E Diel, 1 Nëntor 2026

Sinan Tafaj: “Do i drejtohemi qeverisë me katër kërkesa”



Avushe Zhuka

Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar kërkon të bëhet një reformë në pagesat e aftësisë së kufizuar. Kryetari i këtij Këshilli, njëherësh dhe kryetar i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj, tregon se cilat janë kërkesat e shoqatave te personave me aftësi të kufizuar drejtuar qeverisë. “Reforma në pagesat e aftësisë duhet të ketë në thelb, rritjen e pagesës së aftësisë së kufizuar dhe përshkallëzimin e pagës sipas nivelit të dëmit që ka pësuar çdo person. Deri tani pagesat janë njësoj për të gjithë personat me aftësi të kufizuar pavarësisht aftësisë fizike dhe shëndetësore të tyre” -shprehet Tafaj. Kërkesa e Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar drejtuar qeverisë mbi mbrojtjen, përcaktimin dhe rritjen e pagesës së aftësisë së kufizuar përmban 4 pika. Kërkesa është firmosur nga shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, Shoqata e Invalidëve të Punës të Shqipërisë, Shoqata Humanitare e Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, Shoqata Kombëtare në Ndihmë të Handikapeve Mendore dhe Organizata Kombëtare e Njerëzve që Nuk Dëgjojnë.

Kërkesat

Këshilli Kombëtar i personave me aftësi të kufizuar kërkon që aftësia e kufizuar të përshkallëzohet në disa nivele mbi bazën e kritereve mjekësore, sociale dhe rrethanave të ambientit të njohura nga vendet perëndimore ose nga OBSH. Kategoria e personave që nuk mund të lëvizin, lëvizin me karrocë, apo me vështirësi, nuk duhet të trajtohen me të njëjtën pagesë. Po kështu sipas kreut të Shoqatës së të verbërve, nuk mund të trajtohen me të njëjtën pagesë, personat që nuk shikojnë dhe personat që kanë probleme me shikimin. Një kërkesë tjetër e shoqatave që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar është dallimi i pagesës së aftësisë së kufizuar nga pagesa e paaftësisë në punë. Sipas Sinan Tafajt, pagesa për aftësinë e kufizuar duhet të jepet si pagesë kompensuese për pamundësinë e ushtrimit të funksioneve vitale. Ajo duhet të jepet për njerëzit me probleme, shqisore dhe motorike ku përfshihen personat që kanë probleme lëvizjeje. “Ka shumë njerëz të paaftë për të punuar dhe kjo kategori duhet mbështetur financiarisht nga qeveria, por këta persona duhen trajtuar me pagesë për paaftësi në punë dhe duhet të marrin një pagesë jo kontributive, ndryshe nga personat me pamundësinë e ushtrimit të funksionit. Duhen përjashtuar nga pagesat e personave me aftësi të kufizuar, personat e paaftë për punë.

Pagesa

Një nga kërkesat e Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar është rritja e pagesës së aftësisë. Sipas tyre pagesa e aftësisë së kufizuar duhet të ketë si pikë referimi njërën ndër pagesat thelbësore dhe të qëndrueshme të përdorura ligjërisht në Shqipëri që shprehin standardin ekonomik aktual dhe që kanë një mekanizëm ligjor të rritjes. Një tjetër kërkesë e Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar është që masa e pagesës së aftësisë së kufizuar të përshkallëzohet sipas nivelit të pasojave që duhen kompensuar për shkak të këtij kufizimi.”Ne kërkojmë që të veprojë mekanizmi ligjor, në mënyrë që rritja e pagesës së aftësisë së kufizuar të mos mbetet e fiksuar”-thotë kryetari i Këshillit, Sinan Tafaj. Fondi për pagesën e personave me aftësi të kufizuar këtë vit është rritur me 2 miliardë lekë. Sipas Tafajt për trajtimin e personave me aftësi të kufizuar fondi është rritur nga 11 miliardë lekë që ishte vitin e kaluar, këtë vit është bërë në masën 13 miliardë lekë. Pagesa për aftësinë e kufizuar është në masën 50 për qind të pagës minimale. Ndihma për të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët përfshin pagesat mujore për PAK dhe një pagë plus për kujdestarët, përjashtim nga taksa e drejtpërdrejtë, karburantin falas dhe 50 për qind për transportin ndër urban. Personat me aftësi të kufizuar mendorë e fizikë përfitojnë një pagesë mujore dhe një pagesë plus për kujdestarët e tyre nëse është e nevojshme.

