E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten me 30% tatimet për kompanitë e mëdha

Ky vendim vjen pas kërkesës së kryeministrit Berisha, i cili deklaroi javë më parë në mbledhjen e qeverisë se do të taksohen kompanitë e mëdha që mbajnë çmime të larta për konsumatorët. Me këtë vendim, do të rriten të ardhurat nga tatimet. 

Bazuar në të dhënat e administratës tatimore mbi qarkullimin vjetor dhe taksat e paguara për vitin 2009, janë 100 kompani të mëdha që ushtrojnë aktivitet ekonomik në Shqipëri.  Ministria e Financave ka analizuar përqindjen e rentabilitetit të këtyre kompanive, që është raporti i fitimit të tatueshëm ndaj totalit të ardhurave të tatueshme. Nga studimi i të dhënave, rezulton se 9 kompani në Shqipëri aplikojnë përqindje rentabiliteti nga 30% në 70% dhe 6 kompani aplikojnë përqindje të rentabilitetit nga 20% deri në 30%. Këto kompani ushtrojnë aktivitete ekonomike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Sipas ndryshimeve që propozon ministria e Financave, nuk do të njihen si shpenzime të zbritshme shpenzimet e një kompanie për bonuse dhe shpërblime, të cilat për shkak të shumave të larta, ato ndikojnë ndjeshëm në uljen e masës së fitimit të tatueshëm. Për këtë arsye propozohet, që shpenzimet për bonuse/shpërblime, përveçse pagës së trembëdhjete, të mos njihen si shpenzime të njohura për efekte fiskale, ne sektorin financiar. Të gjitha këto masa merren për të tatuar më tepër kompani, që kanë fitime shumë të mëdha.

Çfarë parashikon ndërhyrja nga MF në ligjin për tatimin mbi fitimin:

Neni 2 i projektligjit synon përcaktimin e tatimfitimit nga 10% që është aktualisht me shkallë progresive bazuar në përqindjen e rentabilitetit të tatimpaguesit, si më poshtë:
a) 10% në rast se përqindja e rentabilitetit është deri në 20%;
b) 20% në rast se përqindja e rentabilitetit është 20% deri në 30% ;
c) 30% në rast se përqindja e rentabilitetit është mbi 30%.
Përqindja e rentabilitetit është raporti midis fitimit të tatueshëm me totalin e të ardhurave të një kompani. /Start/

                                                                                             2011-04-25 11:25
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›