Rriten rastet e denoncimit të dhunës në familje
Numri i rasteve të dhunës është rritur ndjeshëm gjatë këtij viti. Të dhënat e Ministrisë së Punës Çështjeve dhe Shanseve të Barabarta tregojnë se pavarësisht fushatave sensibilizuese për eliminimin e rasteve të dhunës në familje, ky fenomen vazhdon të mbetet problematik në Shqipëri. Këtë e konfirmojnë edhe shifrat në rritje, të raportuara nga strukturat e Ministrisë. Nga të dhënat e kësaj ministrie vihet re se numri i denoncimeve të dhunës në familje është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar. Në tremujorin e parë të viti 2010 janë raportuar 843 raste të dhunës në familje, tre herë më shumë viktima të dhunës se sa janë regjistruar në tremujorin i vitit të kaluar. “ Ne kemi 843 raste dhune në familje të raportuara në policinë e Shtetit. Nga këto 224 raste kanë bërë kërkesë padi për urdhër mbrojtje. Krahasur me 3 mujorin e parë të viti të kaluar ka një rritje të ndjeshme të numrit të personave që kanë denoncuar dhunën. Në tre muajt e parë të vitit 2009 janë evidentuar 253 raste dhe nga këto janë bërë 172 kërkesë padi për urdhër të menjëhershëm mbrojtje, apo vetëm urdhër mbrojtje” thotë Alma Marku, drejtoreshë e Shanseve të Barabarta në Ministrinë e Punës. Evidentimi dhe trajtimi i viktimave të dhunës është bërë nga strukturat e policisë së Shtetit dhe një pjesë e tyre kanë marr të drejtën e mbrojtjes. Nëse në vitet e mëparshme janë raportuar dhe raste të dhunës së femrave ndaj meshkujve, gjatë muajve të parë të 2010-s, të gjitha të dhunuarat në familje kanë qenë femra.
Rama inspekton punimet në sistemin e Lanës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, inspektoi dje fazën e parë të punimeve që po kryhet për sistemimin e shtratit të Lanës. Rama deklaroi se projekti për sistemimin e shtratit të Lanës është i vështirë, por spektakolar dhe ka si qëllim transformimin rrënjësor në Lanë. "Punimet për sistemimin e segmentit të Lanës kanë si synim krijimin e hapësirave të gjelbra publike dhe kjo ndërhyrje urbane do të përmirësojë cilësinë e jetës së komunitetit", u shpreh Rama ndërsa inspektonte zhvillimin e punimeve për sistemimin e shtratit të Lanës. Në kuadër të inspektimeve të punimeve që po zhvillon Bashkia në kryeqytet, një ditë më parë kreu i Bashkisë së Tiranës inspektoi punimet që po bëhen në Shkozë për ngritjen e banesave sociale ku do të strehohen 400 familje.
21 Korrik 2010