Rriten tarifat për shërbimet në gjykatë

Qeveria ndërmerr një nismë për të rritur tarifat e shërbimeve në gjykatë, prokurori dhe noteri. Tashmë, individët apo institucionet që do t’i drejtohen gjykatës, prokurorisë dhe noterisë, duhet të paguajnë më shumë për të regjistruar një padi, për të marrë një dëshmi penaliteti e kështu me radhë. Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave kanë filluar punën për ndryshimet për ligjin “tarifat për veprimet dhe shërbimet që kryhen nga Administrata Gjyqësore, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria dhe Noteria”. Ligji në fjalë ishte ndryshuar në mesin e vitit 2008, ku ishin vendosur tarifat përkatëse, por ndryshimet lindën pasi në gjykatë ka një valë të madhe padish civile. Personat apo shoqëritë e caktuara u drejtohen togave të zeza edhe për konfliktet ordinere. Ndërkohë, gazeta “Shqip” është interesuar pranë Ministrisë së Drejtësisë për idenë e hedhur nga disa gjykata për vetadministrim të buxhetit. Përgjigjja e zyrtarëve të ministrisë ka qenë e prerë duke e hedhur poshtë këtë ide.
Tarifat për paditëLigji i vitit 2008 për pushtetin gjyqësor dhe për tarifat që përdoren në gjykatë, prokurori e noteri përcakton edhe përqindjet e të ardhurave që fiton një institucion. “Ajo që kemi bërë është që po përgatisim një nismë me Ministrinë e Financave për të rritur tarifat e padive gjyqësore. Duke u rritur tarifat gjyqësore, shteti administron më mirë një institucion, duke investuar në godina, shërbimet e informatikës e në paga”, thanë burimet nga Ministria e Drejtësisë. Sipas tyre, nga rritja e tarifave gjyqësore përjashtohen paditë për pension ushqimor, padi për kthim në punë dhe konfliktet familjare. “Paditë e tjera do të rriten, me qëllim që edhe serioziteti i padive të jetë më i madh. Nëse të ardhurat e gjykatave janë të mëdha edhe përqindja që u shkon atyre është më e madhe”, thanë burimet nga ministria, duke shtuar se qeveria do të rrisë investimet në gjykatë. “Një gjë e tillë rrit pavarësinë e pushteti gjyqësor. Pavarësia e gjyqtarit nuk është nga ndërhyrja nga politika, por edhe nga faktorët e tjerë”, shtuan zyrtarët e ministrisë.
Pavarësia e buxhetitMinistria e Drejtësisë ka folur edhe për pavarësinë ekonomike të pushtetit gjyqësor, një ide e hedhur nga nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, gjatë analizave të fundit të togave të zeza. “Shteti fillon investon në buxhet, nëpër godina, pasi gjykata nuk i rregullon dot këto probleme me të ardhurat gjatë një viti. Rritja e tarifave rrit edhe përqindjet e fituara nga gjykatat. Qeveria investon për të bërë godina, zyra, apo për modernizuar arshivat, regjistrimin e padive dhe paratë që i jep gjykata shtetit shumëfishohen. Shteti nuk mund të funksionojë në vetëfinancim dhe vetadministrim të buxhetit, pasi do të kalonte në një ndërmarrje”, thanë zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas tyre, për buxhetin e pushtetit gjyqësor është edhe zyra e administrimit të buxhetit gjyqësor, që drejtohen nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë. I vetmi shkurtim i buxhetit në pushtetin gjyqësor, sipas Ministrisë së Drejtësisë, është tek ulja e shpenzimeve për shoferët dhe karburantin.
#