortëve të ardhshëm është vërtet Sakramenti. Mungesa e fesë, nënvizoi Ati i Shenjtë, bën që ndonjëra nga tre të mirat e martesës, që vinte në dukje Shën Augustini – lindja e fëmijëve, besnikëria bashkëshortore dhe pazgjidhshmëria – të cënohet deri në atë pikë, sa ta bëjë të pavlefshme lidhjen martesore. Papa nuk mungoi të paralajmërojë se nuk duhet abuzuar: “Me këto mendime, nuk kam sigurisht ndërmend të sugjeroj ndonjë lidhje të thjeshtuar automatike ndërmjet mungesës së fesë dhe pavlefshmërisë së bashkimit martesor, por të vë në dukje se kjo mungesë, pavarësisht se jo gjithmonë, mund të cënojë të mirat e martesës, meqenëse pakti bashkëshortor i referohet rendit natyror, dëshiruar nga Zoti”.
Benedikti XVI dha shembullin e sa e sa shenjtorëve, që duke flijuar nganjëherë vetveten për të ruajtur pazgjidhshmërinë e martesës, çuan në shenjtërimin e bashkëshortit dhe të fëmijëve, me një dashuri të përforcuar nga besimi i patundur në Hyjin: “Pikërisht këto përvoja, të karakterizuara nga feja, na bëjnë të kuptojmë edhe sot, sa e çmuar është sakrifica e bashkëshortit të braktisur, ose të atij që pëson, nëse arrin të mos lidhet në një martesë të re, duke pranuar vlerën e pazgjidhshmërisë së lidhjes bashkëshortore… Në këtë rast, shembulli i besnikërisë dhe i koherencës së tij të krishterë merr vlerën e dëshmisë së veçantë para botës e Kishës”.
Papa në Engjëllin e Tënzot: “Kurrë më tmerr i Holokaustit; t’i jepet fund çdo forme të urrejtjes e të racizmit”/Dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u ndalua edhe tek kremtimi i Ditës së Kujtesës, kushtuar viktimave të Holokaustit, sulmit shfarosës të nazistëve kundër hebrenjve. Kujtesa e kësaj tragjedie katastrofike, tha Papa, sot tingëllon si qortim për të kaluarën, në shërbim të së ardhmes, për të mos u përsëritur kurrë më tmerret, që pësoi njerëzimi jo shumë vjet më parë. Kujtoi, më pas, edhe Ditën botërore të të sëmurëve nga gërbula si dhe Ditën e paqes për Tokën e Shenjtë, duke u shprehur afërsinë e tij të gërbulurve dhe të gjithë njerëzve, që e duan paqen e punojnë për mbrojtjen e saj. Në çastin kur po u drejtonte përshëndetjet shtegtarëve, së bashku me dy fëmijë të Veprimit Katolik, Benedikti XVI lëshoi dy pëllumba, me rastin e “Karvanit të Paqes”, në Sheshin e Shën Pjetrit. Kurrë më Holokaust! Kurrë më shfarosje e njeriut nga njeriu! Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, zëri i Papës u ngrit fuqishëm, për t’iu kundërvënë të gjitha formave të urrejtjes e të racizmit. Benedikti XVI kujtoi posaçërisht e me fjalë prekëse, “Ditën e Kujtesës”, kushtuar viktimave të shumta të nazizmit: “Kujtimi i kësaj tragjedie të përbindshme, që goditi mizorisht në mënyrë të veçantë popullin hebraik, duhet të jetë qortim i përhershëm për të gjithë, që të mos përsëriten kurrë më tmerret e së kaluarës, t’i jepet fund çdo forme të urrejtjes e të racizmit e të punohet për respektin dhe dinjitetin e njeriut”.
Para fjalëve për Holokaustin, Papa u ndalua tek Ungjilli i së dielës. Jezusi, pohoi, është e sotmja e shpëtimit të historisë, sepse e përmbush plotësisht premtimin e shëlbimit. Kujtoi, më pas, sesi duhet ta jetojnë të krishterët të dielën. Temë, kjo, së cilës i kushtoi edhe një tweet, pak pas lutjes së Engjëllit të Tënzot. E diela, tha Papa, është ditë pushimi për familjen, por, mbi të gjitha, vijoi, është ditë, që i duhet kushtuar Zotit, duke marrë pjesë në Meshën Shenjte. Nuk duhet harruar kurrë: mbi të gjitha, e Diela është ditë kushtuar Atij: “Në kohën tonë të hallakatur e të shkujdesur, ky Ungjill na fton t’i bëjmë vetes pyetjen mbi aftësinë tonë për të dëgjuar. Para se të flasim për Zotin e me Zotin, duhet ta dëgjojmë, e liturgjia e Kishës është shkolla e këtij dëgjimi të Zotit, që na flet.”
Për të krishterin, shtoi Papa, çdo çast mund të bëhet e sotme e përshtatshme për pendim e kthesë në rrugën e Zotit. E pikërisht këtë kuptim kristian ka shprehja latine carpe diem: kape, shfrytëzoje, të sotmen! Mos e lërë të të ikë, sepse sot Zoti po të thërret për të të dhuruar shëlbimin.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi Ditën e 60-të botërore të të sëmurëve nga gërbula: “U shpreh afërsinë time njerëzve, të cilët vuajnë nga kjo sëmundje, duke u dhënë zemër shkencëtarëve, që e studiojnë; punonjësve, që e mjekojnë dhe vullnetarëve, që e lehtësojnë, e posaçërisht, atyre, që bëjnë pjesë në organizatat katolike dhe në Shoqatën Miqtë e Raul Folerosë”.
Iu lut, pastaj, për të gjithë, Shën Damianit të Vëstre e Shën Marianës Kope, që dhanë jetën për të gërbulurit. Papa falënderoi edhe të gjithë ata që, në të katër anët e botës, organizuan një Ditë të posaçme për paqen në Tokën e Shenjtë. E, duke folur në gjuhën polake, u bashkua me Poloninë, në lutje për Kardinalin Jozef Glemp, që vdiq pak ditë më parë. Në përfundim të lutjes mariane, Benedikti XVI pëshëndeti posaçërisht edhe fëmijët e të rinjtë e Veprimit Katolik romak, të impenjuar në një nismë në shërbim të paqes:
“Të dashur fëmijë, Karvani juaj i Paqes është një dëshmi e bukur! Uroj të jetë edhe shenjë e impenjimit tuaj të përditshëm për të siguruar paqen, kudo që jetoni”.
Një prej fëmijëve i drejtoi Papës këtë mesazh: “I dashur Papë… po provojmë në se jemi vërtet të aftë për paqen a, më mirë të themi, për të qenë bashkëpunëtorë të paqes, që vjen nga Hyji… e, mos harro, i dashur Papë: Veprimi Katolik Rinor i Romës të do gjithnjë fort e fort”. Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa, i ndihmuar nga fëmijët, lëshoi dy pëllumba të bardhë, simbol i Shpirtit të Zotit, dhuratë e paqes për të gjithë ata, që ia hapin zemrat me dashuri.
Marrë nga Radio Vatikani