Ministria e Mjedisit vendos gjoba për ndotjen
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka gjobitur rreth 20 subjekte, pas një inspektimi të kryer në zonën bregdetare nga Velipoja në Sarandë. Inspektimi i Ministrisë u krye dhe në zonën bregdetare, nga Saranda në Golem ku u vendosën gjoba për shkarkim të ujerave të zeza në det dhe ndotje akustike në zonën e plazhit. Nga kjo ministri bëhet e ditur se masa me gjobë janë marrë edhe për Bashkinë Durrës dhe katër komuna pasi gjendja mjedisore në këto zona ishte e rëndë. Aksioni i Ministrisë së Mjedisit ka nxjerrë në pah disa prej shkeljeve dhe ka bërë që inspektorët e këtij institucioni të gjobisnin disa subjekte apo komuna që kanë ndotur ambientin në plazhe. Nga inspektimi ka rezultuar se 9 subjekteve private, kryesisht bare në komunën e Golemit u janë prishur tubacionet që shkarkonin ujerat e zeza në det. Ndërsa për 12 subjekte ndërtuese në Sarandë është pezulluar aktiviteti deri në fund të gushtit, për shkak të ndotjes akustike që shkaktonin. Gjobat e vendosura nga Ministria e Mjedisit, arrijnë në shifra qindra mijëra lekë dhe do të ekzekutohen nga zyra e përmbarimit. Inspektorati i Mjedisit ka gjobitur me 1 milion lekë dhe ka pezulluar aktivitetin e Albetrol Sh.a. Fier pasi ka shkarkuar mbetje në ujë. Për të shmangur zhurmat e lokaleve të natës që shqetësojnë pushuesit në këtë sezon turistik, Ministria e Mjedisit ka vendosur që muzika e lartë në lokalet e hapura të qëndrojë nga ora 19:00 deri në orën 23:00 dhe ne fundjave orari shtyhet vetëm me një orë me shumë. Pas këtij orari Ministria e Mjedisit bazuar në vendimin “Për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane dhe turistike” i thotë stop çdo aktiviteti që gjeneron zhurma mbi nivelin e lejuar nga OBSH. Kundravajtësit e këtij vendimi do të ndëshkohen me gjobë deri në pezullim të aktivitetit.
Akademia e Shkencave, konferencë për mjedisin
Akademia e Shkencave organizoi një konferencë ku u diskutua mbi problematikën e menaxhimit të pasurive ujore në vend. Në këtë tryezë ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu. Problematika e menaxhimit të pasurive ujore të larta të Shqipërisë në raport me popullatën dhe sipërfaqen e vogël të territorit, ishte vepra studimore e profesorit Niko Pano që u promovua nga anëtarët e Akademisë së Shkencave, studiuesit dhe punonjësit e Institutit të Ujërave dhe Metrologjisë gjatë konferencës. Monografia me rreth 500 faqe “Pasuritë Ujore të Shqipërisë” vjen në kolanën e botimeve të Akademisë së Shkencave që kanë si objekt natyrën e Shqipërisë. Libri i promovuar nga kjo akademi do të shërbej si tekst plotësues për studentët e degëve të Inxhinierisë dhe Bujqësisë, pasi sjell një përqasje bashkohore të Shqipërisë me vendet e rajonit dhe Evropës. Ministri i Mjedisit,Fatmir Mediu në përfundim të konferencës mbi pasuritë hidrike theksoi se është i gatshëm të nënshkruaj memorandum bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe mbarë rrjetin e institucioneve për menaxhimin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e pasurive ujore të Shqipërisë.
21 Korrik 2010