Ministria e Arsimit nis shpërndarjen e Formularit A2 në rrethe
Avushe Zhuka - Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se dje ka nisur shpërndarjen e formularit A2, në të gjitha rrethet e vendit. Shpërndarja e formularit A2 do të bëhet gjatë 2 ditëve në Drejtoritë Arsimore të Rretheve, të cilat do t’i kalojnë më pas në shkollat përkatëse për secilin maturant. Maturantët do të kenë mundësi t’i tërheqin formularët në shkollat ku ata kanë mësuar duke nisur nga dita e nesërme dhe në vazhdim. Specialistët kanë zgjedhur këtë periudhë për shpërndarjen e A2, pasi sipas tyre, maturantët duke ditur notat e katër provimeve të maturës dhe notën mesatare të shkollës së mesme mund të bëjnë një përllogaritje se me sa pikë do të hyjnë në garë për në shkollat e larta. Rregullorja e Maturës Shtetërore parashikon se maturantët do të kenë një afat kohor prej dy javësh për plotësimin dhe dorëzimin e formularëve. Kjo procedurë kërkohet të kryhet nga të gjithë maturantët që kanë përfunduar me sukses provimet e Maturës Shtetërore, duke përfshirë këtu edhe ata kandidatë që do të aplikojnë për ndjekjen e akademive, në të cilat procedura e pranimit të studentëve është e ndryshme nga universitete e tjera. Për të gjitha akademitë qofshin këto sportive apo artistike, për të cilat konkursi i pranimit do të zhvillohet në fillim të muajit shtator, plotësimi dhe dorëzimi i formularit do të kryhet në të njëjtën mënyrë si dhe për maturantët e tjerë.
Maturantët
Maturantët duhet të jenë të kujdesshëm në plotësimin e Formularin A2,ose thënë ndryshe në formularin ku do të listojnë preferencat e tyre. Specialistët e MASH këshillojnë maturantët të bëjnë kujdes në të gjitha hapat dhe procedurat që duhet të ndjekin për plotësimin e formularit, në mënyrë që ai të jetë i rregullt dhe të mos shkaktojë skualifikimin e menjëhershëm. MASH ka sqaruar se Formulari A2 do të plotësohet me listën e notave të provimeve të detyruara dhe provimeve me zgjedhje, me notën mesatare dhe listën e degëve. Lista e degëve zë pjesën më të madhe të Formularit A2. Çdo formularë përmban të dhënat për secilin nxënës që ka plotësuar formularin A1 dhe ka plotësuar kërkesën për provimet me zgjedhje. Të dhënat për secilin maturantë janë vendosur duke iu referuar formularit A1. Në fillim maturantët mund të fotokopjojnë formularin për t’u praktikuar, por duhet të dorëzojnë formularin origjinal të plotësuar. Ata duhet të lexojnë me kujdes udhëzimin për plotësimin e A2. Mësuesi kujdestar bashkë me maturantin plotësojnë mesataren e shkollës së mesme me numra dhe me fjalë. Pasi është vendosur për programet e studimit të preferuara dhe renditjen e tyre, plotësohet kodi i programit të studimit për secilën preferencë, nga preferenca 1 deri në preferencën e 10
Përmbajtja
Përmbajtja e formularit është e tillë, në krye të Formularit A1 është sigla e Maturës 2007, emri i shkollës, rrethi dhe numri i identifikimit të shkollës. Në pjesën qendrore sipër është vendosur ID e nxënësit, Emri, Atësia dhe Mbiemri i tij, klasa që ka mbaruar, si dhe kodifikimi i këtyre të dhënave..Në këtë mënyrë sipas MASH shmanget çdo lloji ngatërrese. Maturanti nuk mund të marr një formular që nuk i përket atij por dikujt tjetër. MASH këshillon nxënësit që të mos nxitohen por ta lexojnë me shumë kujdes këtë listë, për të gjetur degët që kanë në preferencë. Pas kësaj formoni një listë ku programet e studimit i rendisni jo vetëm sipas preferencave, por edhe mundësisë që ju keni për të fituar në këto preferenca. Pra, e para (programi i parë) do të jetë dega që preferoni më shumë dhe, e dyta ajo që preferoni, nëse nuk do të fitoni në Preferencën e parë, e kështu me radhë deri te preferenca 10. Është e detyrueshme që të mbushen të 10 kutitë e Preferencave, ndryshe Formulari quhet i pavlefshëm. Nëse nuk keni 10 preferenca, kutitë mund ti plotësoni me tre. Preferenca më e lartë është Preferenca 1. Kjo, për arsye se mbi këtë bazë të preferencave do të shpallen fituesit për secilën degë. Kontrollohet Preferenca 1, nëse aty jeni fitues, aty shpalleni për regjistrim në universitet. Nëse nuk jeni fitues në Preferencën 1, kontrollohet Preferenca 2 e kështu me radhë deri në Preferencën 10. Shpalleni fitues, nëse keni mbledhur pikët e nevojshme, në Preferencën më të lartë. Fitues jeni vetëm në një degë, në atë të preferencës më të lartë edhe sikur të keni pikët e mjaftueshme dhe me renditje të kënaqshme për preferenca të tjera.
21 Korrik 2010