Kërkesat e Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar

1-Përcaktimi:Pagesa për aftësinë e kufizuar u jepet personave për kompensimin e pasojave të aftësisë së kufizuar si rezultat i dëmtimeve mendore,shqisore dhe motorike të cilët nuk arrijë të realizojnë funksionet normale vitale.

2-Aftësia e kufizuar të përshkallëzohet në disa nivele mbi bazën e kritereve mjekësore,sociale dhe rrethanave të ambientit të njohura nga vendet perëndimore ose nga OBSH.

3-Masa e pagesës së aftësisë së kufizuar të përshkallëzohet sipas nivelit të pasojave që duhen kompensuar për shkak të kufizimit.

4-Pagesa e aftësisë së kufizuar të ketë si pikë referimi njërën ndër pagesat thelbësore dhe të qëndrueshme, të përdorura ligjërisht në Shqipëri që shprehin standardin ekonomik aktual dhe që kanë një mekanizëm automatik ligjor të rritjes.

Përhapje e madhe e Sidës në Evropën Lindore

Në Vjenë po zhvillohet konferenca e 18-të botërore e Sidës. Në këtë takim, që zgjat deri të premten, ekspertët po diskutojnë për rrugë të reja për luftimin e Sidës.
Më tepër se 20.000 studiues, mjekë, politikanë dhe pacientë nga 100 vende të botës po marrin pjesë në konferencën e Vjenës kushtuar Sidës. Ekspertët kanë në qendër të vëmendjes përmirësimin e të ashtuquajturve "bllokues të virusit", të mënyrë që të zgjatet jeta e pacientëve, që kurohen me medikamente. Vetëm një e treta e 15 milionëve të sëmurëve me Sidë në Botë marrin medikamente, që u zgjasin jetën dhe zbusin simptomat. Presidenti i Shoqatës Botërore të Sidës, Julio Montaner, tha se për fat të keq mungon vullneti politik për t'i ofruar çdo të infektuari me Sidë mjekimin e nevojshëm. Një nga pikat, ku përqëndrohet vëmendja e konferencës, është gjendja në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, ku në të kundërt me tendencën botërore numri i infektimeve me virusin HIV, po shtohet.

Përhapje e madhe e Sidës në Evropën Lindore
Sipas një studimi të UNICEF-it 80% e të infektuarve në vendet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore janë më të rinj se 30-vjeç. Që prej vitit 2006 në disa rajone të Rusisë ka pasur një rritje të infektimeve në masën 700%. Sipas UNICEF-it sëmundja po përhapet sidomos në radhët e fëmijëve, të të rinjve dhe të grave në vendet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore. Sipas drejtorit ekzekutiv të UNICEF-it për Gjermaninë, Christian Schneider, të prekur janë në radhë të parë: "Të rinj, që e kanë kaluar gjithë jetën e tyre nëpër jetimore dhe nuk janë përgatitur për një jetë normale, si dhe fëmijët e rrugëve, prostitutat e mitura, apo të rinj, që për shkak se nuk shohin asnjë shpresë për jetën drogohen".
Shpresë për zbulimin e vaksinës
Studiuesi amerikan, Anthony Fauci, një ndër ekspertët më me emër në të gjithë botën, tha se ka shpresa për zbulimin e vaksinës kundër sëmundjes së dobësimit të imunitetit. Pas një serie provash dhe eksperimentesh ai tha se është mjaft i bindur se kjo vaksinë do të zbulohet, edhe pse përgatitja e saj për përdorim do të zgjasë ende vite.
Virusi HIV u zbulua në fillim të viteve 1980-të. Sipas vlerësimeve me të janë infektuar rreth 33,4 milionë vetë në të gjithë botën, rreth 25 milionë syresh kanë gjetur deri tani vdekjen. Çdo vit prej Sidës vdesin rreth dy milionë vetë.

21 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›